Ndërlidhjet

AAK kërkon respektimin e 13 shkurtit


AAK
AAK

Mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk është mënyra e vetme për dalje nga kriza aktuale institucionale, vlerësojnë përfaqësues të partive opozitare dhe njohës të rrethanave politike në Kosovë. Ata thonë se Kushtetuta e Kosovës përcakton disa procedura, respektimi i të cilave do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 13 shkurt të vitit të ardhshëm.


Opozita kosovare dhe analistët politikë në Prishtinë thonë se dalja e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës nuk e çon vendin doemos në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kriza e thellë institucionale që, siç thonë ata, është shkaktuar nga ky veprim, mund të tejkalohet duke mos ndryshuar datën tashmë të shpallur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme - 13 shkurti i 2011-s.

Përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës theksojnë rëndësinë për respektimin e datës së shpallur për zgjedhjet e parakohshme.

Në një konferencë për shtyp, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, vlerëson se mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme do të ishte teknikisht e pamundur dhe se do të linte hapësirë për manipulime me vota. Megjithatë, Gjini thotë se AAK-ja nuk do të tërhiqej nga gara elektorale kurdo që të nisë ajo.

“Aleanca mendon se, nëse do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme do të jetë tepër vështirë, për të mos thënë e pamundur, që ato zgjedhje të jenë të përgatitura mirë, të lira dhe të ndershme”.

“Kjo assesi nuk nënkupton që Aleanca nuk e ka të gatshme ofertën për qytetarin e Kosovës, që t’i largojë këta njerëz nga pushteti dhe që ta ndërtojë një pushtet të mirë që do t’i shërbejë popullit”
, thotë Gjini.

Ditë më parë, zyrtarë të PDK-së e thanë se opsioni më i mirë për dalje nga kriza institucionale, do të ishte mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Mirëpo, në AAK thonë se ka mënyra të tjera të përcaktuara edhe me Kushtetutën e Kosovës.

Analisti Halil Matoshi thotë se bazuar në Kushtetutën e Kosovës, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, do të duhej t’ia kthente mandatin kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, për krijimin e një qeverie teknike që do t’i përgatiste zgjedhjet për shkurtin e vitit të ardhshëm.

Po qe se qeveria teknike e Thaçit nuk do të fitonte 2/3 e votave të deputetëve, mandati për krijimin e një qeverie teknike, sipas Matoshit, do të duhej t’i jepej partisë së dytë më të madhe në Kosovë - Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Po qe se asnjë përbërje e re e një qeverie teknike e LDK-së nuk do të kalonte me 2/3-tat, atëherë kryetari i Kuvendit, përkatësisht kryetari i Republikës në detyrë, do të duhej që ta shpërbënte Kuvendin dhe të shkonte tek atëherë në zgjedhje të jashtëzakonshme”
, vlerëson Matoshi.

Opsioni për të hyrë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, hidhet poshtë nga AAK-ja. Nënkryetari Ardian Gjini shpjegon:

“Realisht jo, janë çështje principiele. Ne nuk guxojmë të shndërrohemi në atë që e mbështet apo, në çfarëdo mënyre e mban në pushtet një pushtet jopopullor, një pushtet, i cili është kundër interesave të vendit”.


Ndërkohë, zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë kanë bërë të ditur se pavarësisht zhvillimeve, 13 shkurti i vitit të ardhshëm do të mbetet njëherë për njëherë data valide për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
XS
SM
MD
LG