Ndërlidhjet

Siguria e brishtë


Mitrovicë
Mitrovicë
Institucionet kosovare të sigurisë nuk kanë zhvilluar kapacitete të nevojshme për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës. Institucionet e sigurisë nuk kanë gatishmëri dhe mungon një vizion i duhur për marrjen e përgjegjësive në sektorin e sigurisë nga prania ndërkombëtare.

Këto janë disa nga gjetjet e raportit të fundit të publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe Forumi për Iniciativë Qytetare.

Me këtë rast është organizuar edhe një debat me temën “Sektori i sigurisë në Kosovë pas pavarësisë”, ku njohësit e çështjeve të sigurisë kanë thënë se mungesa e zbatimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, vazhdon të mbetet sfida kryesore për institucionet e vendit dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Ramadan Qehaja, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë se në vitet pavarësisë së Kosovës, çështjet e sigurisë nuk janë trajtuar me prioritet.

Kemi dobësi në zbatimin e rendit dhe ligjit, në veçanti në pjesën veriore të vendit tonë. Pse të mos themi se nuk mund të jemi të kënaqur me mbikëqyrjen parlamentare dhe demokratike të institucioneve të sigurisë?!”.

“Për shkaqe të karakterit krejt subjektiv, kemi ngecje në nevojën e reformimit të përshpejtuar të Policisë së Kosovës, si forcë kryesore e rendit dhe sigurisë së tërësishme në vendin tonë”
, ka thënë Qehaja.

Por, me këto vlerësime dhe gjetjet e raportit, nuk është pajtuar ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti. Ai ka thënë që konsideron se siguria në Kosovë është e nivelit të duhur dhe se, sipas tij, Policia e Kosovës është profesionale.

“Policia e Kosovës është profesionale, e ndërtuar në bazë të standardeve të larta dhe, si e tillë, po jep kontributin e çmuar për të ofruar siguri për qytetarët e Kosovës. Unë mendoj që në Kosovë siguri ka në çdo pjesë të vendit. Ka vështirësi - ato vështirësi e di që janë në disa pjesë dhe ato janë në veri të vendit, por nuk janë pasojë e mosfunksionimit të Policisë dhe institucioneve të sigurisë. Aty janë çështjet që më shumë kanë të bëjnë me politikën”
, tha Ahmeti.

Po ashtu, në këtë debat janë kritikuar autoritetet e rendit, duke thënë se nuk po shprehin gatishmëri për të marrë përgjegjësitë nga misionet ndërkombëtare në Kosovë, madje është thënë se nuk po bëjnë sa duhet në veri të Kosovës.

Për këtë çështje ka reaguar Alessandro Tedesco, zyrtar nga EULEX-i. Sipas Tedescos, qytetarët e Kosovës duhet të jenë krenarë për të arriturat e Policisë së Kosovës në veri.

Duhet të jemi krenarë për atë që ka arritur Policia e Kosovës në veri deri më tash, e bashkë me PK-në edhe EULEX-i. Këto janë dy institucione, të cilat veprojnë së bashku. Ne (EULEX-i), jemi këtu si partnerë të institucioneve lokale”.

“Mandati ynë këtu është shumë i qartë ose, së paku, mendojmë se është shumë i qartë - ne jemi këtu për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës, kryesisht Policinë, Doganat dhe Gjyqësorin. Është e vërtetë se ne kemi disa kompetenca ekzekutive dhe këto kompetenca duhet të pranohen nga qytetarët, si opsion mbështetës”
, është shprehur Alessandro Tedesco.

Mirëpo, eksperti Qehaja ka përmendur edhe disa ngecje të tjera të institucioneve të Kosovës në drejtim të funksionalizimit të mekanizmave të sigurisë, siç është Agjencia Kosovare për Inteligjencë dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës dhe AKI-ja nuk po zhvillohen konform kërkesave të momentit. Operacionalizimi i tyre ka shënuar ngecje”.

“Nuk ka iniciativa, nuk ka koncepte për një qasje më të theksuar drejt fillimit të sendërtimit të një ushtrie të Kosovës, sado që ajo të jetë e limituar, mungon aktiviteti i duhur në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, nepotizmit, që drejtpërdrejt po ndikojnë në sferën e sigurisë”,
ka vlerësuar Qehaja.

Ndryshe, në raportin e publikuar nga këto dy organizata thuhet se në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, siguria u bë pjesë e politikëbërjes së institucioneve vendore.

Mirëpo, rritja e përgjegjësive të institucioneve vendore, shtroi dilemat mbi vizionin dhe strategjinë që duhej ndjekur për zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve vendore të sigurisë.

Lexoni edhe këto: Kontributi i Kosovës në sigurinë rajonale
Siguria kushtëzon rindërtimin në veri
XS
SM
MD
LG