Ndërlidhjet

Kundërthëniet për filmin e Angelina Jolie


Në Budapest kanë nisur xhirimet e para...
Në Budapest kanë nisur xhirimet e para...
Ministri i Kulturës dhe Sporteve në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës, Gavrilo Grahovac, ka anuluar xhirimet e filmit të parë të aktores holivudiane, Angeline Jolie, të cilat ishin planifikuar të bëheshin në rrethinë të Sarajevës.

Grahovac ka sjellë vendimin pas takimit me përfaqësuese dhe anëtare të shoqatës “Gratë – viktima të luftës”. Këto të fundit kanë thënë se tematika e filmit fyen ndjenjat e tyre.

Filmi i aktores Jolie flet për dashurinë në mes të një viktime dhunimi dhe dhunuesit të saj.

“Me këtë akt ne nuk mund t’i ndalojmë xhirimet që të bëhen diku tjetër. Por, nëse asgjë më shumë, mund të shprehim kundërshtimin tonë ndaj filmit, i cili nuk flet të vërtetën dhe fyen një numër të madh të viktimave”, ka thënë Grahovac.

Komuniteti i intelektualëve është tronditur nga ky vendim.

“Nëse ka të bëjë me nivelin e përmbajtjes, atëherë futemi në një zonë mjaft të rrezikshme – cili komision, cili specialist mund t’i vlerësojë përmbajtjet për të cilat nuk dimë ende”, ka thënë regjisori Srgjan Vuletiq.

Edhe drejtori i programit kulturor në televizionin shtetëror, Xhevdet Tuzliq, është shprehur mjaft kritik.

“Nuk habitem nëse pas perdes fshihet xhelozia e atyre që nuk kanë arritur të jenë pjesë e projektit. Ndërsa, ‘Gratë – viktima të luftës’ e kanë shfrytëzuar si mundësi për t’i realizuar qëllimet e tyre. Ato kanë reaguar në bazë të informacioneve jo të plota. Nuk e kanë pasur skenarin dhe nuk kanë mundur të sjellin konkluzione të drejta”,
ka thënë Tuzliq.

Artistët nuk e përjashtojnë mundësinë e manipulimeve me dhimbjet e viktimave të luftës. Vuletiq mendon se gjesti i tillë do të ndikojë edhe investimet e huaja.

“Unë nuk do të isha i lumtur po të shkeleshin të drejtat e dikujt, por në anën tjetër nuk do të doja të largoheshin investimet e huaja nga Bosnja. Nëse tani fitojmë dritën e kuqe, produksione të tjera nuk do të vijnë për kohë të gjatë”, ka thënë Vuletiq.

Jo pa hidhërim flet edhe analisti politik, Ivan Lovrenoviq.

“Ky akt është një ndërhyrje klasike burokratike e autoriteteve në fushën e artit. Kjo është më se e qartë. Nëse shihet në praktikë, ky është një gjest kundërproduktiv, sepse efekti i vetëm që prodhon është një lloj shpifjeje për Bosnjën, e cila edhe ashtu ka një epitet të tillë”, ka thënë ai.

Pas vendimit të ministrit Grahovac ka reaguar ministri i kulturës në kantonin e Sarajevës, Emir Haxhihafizbegoviq. Ai është shprehur kundër ndalesës së krijimeve artistike: do t’i lejoj xhirimet dhe le të më arrestojë policia federale!

Filmi është planifikuar të xhirohet në Bosnjë dhe në Hungari. Në Budapest kanë nisur filmimet e para. (v.t.)

* * *


Duket sikur po zhvillohet një ndeshje në mes të Bosnjës dhe Holivudit në Sarajevë, aty ku zyrtarët kanë anuluar të drejtën e filmit të Angelina Jolie, e cila këtë radhë do të bëjë rolin e regjisorit. Filmit iu anulua e drejta pas dyshimeve rreth përmbajtjes së tij.

Spekulohet se filmi portretizon një viktimë të dhunuar myslimane, e cila bie në dashuri me dhunuesin e saj serb, pas nisjes së luftës boshnjake në vitin 1992.

Lufta në Bosnjë në tërësi ka marrë jetën e 100 mijë personave, ndërsa 1.8 milionë të tjerë ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Përfaqësuesja e një grupi që merret me të drejtat e grave që janë viktima të luftës, Bakira Haseçiq, thotë të jetë alarmuar nga ajo që ka dëgjuar rreth përmbajtjes së filmit.

“Siç duket, fjala është për një ngjarje të trilluar dashurie, diçka që nuk ka ndodhur kurrë sipas 25 mijë dëshmive që kemi ne nga femrat, të cilat janë dhunuar apo abuzuar seksualisht gjatë luftës”.


“Shumica prej tyre kanë arritur që të mbijetojnë, mirëpo fatkeqësisht ka edhe të atilla që janë vrarë. Ne asnjëherë nuk kemi parë ndonjë dëshmi ku thuhet se viktima ka rënë në dashuri me torturuesin e saj”,
thotë Haseqiq

Angelina Jolie, e cila tashmë ka nisur filmimet në Hungari, përmes një komunikate, ka kërkuar që të mos gjykohet filmi derisa ta shohin atë.

Në kumtesën e saj, aktorja ndonëse ka refuzuar të tregojë përmbajtjen, ka thënë se një nga arsyet e xhirimit të filmit ishte për t’i rikujtuar njerëzit se çka ka ndodhur gjatë luftës në Bosnjë.

Derisa në Bosnjë ka njerëz që thonë se ndihen të ofenduar nga ajo që dyshohet se është përmbajtja e filmit, disa të tjerë ndalimin e filmit e quajnë censurë.

Një nga ta është edhe autorja e librit “Sikur të mos isha fare aty”, Slavenka Drakuliq.

Reaksioni im i parë është, ta quaj me emrin e duhur, censurë. Gjëja e dytë është të ndajmë të drejtën e viktimës për ndjenjat e saj, mendimet e saj, kërkesat e saj nga çështjet ligjore dhe të drejta ligjore. Në këtë rast, pra, ne kemi të bëjmë me censurë, që është e papranueshme. Ky vendim i ministrit të Kulturës është i mbështetur në thashetheme”, shprehet Drakuliq

Raportimet e mediave citojnë aktorin boshnjak, Emir Haxhihafizbegoviq, i cili është dhe përgjegjës për kulturën në Sarajevë, të ketë thënë se edhe “po ta arrestojnë, ai do ta japë të drejtën që filmi të xhirohet”.

Mirëpo, personat që merren me të drejtat e njeriut janë kërcënuar që nëse filmi verifikohet se tenton të turpërojë viktimat, atëherë ata do të bëjnë çdo gjë që është e mundur për ta ndaluar apo të paktën bojkotuar atë.

Aktorja Jolie ka bërë përpjekje të mëdha për të ruajtur autenticitetin e filmit duke angazhuar aktoren boshnjake në rolin e viktimës së dhunuar, Zana Marjanoviq, si dhe aktorin e njohur, Rade Sherbexhija, i lindur në Kroaci.

Filmi do të dalë në kinematë botërore gjatë vitit 2011, ndërsa ende nuk është titulluar. (a.h.)


XS
SM
MD
LG