Ndërlidhjet

Shkarkohet zyrtari që deportoi binjaket kosovare nga Austria


Ministrja e Brendshme e Austrisë, Maria Fekter, ka larguar nga puna zyrtarin i cili para pak ditësh mbikqyri deportimin e binjakeve 8 vjeçare nga Austria për në Kosovë. Motrat dhe i ati i tyre u ndaluan javën e kaluar pas bastisjeve të bëra herët në mëngjes dhe më pas u deportuan për në Kosovë pasi kërkesa e tyre për azil u refuzua ndërsa ata refuzonin që të ktheheshin me vetdëshirë. Nëna e tyre, e cila po kurohet në një qendër psikiatrike, vazhdon të qëndrojë në Austri. Ky rast ka nxitur debate të shumta dhe ka dominuar për ditë të tëra në Austri.

Shtefan Shtorteki është larguar nga pozita e tij sepse deportimit të vajzave i mungonte “ndjeshmëria” dhe se nuk ishte planifikuar dhe realizuar si duhet, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme austriake, Andreas Vallner.

Ministrja e Jashtme, Fekter, po përballet me presion të shtuar për lejimin e familjeve që janë mirë të integruara për të qëndruar në Austri për arsye humanitare, edhe nëse këto familje nuk plotësojnë kushtet për azil.

Organizata “Delja Vjollcë”, që lufton për të drejtat e familjeve të deportuara dhe shumë të tjerëve në situatë të njejtë, e ka mirëpritur vendimin e Fekterit për largimin nga puna të zyrtarit që realizoi deportimin e vajzave binjake kosovare. Përmes një deklarate, ky grup tha se “Në Austri nuk kalon pa u vërejtur që ministrat të pranojnë gabimet dhe të sillen si duhet.”

Ndërkaq, Michael Landau, nga organizata bëmirëse, Karitas, ka kërkuar edhe më shumë ndryshime sa i përket kësaj çështjeje.
XS
SM
MD
LG