Ndërlidhjet

S’ka nisma për zgjedhje të jashtëzakonshme


Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi

Përkundër konstatimeve se në Kosovë ka krizë institucionale, asnjë parti politike apo grup deputetësh ende nuk ka iniciuar ndonjë procedurë për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, njëherësh edhe kryetar i Kuvendit, tha se puna e institucioneve aktuale do të vazhdojë deri në një situatë tjetër eventuale.

Ai tha se askush nuk ka ngritur ende ndonjë mocion mosbesimi të Qeverisë, kështu që puna e institucioneve vazhdon me të vjetrën.

“Kam thënë se ndoshta janë më të mira zgjedhjet e jashtëzakonshme, por nëse arrihet një konsensus i partive politike, jo një përpjekje për t’i imponuar zgjedhjet e tilla. Veprojmë kur të krijohen kushtet e kushtet neve s’na kanë prodhuar për të vepruar as si Kuvend e as si u.d. së presidentit”,
tha Krasniqi.

Ai tha se ka një dakordim në parim me subjektet politike vendase dhe faktorin ndërkombëtar, që mundësisht brenda këtij mandati të përmbyllen edhe disa çështje me rëndësi, si buxheti i vitit 2011 dhe Ligji për regjistrimin e popullsisë, përderisa ai për reformat zgjedhore është ende në procedurat fillestare.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës sot ka vendosur që të shkojë në kuvendin zgjedhor të dielën e ardhshme. Zëdhënësi i kësaj partie, Blerand Stavileci, tha se PDK-ja mbështet respektimin e normave ligjore-kushtetuese për organizimin e zgjedhjeve, pavarësisht nëse ato do të jenë të parakohshme apo të jashtëzakonshme.

Ai tha se PDK-ja ua ka besuar këtë detyrë krerëve të saj dhe të institucioneve, Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.

“Këshilli drejtues dhe kryesia e partisë, me mbështetje unanime dhe me përkrahje të plotë, u kanë dhënë autoritetin, ashtu si edhe është e paraparë me Kushtetutë dhe me ligje, krerëve institucionalë, presidentit në detyrë dhe kryeministrit, që brenda autoritetit të tyre kushtetues e ligjor të gjejnë zgjidhje institucionale”, tha Stavileci.

Indiferente ndaj zhvillimeve aktuale në Kosovë pas tërheqjes së LDK-së nga Qeveria nuk ka qëndruar as Aleanca Kosova e Re.

Kreu i saj, Behxhet Pacolli, tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të arsyetohet se nuk është gati edhe për një proces të jashtëzakonshëm zgjedhor.

Kurse, nga kryeministri Hashim Thaçi kërkoi që të paraqitet para opinionit dhe të kumtojë zgjidhjen për të dalë nga kriza.

“Unë i rekomandoj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të mos heshtë në këtë situatë, por të dalë para qytetarëve dhe të sqarojë këtë gjendje. Tani, Hashim Thaçi si udhëheqës i kësaj qeverie duhet të dalë para qytetarëve dhe t’u shpjegojë pse këto dështime, pse kjo gjendje e krijuar... Ne kërkojmë prej tij që këtë ta bëjë sa më shpejt”,
deklaroi Pacolli.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka vazhduar edhe sot konsultimet e brendshme. Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Astrit Haraqija, tha se shpëtimi i LDK-së është vetë kryetari i saj, Fatmir Sejdiu, të cilit ai i propozoi tërthorazi që të tërhiqet.

“Ende besoj se kryetari Sejdiu e do LDK-në dhe ende e ka edhe çekiçin, edhe arrën në dorë. Shpëtimi i LDK-së është vetë Fatmir Sejdiu. Edhe unë kam qenë ministër, kam qëndruar katër vjet ministër. Që tre vjet s’jam ministër, por s’është bërë nami. Jam në LDK dhe mburrem”, tha Haraqija.

Astrit Haraqija, i cili sapo kishte dalë nga takimi i Kryesisë së partisë, tha se nuk ishte i sigurt nëse Sejdiu do të kandidojë për kryetar të partisë.

“Nëse zgjidhet kryetari Sejdiu kryetar i LDK-së, unë do t’ia jap dorën, por nuk e di a do që të kandidojë për kryetar”,
u shpreh Haraqija.

Zhvillimet në skenën politike të Kosovës kanë fituar në dinamikë që nga largimi i LDK-së nga koalicioni. Tani, dy partitë më të mëdha janë në proces të brendshëm zgjedhor, si dhe pritet të vendosin nëse Kosova do të shkojë në zgjedhje parlamentare më 13 shkurt në vitit të ardhshëm, apo që në dhjetor të këtij viti.

Lexoni edhe këto:
Fundi i partneritetit PDK - LDK
PDK: JO qeverisë teknike
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG