Ndërlidhjet

Maqedoni: Sfidat para samitit të NATO-s


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Lidershipi shtetëror tenton të shpërqendrojë vëmendjen e opinionit para disfatës që do të pësojë Maqedonia në samitin e NATO-s, si dhe nga mospërcaktimi i datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Kështu e vlerësojnë analistët politikë kërkesën e zëvendëskryeministrit për integrime, Vasko Naumovski, që institucionet kompetente të BE-së ta ndihmojnë Maqedoninë dhe Greqinë për të gjetur një zgjidhje për kontestin disavjeçar të emrit.

Politikologu maqedonas, Vllatko Bozhinovski, thotë se lidershipi i vendit, përmes kësaj kërkese, orvatet të përqendrojë vëmendjen e BE-së në Maqedoni, ngase, siç thekson ai, komuniteti ndërkombëtar tanimë ka reflektuar qartë dozë nervozizmi ndaj politikës aktuale, e cila nuk arrin të zgjidhë kontestin e emrit.

“Qëllimi kryesor i kësaj kërkese është që Maqedonia edhe më tej të mbetet temë aktuale në BE, ngase të gjithë mirëfilli e dimë se negociatat duhet të vazhdojnë me ndërmjetësimin e OKB-së. Dhe pikërisht aty duhet kërkuar zgjidhja - aq më shumë që Maqedonia atje ka një pozicion më të balancuar, meqë është anëtare njëlloj si Greqia”, thotë Bozhinovski.

Nga ana tjetër, Nazmi Maliqi, ekspert për çështje ndërkombëtare, vlerëson se komuniteti ndërkombëtar, dita-ditës, po humb besimin në sinqeritetin e Qeverisë së Maqedonisë, për të zgjidhur kontestin e emrit me Greqinë.

“Kjo kërkesë mund të përdoret edhe si taktikë për shfrytëzim të brendshëm, për t’u arsyetuar kjo përbërje qeveritare para qytetarëve se ‘ja, ne kërkuam edhe nga zyrtarët e BE-së që ata si ndërmjetësues të ndihmojnë në çështjet e hapura me Greqinë, por punët nuk po shkojnë në drejtimin e duhur’”.

“Mendoj se kësaj qeverie dhe kryeministrit Nikolla Gruevski më shumë u konvenon një diplomaci jokoherente”,
thekson Maliqi.

Ai thotë se kërkesat e fundit bëjnë që diplomatët evropianë të mos i marrin seriozisht ato, duke pasur parasysh qëndrimet e BE-së që pa zgjidhjen e çështjes së emrit, nuk do të ketë integrim për Maqedoninë.

Vetë zëvendëskryeministri për euro-integrime, Vasko Naumovski, thotë se problemet që paraqiten në rrugën e realizimit të prioriteteve të zgjerimit, janë përgjegjësi e përbashkët edhe e vendeve që duan të bëhen anëtare, por edhe institucioneve të BE-së.

“Të gjitha institucionet e BE-së, që në kompetencat e tyre kanë mundësi të jenë të kyçura në zgjidhjen e ndonjë çështjeje të hapur, janë të njohura mirë me procesin e bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes së këtij problemi bilateral, të imponuar nga Greqia. Ne do të jemi të lumtur nëse të gjitha ato do të japin kontributin e tyre për zgjidhjen e problemit”, shprehet Naumovski.
XS
SM
MD
LG