Ndërlidhjet

Rritet numri i personave me çrregullime mendore


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Numri i personave që kërkojnë ndihmë lidhur me shëndetin mendor është çdo ditë në rritje, thonë ekspertët e kësaj fushe. Mirëpo, shëndeti mendor në Kosovë sipas neuropsikiatërve nuk trajtohet ashtu si duhet.

Gani Shabani, zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se vetëm 3 për qind e buxhetit nga kjo ministri ndahet për shëndetin mendor, gjë që, siç thotë ai, është e pamjaftueshme.

”Në vitet e fundit është në rritje numri i personave me çrregullime mendore, e sidomos në moshën adoleshente. Është bërë plani strategjik 2008-2013 dhe janë duke u formuar grupe për shkaqe të vetëvrasjeve, sepse numri i vetëvrasjeve është në rritje”,
thotë Shabani.

Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thotë se me përkrahjen e OBSH-së, janë bërë hapa pozitivë të rëndësishëm në drejtim të fuqizimit të këtyre shërbimeve.

”Ne kemi të krijuara shërbime të reja të shëndetit mendor, të bazuara në bashkësi që janë shumë më afër klientëve dhe janë krijuar kuadro të reja si psikolog e psikiatër. Problemet e sferave të shëndetit mendor janë në rritje në nivelin global, por edhe në nivel të shtetit”
, sqaron Syla.

Arsyeja e rritjes së numrit të personave me çrregullime mendore, thotë Syla, është edhe gjendja socio-ekonomike, papunësia, shkalla e lartë e varfërisë. Prandaj, sipas Sylës, Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria, duhet të alokojnë mjete shtesë për këto shërbime.

Ndërkaq, neuropsikiatri Fahri Devinja, thotë se në Qendrën Klinike Universitare çdo ditë trajtohen rreth 80 raste të personave me probleme të shëndetit mendor.

Sipas Devinjës, kjo është mjaft shqetësuese dhe rritja e numrit të personave me çrregullime mendore, ka rritur edhe numrin e vetëvrasjeve në Kosovë viteve të fundit.

”Në Klinikën e Psikiatrisë ne ofrojmë shërbime, por kemi jashtëzakonisht shumë kërkesa nga pacientët për t’iu dalë në ndihmë. Kemi rreth 80 persona në ditë që kërkojnë ndihmë në klinikën tonë. Fatkeqësisht, kërkesat janë duke u shtuar, sidomos depresioni. Unë bëj apel që të shtohet numri i profesionistëve, psikologëve, punëtorëve socialë, atyre psiko-socialë që merren me shëndetin mendor”,
shprehet Devinja.

Ndërkaq, Xhemajl Dana, neuropsikiatër dhe drejtor i spitalit rajonal të Prizrenit, thotë se bashkëpunimi me institucionet përkatëse lidhur me shëndetin mendor, është shumë i mangët. Sipas tij, vërehet pakënaqësi edhe te pacientët dhe kjo nuk i kontribuon parandalimit lidhur me këtë fenomen.

”Planet strategjike Ministria e Shëndetësisë i ka të rregulluara në letër shumë mirë, por sa i aplikojnë ato, mbetet me tri pika, nuk jemi të kënaqur aspak”,
thekson Dana.

Edhe organet e rendit çdo ditë përballen me njerëz me këtë fenomen. Sipas Isak Ejupit, zyrtar në Shërbimin Policor të Kosovës, njerëzit që kanë çrregullime mendore kanë ndërlidhje të drejtpërdrejt me sigurinë e vendit, sepse janë shkaktarë të ndryshëm të incidenteve apo aksidenteve.

”Njerëzit me çrregullime mendore i drejtojmë në institucionet adekuate, por nuk janë të mjaftueshme qendrat e tilla dhe mendoj se Qeveria duhet të mendojë që kjo kategori të njerëzve të trajtohet në mënyrë më adekuate”
, thotë Ejupi.

Sidoqoftë, Ministria e Shëndetësisë nuk ka regjistër të saktë se sa njerëz me çrregullime mendore janë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG