Ndërlidhjet

Sarkozi: Reformat do të vazhdojnë, përkundër protestave


Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ka thënë se reformat pensionale do të vazhdojnë, përkundër grevave në mbarë Francën.

Gjatë konferencës për shtyp me presidentin rus, Dmitri Medvedev dhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në Dovill të Francës, zoti Sarkozi theksoi se reformat, që parashohin rritjen e moshës për dalje në pension prej 60, sa është tash, në 62 vjet, janë esenciale për uljen e deficitit.

“Kjo reformë është shtyrë për një kohë të gjatë dhe nuk mund të shtyhet mëtutje. Përse? Pasi pensionet e sotme dhe ato të së nesërmes, duhet të paguhen. Në Francë janë 15 milionë pensionistë; ndërsa në këto çaste derisa po flas, pensionet e 1.5 milionë njerëzve po paguhen nga kreditë bankare. Kjo situatë nuk mund të zgjasë”, tha Sarkozi.

Grevat e kanë shkatërruar trafikun ajror dhe hekurudhor dhe i kanë dëmtuar rëndë shërbimet publike, ndërsa qindra pompa të benziënës tashmë kanë mbetur pa karburante, për shkak të bllokadës në rafineritë e naftës.

Sot më herët gjatë ditës, policia në Paris përdori gaz lotësjellës kundër studentëve, që kishin gjuajtur gurë dhe e kishin ndezur një automobil.
XS
SM
MD
LG