Ndërlidhjet

Sejdiu: Nuk preferoj zgjedhje të jashtëzakonshme


Fatmir Sejdiu

Fatmir Sejdiu

Për një qasje të tillë (zgjedhje të jashtëzakonshme), që unë nuk do ta preferoja absolutisht, duhen konsultimet, thotë për Radion Evropa e Lirë, Fatmir Sejdiu, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sejdiu, vendimi për të dalë nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike, e ka vënë Kosovën përpara një sfide jo të vogël. Cilat janë shkaqet që kanë nxitur marrjen e një vendimi të këtillë?


FATMIR SEJDIU

Realisht është një sfidë, por është një sfidë që lidhet me proceset demokratike që ndodhin në një vend dhe unë them që nuk është përmbysur, siç thuhet nganjëherë, dynjaja, nëse do të ketë tërheqje të një partneri nga koalicioni për arsye që ai i gjen.

Mendoj se do të jetë, po ashtu, gatishmëria e mëtejshme e atij vetë për të qenë partner, flas, i përgjithshëm në Parlamentin e vendit, për të përcjellë apo për të dhënë mbështetjen e arsyeshme në proceset tjera të rëndësishme.

Arsyet mund të jenë të shumta, do të thosha, por unë do të lidhja së fundi debatin që ka qenë në Parlamentin e Republikës - qasjen iracionale që ka pasur partneri i koalicionit, përkatësisht Partia Demokratike, duke mos denjuar që të ketë një komunikim të nevojshëm dhe, të them, të partneritetit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Po ashtu, do të thosha edhe me subjektet tjera politike, po në këtë rast është fjala për Lidhjen Demokratike të Kosovës për të nxjerrë një projekt apo një propozim të pjekur para Parlamentit, në mënyrë që të marrë mbështetjen e përgjithshme.

Unë duhet të them se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka qenë, as s’do të jetë asnjëherë kundër procesit të privatizimit, sepse fundamentalisht, në konceptin e saj e ka transformimin e ekonomisë dhe përputhjen e saj me ligjet bashkëkohëse të ekonomisë së tregut dhe në këtë kuadër lidhet edhe me vetë PTK-në.

Prandaj, ideja jonë ka qenë që kjo të debatohet mirë, në kuptimin e pjekjes së propozimit dhe, natyrisht që në finale të jetë një mbështetje e përgjithshme që realisht do të fuqizonte vetë projektin dhe paralelisht unë them që vetë ajo mënyrë e nxitimit për të konstatuar se është votuar në Parlament, se është vendim valid dhe çështje që janë parë në opinion, në njëfarë mënyre ishte thjesht një shkëputje nga realiteti.

Në këtë kuadër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur qëndrimin e vet se nuk mund të jetë partnere në ecjet e mëtejshme në një situatë të tillë ku realisht ishte një qasje imponuese – një qasje që dëshironte thjesht të prezantojë, po e quajmë, neglizhencën, mbase në termin më butë, e të gjithë të tjerëve, ndoshta në këtë rast edhe të LDK-së dhe një përpjekje e kapërcimit në deriçkë pa votat e mjaftueshme dhe pa respektuar procedurat e Kuvendit. Në këtë kuadër unë them se janë bërë kërkesa disa herë.

E dini edhe më herët ka qenë propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës që të shtyhet kjo temë për një debat të mëvonshëm, duke pasur gjithmonë intencën që të debatohet më thellë dhe, e dyta, edhe në ditën e bisedave, apo në ditën e premte, prapë ka qenë e njëjta kërkesë që është shtruar, jo për të prolonguar procesin, por për të dhënë thjesht fjalën e fundit meritore.

Fundja, e di se ekziston një qasje se jo kjo ka kaluar në Qeveri; Qeveria kalon në projektet e veta, mirëpo projektet duhet të miratohen në Kuvend - pra, edhe me ligjet, edhe me këtë projekt që ka të bëjë me interesat e vendit. Në këtë kuadër, unë them se duhet të gjenden rrugë të mëtejshme dhe unë mendoj se vendi, fundi i fundit, nuk është në krizë institucionale.

Kanë ndodhur disa zhvillime që nuk i kemi dashur - s’do ta lidhja asnjëherë çështjen me kohën kur unë kam pasur postin e presidentit të vendit dhe kam respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse realisht them se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka qenë i drejtë, por s’dua t’i komentoj fare dhe të kthehem.

Mirëpo, këto janë momente që, në njëfarë mënyre, i kanë ftohur raportet mes dy partnerëve, por unë s’them se kanë ftohur proceset demokratike që duhet të zhvillohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Partia juaj është akuzuar nga partneri i deridjeshëm se ka vënë Kosovën në krizë institucionale, duke u bazuar në, siç është thënë, interesa të ngushta partiake. Si do t’u përgjigjeshit këtyre akuzave?


FATMIR SEJDIU

Jo, unë s’them se ne e kemi vënë vendin në krizë institucionale. Sa kam dëgjuar në deklaratat që kanë dhënë edhe më herët dhe në forma të ndryshme, është konstatuar paralelisht se nuk është krizë institucionale dhe se kjo do të kalohet, do të kapërcehet.

Ka mekanizma kushtetues që duhet të vihen në efiçiencë dhe mendoj se në këtë kuadër, tash në këtë aktualitet, themi këto ditë, do të jetë një qeveri siç quhet gjithmonë e minorancës; kryeministri Thaçi ka mundësinë ta kompletojë këtë Qeveri, por ka edhe rrugë të tjera, të cilat mund të jenë në pjesën e respektit të drejtpërdrejtë që lidhet me formulat kushtetuese.

Prandaj, dëshirë e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk është që të vihet vendi në një krizë; unë thashë se atë ditë, kur është marrë vendimi, është marrë vendimi edhe në një pikë të veçantë: se LDK-ja do të jetë kontribuuese dhe shumë e përgjegjshme në procese shumë të rëndësishme për Kosovën.

Pra, ne nuk e kemi lëshuar Parlamentin, që është vendi më respektabël në kuptimin e prezantimit të opinioneve edhe të qëndrimit, po të themi edhe të vendimmarrjes për procese të rëndësishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë se vendimi për dalje nga koalicioni ka qenë unanim. Megjithatë, disa anëtarë të Kryesisë së partisë suaj, kanë shprehur haptazi kundërshtimin e tyre në këtë drejtim. Si e shpjegoni ju këtë?


FATMIR SEJDIU

Unë them që ka qenë unanim. Absolutisht është e pavërtetë ajo që thuhet pas daljes nga mbledhja - e di që një anëtar i Kryesisë, është fjala për zotin Haraçija, që s’do të merrem me komentet e tij personale në kuptimin se, fundi i fundit, mund të japë, por ajo që është bërë brenda në tubimin e Kryesisë së LDK-së, me gjithë ata që kanë qenë prezentë, se ftesa ka qenë për të gjithë, dhe nuk ka qenë tubim i fshehtë, nuk ka qenë tubim i mesnatës, por ka qenë tubim legal i një institucioni apo i një subjekti politik dhe vendimi ka qenë absolutisht unanim.

Asnjë anëtar i Kryesisë nuk ka pasur qëndrim tjetër - këtë e them me përgjegjësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë mundësitë që Kosova ka, në pajtueshmëri me Kushtetutën, për të dalë nga kjo situatë?


FATMIR SEJDIU

Janë disa rrugë që mund të përfillen dhe janë procese normale. Unë them se kjo qeveri në këtë kuadër, bashkë me kryeministrin Thaçi mund ta vazhdojë punën.

Për ne është me rëndësi se do të jemi në rolin tonë, flas në prezencën e Grupit Parlamentar, me deputetë që ka në Parlamentin e Republikës dhe natyrisht nuk do të jemi subjekt politik apo parti politike që do të përpiqet ta trazojë qasjen apo punën e Qeverisë, në kuptimin për ta destabilizuar jetën institucionale absolutisht.

Natyrisht se gjithmonë është liri dhe e drejtë e çdo subjekti politik që të japë mendimet e veta për procese të caktuara. Prandaj, edhe në kuadër të kësaj që ka ndodhur, unë them se ka rrugë.

Rrugët janë normale, unë s’do të bëj tash krahasime për të thënë se ndodh kësisoj dhe kësisoj ta zëmë në vendet edhe përreth, por edhe në vendet e rajonit.

Kini parasysh për shembull ku kemi një mesatare po e marrim në një nga shtetet demokratike të botës, republika italiane, se sa ndryshime kanë ndodhur në Qeveri, forma të caktuara të veprimeve që janë bërë, por gjithmonë mbi bazë të Kushtetutës dhe s’duhet të ketë hidhërime.

Në këtë kuadër, unë them se s’duhet të ketë qasje të hidhërimit dhe s’duhet të ketë një qasje që mund të fusë thjesht ndjenjën e reagimit negativ edhe te qytetarët, sepse, fundja, janë procese që parashihen në normat kushtetuese dhe ato duhet të respektohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni ju, si LDK, se duhet të mbahen zgjedhjet parlamentare? Favorizoni zgjedhjet e jashtëzakonshme apo ato që janë përcaktuar nga presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, për datën 13 shkurt?

FATMIR SEJDIU
Ne kemi dhënë idenë tonë, e kemi prezantuar në konsultat që ka zhvilluar kryetari i Parlamenti, përkatësisht ushtruesi i detyrës së presidentit të vendit dhe jemi sjellë në fer-play, në kuadër të asaj që është preferencë kushtetuese se zgjedhjet e parakohshme s’mund të jenë më herët se 4 muaj dhe jo më vonë se 6 muaj.

Natyrisht, janë bërë konsultat edhe me partitë tjera politike dhe kryetari i Parlamentit, përkatësisht ushtruesi i detyrës së presidentit ka marrë këtë vendim.

Ne s’duhet të jemi cikërrimtarë tash, për momentin, se fundja është cenuar edhe ajo pjesa me pak ditë e idesë së 4-muajshit që kapërcen, domethënë është pak më e shpejtë, por pavarësisht prej kësaj, them se ideja e jonë ka qenë që këto të organizohen eventualisht në fillim të marsit, ose në fund të shkurtit.

Dhe, këtu po ashtu kemi thënë se nuk do të jetë ndonjë problem i madh që të jetë një javë më vonë, për shembull kemi aluduar në 20 shkurtin, që do të ishte një datë e përshtatshme për përgatitje të mira.

Gjithmonë qëllimi ynë themelor është që ky proces zgjedhor të jetë i përgatitur mirë, të jetë i barabartë si shans për të gjitha partitë politike - edhe ato që janë në Parlament, edhe ato që janë jashtë Parlamentit dhe pretendojnë që të hyjnë në Parlament, dhe paralelisht që të jetë një kohë e bollshme për përgatitjen e infrastrukturës ligjore apo ndryshimet eventuale që duhet të jenë në ligjin mbi zgjedhjet, për arsye se ka shumëçka që është evidentuar që nuk është në rregull.

Një gjë që dua të them dhe është insistim i veçantë imi, është që të kemi një monitorim të rëndësishëm ndërkombëtar, nga Bashkimi Evropian në këtë rast.

Besoj se edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ketë një prezencë në formën çfarë ato e mendojnë, ta zëmë të ndonjë fondacioni, apo nuk e di cila mund të jetë rruga. Për shembull, në zgjedhjet e kaluara kemi pasur diçka të ngjashme, që kjo pjesë e monitorimit të jetë një garanci e rëndësishme, edhe për të parë, siç do të thosha unë, gjithmonë ecjen tonë dhe pjekurinë tonë politike, por të njëjtën kohë edhe për të qenë dëshmitarë të proceseve për mbarëvajtjen e këtij procesi në rrugën më të mirë.

Prandaj, thirrja jonë është që vërtet të bëhet një gjë e tillë dhe paralelisht që krejt kjo të sillet në suaza të një normaliteti në kuptimin e respektimit të normës ligjore dhe të Kushtetutës.


RADIO EVROPA E LIRË
Analistët thonë se për të dalë nga kjo gjendje, mund të ketë edhe zgjedhje të jashtëzakonshme?


FATMIR SEJDIU

Them gjithmonë se janë rrugët kushtetuese; unë nuk them për rrugë që janë jashtë procesit të një rrjedhe normale që mund të jetë dhe, natyrisht se në këtë kuadër dhe për një qasje të tillë që unë nuk do ta preferoja absolutisht, janë të nevojshme konsultimet.

Mendoj se në një situatë ku ne jemi, kjo që është dhënë si ide e zgjedhjeve të parakohshme, sa shoh edhe nga reagimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, edhe të subjekteve tjera politike, do të jetë një kohë që do të jetë e bollshme për t’i bërë këto përgatitje si duhet.

Nuk është për të shkuar këmbë e në krye, siç thotë populli, për të bërë një proces sa për të bërë, por unë them për të bërë një proces që nuk prish punë që të jenë ato pak javë më vonë, por të jetë në një kohë të përshtatshme ashtu siç është dhënë edhe preferenca e kryetarit të Parlamentit, përkatësisht ushtruesit të detyrës së presidentit të vendit.


RADIO EVROPA E LIRË
Pra, ju mendoni që nuk do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme?


FATMIR SEJDIU
Unë them që të përfillet rruga kushtetuese gjithmonë, në këtë procese dhe për ne është me rëndësi që kjo rrugë të jetë e pajtueshme, në kuptimin e pajtueshmërisë së saj me normat juridike në fuqi, përkatësisht me Kushtetutën e vendit.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG