Ndërlidhjet

FSK: Rritet përqindja e komuniteteve


Pjesëtarë të FSK-së (Foto arkiv)

Pjesëtarë të FSK-së (Foto arkiv)

Katërmbëdhjetë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës i takojnë komunitetit serb, ndonëse Beogradi zyrtar dhe serbët lokalë kundërshtojnë inkuadrimin e tyre në këtë mekanizëm.

Zyrtarët e Ministrisë së FSK-së shprehen të kënaqur me pjesëmarrjen e pakicave, e cila ka arritur nivelin 8.3 për qind.

Ministri Fehmi Mujota e vlerëson lart përqindjen e deritashme, e cila, sipas tij, është në përputhje me përbërjen e etnive në vend.

“Ka shumë rendësi që komunitetet pakicë të konkurrojnë për të qenë pjesë e FSK-së. Ne jemi të kënaqur që, deri më tash, kemi arritur një përqindje, e cila është në përputhje të plotë me përbërjen e etnive në Kosovë - 8.3% të komuniteteve pakicë sot janë në përbërjen e FSK-së”, thotë Mujota për Radion Evropa e Lirë.

Ministri Mujota thekson nevojën e përfshirjes së komuniteteve dhe të gjinisë femërore edhe në të ardhmen – si pjesë e përmbushjes së standardeve të vëna nga Aleanca Veri-atlantike.

“Vitin e ardhshëm do të kemi edhe një gjeneratë të re, që duhet të konkurrojë dhe t’i marrë pozitat e veta në Forcën e Sigurisë. Përfshirja e minoriteteve, përfshirja e gjinisë femërore tregon edhe një përkushtim tonin për të arritur një standard tjetër të NATO-s, që është domosdoshmëri për të qenë aleat dhe për të qenë konkurrues”, thekson Mujota.

Por, përfaqësuesit e serbëve në veri i hedhin poshtë shifrat e dala nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Marko Jakshiq thotë se FSK-ja nuk përmban pjesëtarë serbë.

“Mendoj se serbët janë vetëm në listën e pagave dhe nuk ka përfshirje të tyre në kuptimin praktik. Pra, ata nuk gjenden atje. Një gjë e tillë shfrytëzohet për të treguar se Kosova është vend demokratik dhe ka serbë në Forcën e Sigurisë”.

“Në fakt, shtrohet pyetja se çfarë i duhet Kosovës FSK-ja, marrë parasysh që me Marrëveshjen e Kumanovës duhet të çarmatosen të gjitha njësitet në Kosovë. Andaj, është iluzion formimi i këtyre forcave, e sidomos pjesëmarrja e serbëve në to”,
thotë Jakshiq.

Ligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës parasheh që 10 për qind të pjesëtarëve të saj të jenë nga pakicat.

Eksperti Nuredin Ibishi e quan inkurajuese pjesëmarrjen e deritanishme të komuniteteve. Por, sipas tij, presionet që vijnë nga qarqe të caktuara të Serbisë, bëjnë që shumë serbë të hezitojnë të jenë pjesë e institucioneve kosovare.

“Në këtë drejtim ka progres, duke pasur parasysh rezistencën që vjen nga politika aktuale e Serbisë. Mendoj se kjo përqindje e tanishme e inkuadrimit të minoriteteve, e sidomos atij serb, është inkurajuese”, thotë Ibishi.

Por, ai shprehet optimist se me kalimin e kohës, pjesëmarrja e komuniteteve do të jetë në përputhje me kriteret që cakton Ligji për FSK-në.

“Pengesat që vijnë nga politika aktuale e Qeverisë së Serbisë i dekurajojnë ata (serbët) që të inkuadrohen në strukturat e FSK-së. Por, ka gjasa që kuota e pritur e participimit të minoriteteve në këtë strukturë, të jetë e kënaqshme”, thotë Ibishi.

Sido që të jetë, zyrtarët e lartë të NATO-së i kanë vlerësuar lart të arriturat e deritashme të FSK-së drejt operacionalizimit të saj.

Lexoni edhe këtë:
Pengesat para FSK-së
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG