Ndërlidhjet

Çeçeni: Militantët sulmojnë Parlamentin

  • RFE /RL

Grozni, 19 tetor 2010.

Grozni, 19 tetor 2010.

Të paktën gjashtë njerëz kanë humbur jetën dhe disa janë plagosur në sulmin e kryengritësve në ndërtesën e Parlamentit të Çeçenisë.

Ministri i Brendshëm i Rusisë, Rashid Nurgaliev, i cili ndodhej për vizitë në kryeqytetin çeçen Grozni, tha se sulmi ishte zmbrapsur dhe sulmuesit ishin vrarë.

“Në orën 8:45, mëngjesin e sotëm, militantët bënë një përpjekje për të hyrë në ndërtesën e Parlamentit. Si zakonisht, ata dështuan. Ata u penguan nga policia. Si pasojë e kësaj, militantët u asgjësuan”, tha Nurgaliev.

Mediat ruse raportuan se të paktën një sulmues vetëvrasës e hodhi veten në erë para ndërtesës së Parlamentit, ndërsa dy persona të armatosur u vranë në shkëmbim zjarrin me forcat e sigurisë.

Të paktën dy oficerë policie dhe një zyrtar i Parlamentit raportohet se janë vrarë. Policia tha se 17 njerëz të tjerë u plagosën në incident, përfshirë 11 civilë.

Presidenti i Çeçenisë, Ramzan Kadirov, i tha agjencisë Interfax se operacioni për vrasjen e militantëve zgjati 20 minuta. Ai tha se deputetët që ishin në Parlament, në kohën e sulmit u dërguan në vend të sigurt.

Igor Danilov, anëtar i një delegacioni nga rajoni Sverdlovsk, i cili qëndron për vizitë në Çeçeni, ishte brenda ndërtesës së Parlamentit në kohën e sulmit.

“Parlamenti filloi të qëllohet me armë automatike dhe granata-hedhës. Siguria e Parlamentit u kundërpërgjigj dhe filloi një betejë e vërtetë. Ne menjëherë u larguam nga zyrat tona, qëndruam larg dritareve dhe u mblodhëm në korridor. Pastaj u evakuuam nga forcat speciale”, i tha Danilov Radios Evropa e Lirë.



Autoritetet federale nuk vonuan ta paraqesin incidentin si sukses për forcat pro-ruse në këtë republikë.

Nurgaliev i lëvdoi forcat e policisë lokale për reagimin e shpejtë të tyre dhe theksoi se sulmet e tilla ishin “tejet të rralla” në Çeçeni, të cilën ai e përshkroi si “të sigurt dhe stabile”.

Analisti çeçen, Timur Muzajev, i tha Radios Evropa e Lirë se sulmi kishte për synim t’i sfidojë pohimet e Kadirovit, se kryengritësit janë çrrënjosur nga Çeçenia.

“Ishte një operacion që duhej të demonstrojë fuqinë, ndikimin dhe aftësinë kryengritësve për t’i goditur autoritetet pro-ruse në Kaukaz, përfshirë ato në Çeçeni”, tha Muzajev.

Ai pohoi se përkundër viktimave, sulmi mund të ishte shumë më shkatërrimtar.

“Gjykuar sipas raporteve të para që vijnë nga Grozni, organizatorët kanë planifikuar t’i marrin peng deputetët dhe të hyjnë në negociata me autoritetet apo me qeverinë e Kadirovit”, tha Muzajev.

Moska ka zhvilluar dy luftëra në vitet e 1990-ta me separatistët në Çeçeni, e cila është pjesë e rajonit të Kaukazit.

Megjithëse Kremlini ka shpallur fitore në betejat me kryengritësit çeçenë dhe përkundër sundimit të hekurt të Kadirovit, Çeçenia ka qenë arenë e një vale të sulmeve dhe shpërthimeve në muajt e fundit.

Në gusht, të paktën 12 njerëz e humbën jetën në shkëmbim-zjarrin ndërmjet forcave të Kadirovit dhe kryengritësve në fshatin e tij të lindjes, Centoroi.

Trazirat janë përhapur edhe në zonat tjera të Kaukazit Verior, si Dagestani dhe Ingushetia.

Në mars, sulmet e dyfishta vetëvrasëse me bomba në Moskë, që i kryen dy gra nga Dagestani, lanë 40 të vrarë dhe më shumë se 100 të plagosur. (v.p.)
XS
SM
MD
LG