Ndërlidhjet

Presioni rus ndaj sportit kosovar


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Federata Evropiane e Hendbollit i është nënshtruar presionit politik të Federatës Ruse të Hendbollit, në dëm të zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare në Kosovë, vlerësojnë përfaqësuesit e Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Këto reagime vijnë pasi që Federata evropiane ka vendosur që ndeshja në mes të skuadrës henbollistike të femrave “Prishtina”, nga Kosova dhe “Kuban Krasnodar”, nga Rusia, e cila është në kuadër të kupave evropiane, të zhvillohet në terren neutral.


Ndeshja ndërmjet skuadrës henbollistike të femrave “Prishtina”, nga Kosova dhe “Kuban Krasnodar”, nga Rusia, e cila ishte paralajmëruar të luhej të shtunën në Prishtinë, është shtyrë për javën e ardhshme dhe nuk do të luhet në Kosovë, njoftojnë përfaqësuesit e Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Ata bëjnë të ditur se me vendimin e Federatës Evropiane të Hendbollit, kjo ndeshje, si dhe ajo kthyese, që duhet të zhvillohen në kuadër të kupave evropiane, do të luhet në terren neutral, në kryeqytetin e Maqedonisë, në Shkup.

Izet Gjinovci, sekretar i Federatës së Hendbollit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndeshjet do të zhvillohen më 23 dhe 24 tetor. Por, vendimin që këto ndeshje të luhen në Shkup, ai e quan kryekëput të ndikuar politikisht.

“Duke e ditur problematikën që e ka Kosova me Rusinë, ngase shteti rus nuk e njeh atë, Federata Evropiane (e hendbollit) i ka dërguar një shkresë zyrtare klubit ‘Prishtina’, Federatës së Hendbollit të Kosovës, Federatës së Hendbollit të Rusisë dhe klubit ‘Kuban Krasnador’, se ndeshja duhet të zhvillohet në Shkup, me datën 23 dhe 24 tetor”.

“Ky është kryekëput ndikim politik, sepse në bazë të rregullave, ndeshjet e kupave të Evropës, për edicionin e garave 2010- 2011, njëra ndeshje është dashur të zhvillohet në Prishtinë, kurse e dyta (ndeshja e kthimit) në Rusi”
, thotë Gjinovci.

Në anën tjetër, kohë më parë, Federata Ruse e Hendbollit kishte kundërshtuar që të luajë në Kosovë dhe, gjithashtu, edhe të pranojë që skuadrat kosovare të luajnë në Rusi.

Ndryshe, sipas rregullave të Federatës Evropiane të Hendbollit, në ndeshjet e karakterit ndërkombëtar, skuadrat nikoqire janë të obliguara që t’u sigurojnë skuadrave mysafire vizat për hyrjen në shtetin e tyre.

Drejtuesit e Federatës së Hendbollit të Kosovës deklarojnë se nga ana e tyre i kanë përmbushur kushtet e parapara sipas rregullores së Federatës Evropiane të Hendbollit.

Ngjashëm deklarojnë edhe zyrtarët e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit. Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit në kuadër të kësaj ministrie, thotë se në rastin konkret politika e ka cenuar sportin.

“Ka qenë një organizim që është bërë në mes të Ministrisë, Federatës dhe Klubit, që të jetë një organizim i mirëfilltë, ku do të kishte masa sigurie. Ne i kemi siguruar pjesëmarrësit nga Rusia se do të kenë sigurinë e nivelit më të lartë të mundshëm, që të marrin pjesë në këtë garë”.

“Patjetër që ky është një lloj cenimi, sepse po të mohohet vendi ku duhet të luhet loja dhe të mohohet e drejta e ndeshjes. Ky është një cenim i drejtpërdrejtë politik, ku Rusia ka qenë më e fuqishme se Federata Evropiane e Hendbollit, që ta zhvillojë ndeshjen në një vend neutral”
, pohon Alaj.

Edhe Gjinovci vlerëson se Federata Evropiane e Hendbollit i është nënshtruar presionit politik nga Rusia, në dëm të ekipit kosovar.

Megjithëkëtë, sipas Gjinovcit, Federata e Hendbollit të Kosovës dhe klubi “Prishtina, kanë vendosur që takimi në Shkup me klubin “Kuban Krasnodar” të zhvillohet.

“Federata e Hendbollit të Kosovës, e cila është duke u përpjekur të anëtarësohet me të drejta të plota (në FEH), nuk i ka lejuar vetes atë komoditet që të mos e zhvillojë ndeshjen, sepse kjo do të ishte ndoshta një antipropagandë për ne si Kosovë. Kjo do të ishte marrë si pretekst, kinse kosovarët nuk i zhvillojnë ndeshjet”.

“Mirëpo, me një shkresë zyrtare ia kemi bërë të ditur Federatës Evropiane, se këto janë lojëra politike dhe se Federata Evropiane nuk është institucion politik, por institucion sportiv
”, thekson Gjinovci.

Sido që të jetë, Alaj ka nënvizuar faktin se rasti i takimit ndërmjet ekipit hendbollistik kosovar të femrave dhe atij rus, është vetëm një shembull se me çfarë bllokadash politike po përballen sportet e Kosovës në përgjithësi, për të depërtuar në arenën ndërkombëtare.

“Sportin kosovar është duke e penguar politika e jashtme e Serbisë në njërën anë, dhe e përkrahin Rusia dhe Kina, të cilat po ndikojnë në vendim-marrje të federatave gjegjëse që kosovarët të mos jenë pjesë e federatave ndërkombëtare në kampionatet botërore, evropiane si dhe lojërat olimpike”.

“E dimë që edhe në statuset e federatave shkruan decidivisht, që politika të mos ndërhyjë në organizatat që udhëheqin sportet, për shkak që të mos ketë ndikime politike në zhvillimin e sporteve”
, shprehet Alaj.

Sidoqoftë, Federata e Hendbollit të Kosovës, është një nga federatat e pakta kosovare të sporteve, sidomos atyre kolektive, e cila është pranuar në federatën gjegjëse evropiane, por me të drejta të kushtëzuara.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG