Ndërlidhjet

Shtytje bisedimeve


Gjatë vizitës në Kosovë, Hillary Clinton bëri të qartë se nuk do të ketë bisedime për lëvizje kufijsh.
Gjatë vizitës në Kosovë, Hillary Clinton bëri të qartë se nuk do të ketë bisedime për lëvizje kufijsh.

Shtytje bisedimeve Kosovë-Serbi, por edhe garanci se SHBA-të do të jenë të përfshira në këtë proces, i interpretojnë analistët për çështje politike mesazhet e Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, të dhëna në Prishtinë e Beograd.


Vizita e Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, sipas analistëve, do t’i çojë përpara bisedimet e paralajmëruara mes Kosovës e Serbisë.

Clinton ka thënë edhe në Prishtinë, sikurse në Beograd, se vendet duhet sa më shpejt, të fillojnë bisedimet për çështje jetësore, por duke përjashtuar në tërësi bisedimet për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Analisti Ismajl Hasani, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë vizitës së saj, zonja Clinton konfirmoi se SHBA-të do të kenë rol prijës në parapërgatitjen e bisedimeve.

“Deklarimi i zonjës Clinton vetëm argumenton involvimin e drejtpërdrejtë të SHBA-ve në përgatitjen e terrenit për zhvillimin e bisedave midis Serbisë edhe Kosovës. Domethënë në këtë plan nuk ka asgjë të re, përveç asaj që është një konfirmim i hapur i SHBA-ve për përafrimin në procesin e parapërgatitjeve në bisedat midis Kosovës dhe Serbisë”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës absolutisht do të kenë rolin prijës në parapërgatitjen për zhvillimin e bisedave midis Serbisë dhe Kosovës”
, thotë Hasani.

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së parasheh dialog mes Kosovës e Serbisë, por pa i përcaktuar temat konkrete. Analisti Arben Qirezi, beson se zonja Clinton la të kuptohet që SHBA-të, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, do të vënë kornizat për këto bisedime.

“Mendoj se thelbi i vizitës së zonjës Clinton në Prishtinë ishte dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo, me mesazhet e saj, i dha shtytje fillimit të dialogut. Mesazhi i saj kishte të bënte me garancinë, që SHBA-të i ofrojnë Kosovës rreth çështjeve kyçe, siç janë sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës
”.

“Po të njëjtin mesazh - një vijë të kuqe se cilat do të jenë temat e dialogut, përkufizimi i kornizave të dialogut - zonja Klinton i transmetoi edhe Beogradit zyrtar”
, thekson Qirezi.

Sekretarja amerikane, Hillary Clinton, pas Kosovës, ka udhëtuar për në Bruksel për t’u takuar me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian.

Kjo lëvizje e Sekretares amerikane, nga analisti Qirezi shihet si një bashkërendim i veprimeve mes SHBA-ve dhe BE-së në Ballkan.

“Në aspektin pak më të gjerë mendoj se kjo është një lëvizje që ka të bëjë me koordinimin në mes të SHBA-së dhe BE-së. Pra, këta dy aktorë ndërkombëtarë janë të koordinuar në politikat e tyre sa i përket Ballkanit”
, shprehet Qirezi.

Gjatë vizitës së djeshme në Kosovë, Sekretarja Clinton bëri të qartë se nuk do të ketë bisedime për lëvizje kufijsh, ndërsa veriut, që vazhdon të mbetet një nga problemet e pazgjidhura, tha se nuk duhet t’i jepet status special.

Ismajl Hasani thotë se përmes kësaj dhe deklaratave tjera, sekretarja Clinton paraqiti përkushtimin amerikan për shtetin e Kosovës.

“Politika amerikane është e qartë karshi ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës. Vizita në Graçanicë dhe takimi me liderët e komunave me shumicë serbe që kanë pranuar realitetin e ri në Kosovë, është edhe një mesazh që SHBA-të japin”
, vlerëson Hasani.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, përveç përkrahjes për zhvillimet e brendshme në Kosovë, u ka premtuar kosovarëve se do të jetë avokate e tyre e fuqishme edhe në kuadër të integrimeve evropiane.
XS
SM
MD
LG