Ndërlidhjet

SHBA dhe NATO mbështesin bisedimet me talibanët


Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s thanë se i mbështesin përpjekjet e qeverisë afgane për të zhvilluar bisedime paqësore me talibanët.

Shefi i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, tha në Bruksel se aleanca është e gatshme t'i mbështesë bisedimet e mundshme paqësore me talibanët, por e përjashtoi mundësinë për ndërprerjen e operacioneve ushtarake kundër kryengritjes në Afganistan.

Rasmusen tha se përderisa forcat e prira nga NATO-ja janë të gatshme të ofrojnë "asistencë praktike" për përpjeket e pajtimit, "ne duhet t'i vazhdojmë operacionet tona ushtarake" kundër talibanëve.

Në të njëjtën konferencë për shtyp, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts dhe Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, thanë se Uashingtoni do të bëjë gjithçka që duhet për t'i mbështetur përpjekjet e presidentit afgan Hamid Karzai për t'a çuar përpara pajtimin me disa elementë të talibanëve, por pranuan se kjo është një orvatje komplekse që mund të mos ndodhë.

Gejts tha se çdo pajtim ndërmjet qeverisë afgane dhe talibanëve duhet të udhëhiqet nga afganët.

Klinton shtoi se Shtetet e Bashkuara i mbështesin ato që bëjnë afganët, por nuk janë të gatshme të bëjnë çfarëdo gjykimi se sa larg duhet të shkojnë bisedimet.

Zyrtarët afganë sot e kërkuan mbështetjen e NATO-s për hapjen e rrugës për nisma paqësore me talibanët, përfshirë ndërprerjen e operacioneve ushtarake në zonat ku mund të relizohet pajtimi.
XS
SM
MD
LG