Ndërlidhjet

Zgjedhjet në shkurt?


(Foto arkivi)
(Foto arkivi)
Datat 13 dhe 27 shkurt nga subjektet politike në Kosovë shihen si koha më optimale për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, ka paralajmëruar se do t’i ftojë edhe nesër në një takim të përbashkët partitë politike për të caktuar përfundimisht datën e zgjedhjeve.

Xhavit Haliti nga subjekti më i madh në Parlament, Partia Demokratike e Kosovës, tha se mesi i shkurtit, përkatësisht data 13, do të ishte e përshtatshme për t’iu dhënë kohë edhe bisedimeve pas zgjedhjeve rreth formimit të institucioneve brenda afatit kushtetues, që nënkupton deri më 28 mars.

“Fillimi ose mesi i shkurtit do të ishte më i favorshmi për të arritur afatin kushtetues. Çështja e datës do të jetë vendim i u.d. të presidentit të Kosovës - vendim ky që do të merret mbi bazën e një marrëveshjeje të përbashkët me partitë e tjera. Ndoshta ndonjëra (parti) nuk do të jetë e kënaqur, por në jemi të obliguar ta zbatojmë Kushtetutën”, tha Haliti.

Zgjedhjet në dimër nuk do të jenë të përshtatshme për asnjë parti politike, por ato tashmë janë një domosdoshmëri, tha deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bujar Bukoshi. Pavarësisht datës, subjektet politike tashmë duhet të shkojnë në zgjedhje, u shpreh ai.

“Mendoj se është kohë e papërshtatshme në acar të një dimri të mbahen, por kjo është ajo që kemi si mundësi dhe duhet të operojmë me atë që kemi. Përgjegjësia politike pse arritëm në këtë gjendje, duhet t’iu mbetet atyre që e shkaktuan këtë situatë”,
tha Bukoshi.

Mesi i muajit shkurt shihet si kohë e përshtatshme edhe nga deputeti Ibrahim Makolli nga radhët e partisë opozitare, Aleanca Kosova e Re.

“Koha më e përshtatshme për t’i mbajtur zgjedhjet dhe për të mos e cenuar kufirin kohor kushtetues, është mesi i muajit shkurt, në mënyrë që të ketë edhe hapësirë kohore për krijimin e institucioneve të reja deri më datën 28 mars”,
theksoi Makolli.

Subjekti politik, i cili nuk ka ndërruar qëndrimet që nga fillimi, është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, tha se 6 marsi është preferencë e kësaj partie politike, ngase zgjedhjet kërkojnë edhe përgatitje paraprake.

“Ne konsiderojmë se u.d. i presidentit duhet të konsultohet me partitë politike dhe të ketë konsensus rreth datës. Nuk duhet të paragjykohet data paraprakisht, por kjo duhet të bëhet në konsultime me partitë politike”, tha Isufi.

Më fleksibile rreth datës tregohet Lidhja Demokratike e Dardanisë. Kryetari i saj, Nexhat Daci, tha se nuk e përjashton si mundësi organizimin e zgjedhjeve edhe më 27 shkurt.

“Mendoj se janë tri, apo maksimum katër javë, të mjaftueshme për konstituimin e të gjitha institucioneve. Brenda mundësive, afati kushtetues është fundi i shkurtit ose fillimi i marsit për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha Daci.

Ndërsa nesër, sipas paralajmërimeve, edhe mund të shpallet data përfundimtare e zgjedhjeve, atmosferë zgjedhore sot është vërejtur edhe në Parlament. Partitë opozitare kanë kritikuar kryeministrin Hashim Thaçi se ka filluar fushatën zgjedhore.

Vizitat e Thaçit në rajonin e Dukagjinit dhe premtimet e bëra për investime atje, janë kritikuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila mban pushtetin nëpër komunat e këtij rajoni. Këtyre kritikave, Thaçi u është përgjigjur duke thënë se ai vetëm po kryen punën e tij në bazë të autorizimeve kushtetuese që ka si kryeministër i Kosovës.

Lexoni edhe këto:
Vlerësimi i KQZ-së përcakton datën e zgjedhjeve
Kërkohet dinamikë në reforma zgjedhore
XS
SM
MD
LG