Ndërlidhjet

ICO: Tërheqja e LDK-së, proces normal


Prishtinë

Prishtinë

Zyra Civile Ndërkombëtare e ka quajtur proces normal, tërheqjen e LDK-së nga koalicioni, ndërkohë që ka kërkuar nga partitë politike ta respektojnë Kushtetutën. Derisa PDK-ja ka kërkuar menjëherë zgjedhje të jashtëzakonshme, analistët thonë se nëse respektohet Kushtetuta data e zgjedhjeve të parakohshme nuk duhet të ndryshohet.


Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO), e ka quajtur proces normal vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të dalë nga koalicioni.

“Ky është një proces i partive politike, që mund të ngjajë në vendet normale demokratike. Ne inkurajojmë të gjitha partitë politike që të procedojnë në përputhje me Kushtetutën dhe në interes të popullit të Kosovës”,
i ka thënë Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i ICO-s, Kai Muller Berner.

ICO-ja, e cila mbikëqyr respektimin e Kushtetutës dhe Pakos Ahtisari, u ka bërë thirrje institucioneve që të mos e ndërpresin punën që kanë përpara.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka lënë koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës, duke hapur dilema nëse do të shkohet tani me zgjedhjet e parakohshme të caktuara për 13 shkurt, apo me zgjedhje të jashtëzakonshme, siç u kërkuan menjëherë nga PDK-ja e kryeministrit Thaçi.

Profesori në Fakultetin Juridik të Prishtinës, Ismet Salihu, ka thënë se tashmë ekzistojnë dy mundësi para mekanizmave vendimmarrës.

“Sipas Kushtetutës së Kosovës, tani janë dy mundësi: ose të shkohet në zgjedhje të parakohshme, ose në zgjedhje të jashtëzakonshme. Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të organizohen brenda 45 ditëve, ndërsa zgjedhjet e parakohshme mbesin ashtu siç janë shpallë tashmë
”, ka thënë Salihu.

Një ditë më parë, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, shpalli 13 shkurtin si datë të zgjedhjeve të parakohshme.

Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e presidentit Fatmir Sejdiut, për të cilin Gjykata Kushtetuese deklaroi se e ka shkelur Kushtetutën duke mbajtur dhe postin e kryetarit të LDK-së.

Krenar Gashi nga Instituti KIPRED, ka thënë se nëse respektohet Kushtetuta, atëherë nuk ka nevojë të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, pasi koha e mbajtjes së tyre do të jetë e njëjtë me zgjedhjet e 13 shkurtit.

Konsideroj se nuk ka hapësirë për zgjedhje të jashtëzakonshme, përpos këtyre zgjedhjeve, që, tashmë janë caktuar të mbahen me datën 13 shkurt. Kushtetuta, në mënyrë eksplicite thotë se duhet pritur dy muaj dhe vetëm nëse dy muaj pasi që nuk ka një mandat të një qeverie në Parlament, Parlamenti shpërbëhet”.

“Pas shpërbërjes së Parlamentit, brenda 45 ditëve duhet të organizohen zgjedhjet. Pra, ky tajming që e determinon Kushtetuta, është shumë i ngjashëm me tajmingun e zgjedhjeve që tashmë janë caktuar, andaj nuk kemi nevojë që të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme”,
është shprehur Gashi.

Por, që vendi të mos mbetet pa qeveri funksionale deri në zgjedhjet e ardhshme, ekzistojnë formula të ndryshme që janë përdorur nëpër demokraci të vendeve në botë. Ndër to janë qeveria teknike apo edhe qeveria e pakicës.

Krenar Gashi shpjegon:

“Vendet e ndryshme në kriza të tilla kanë aplikuar metoda të ndryshme. Mund të jetë si shembull që shumica në parlament të votojë që brenda kësaj periudhe të caktuar të qeverisë vetëm njëra parti, ani pse jo domosdoshmërisht i ka votat në parlament. Ose mund të gjendet zgjidhje tjetër brenda kornizës së demokracisë parlamentare”.


Në bazë të Kushtetutës, zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen jo më vonë se dyzet e pesë ditë pas shpërndarjes së Kuvendit, ndërsa Kuvendi shpërndahet “nëse për të votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve”.

Kuvendi, gjithashtu, mund të shpërndahet nga presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.
XS
SM
MD
LG