Ndërlidhjet

logo-print

Buxheti 2011, sfidë për Kosovën


Ligjvënësit kosovarë

Ligjvënësit kosovarë

Pas zhvillimeve të fundit politike në vend, ekspertët e çështjeve ekonomike kërkojnë nga faktori politik që të gjejë forcë dhe të miratojë buxhetin për vitin 2011. Në të kundërtën, thonë ata, do të krijohet një boshllëk i madh në vend. Por, ligjvënësit kosovarë shprehin bindjen se zhvillimet e fundit nuk do të ndikojnë në këtë çështje.

Ekspertët e çështjeve ekonomike thonë se Kosovës i duhet buxheti i miratuar për vitin 2011. Ata thonë se, përkundër zhvillimeve të fundit politike në vend, faktori politik duhet të arrijë konsensus dhe të dalë nga kjo gjendje e krijuar.

Kryetari i Instituti Riinveset, Muhamet Mustafa, thotë se në situata të tilla duhet të veprohet me përgjegjësi.

“Mendoj se subjektet politike dhe grupet parlamentare duhet të gjejnë forcë që të harmonizojnë buxhetin dhe të tregojnë një përgjegjësi rreth buxhetit. Nëse gjejnë forcë për të krijuar një konsensus, kjo mund të dërgojë shenja të mira tek investitorët”, thotë Mustafa.

Sipas tij, autoritetet kosovare duhet të veprojnë karshi interesave të shtetit edhe në rast të krizave të mundshme institucionale. Në të kundërtën, shton Mustafa, do të pasonin efekte negative që do të ndikonin edhe në proceset ekonomike.

“Deri më tani, nuk kanë dhënë shumë shenja që kanë një sens të theksuar të përgjegjësisë. Por, unë e di që ata janë mjaft të dëgjueshëm në këto situata dhe besoj se mund të sigurohet një pëlqim”, shprehet Mustafa.

Buxheti për vitin 2011 duhet të dalë në Kuvend deri më 30 tetor. Zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave kanë bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka finalizuar projekt-buxhetin, i cili pritet të procedohet në Kuvend pas miratimit në Qeveri.

Miratimi i buxhetit shihet si shumë i rëndësishëm edhe nga deputeti i pavarur, Driton Tali.

“Ky buxhet do të votohet. Edhe buxhetet e mëparshme i kemi votuar, me gjithë ato dobësitë që i kanë pasur. Nuk shoh diçka të jashtëzakonshme as kësaj radhe. Flas nga eksperienca që kam pasur nga vitet e kaluara”,
thotë Tali.

Sipas tij, zhvillimet e fundit politike nuk duhet të jenë ato që pamundësojnë miratimin e buxhetit për vitin 2011.

“Nëse është për ta votuar, do ta votoj; nëse nuk është për ta votuar, nuk do ta votoj. Kemi të bëjmë me paranë publike dhe ky problem nuk zgjidhet me panik”, thekson Tali.

Nëse në ndonjërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës nuk do të mund të miratohet buxheti i vitit 2011, sipas procedurave ligjore, Qeveria mund të vazhdojë me këtë buxhet deri në mars të po këtij viti.

Kosova nuk e pati filluar vitin fiskal me kohë as në vitin 2008, për shkak të ndërrimit të pushtetit.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG