Ndërlidhjet

logo-print

Privatizimi i PTK-së (s’)duhet të pezullohet


PTK

PTK

Privatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës (PTK) duhet të ndodhë, por jo në këtë periudhë, pasi strategjia për privatizim nuk është analizuar në mënyrë të duhur, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Propozim-strategjia e Qeverisë për privatizimin e kësaj kompanie është miratuar në Kuvendin e Kosovës, ndonëse me dilema të hapura rreth votimit, siç kanë thënë edhe vetë përfaqësuesit e Qeverisë dhe ata të Kuvendit.

Ka qenë pikërisht ky zhvillim, i cili thuhet, të paktën publikisht, se ka shtyrë Lidhjen Demokratike të Kosovës të tërhiqet nga koalicioni qeverisës.

Sipas kësaj strategjie, Qeveria do të privatizojë 75 për qind të aseteve të PTK-së, ndërkaq 25 për qind do të mbesin në pronësi të Qeverisë.

Por, Muhamet Sadiku, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se nuk është koha e duhur për privatizim. Sipas tij, autoritetet kompetente duhet të shesin deri në 55 për qind të aseteve dhe të mos veprohet siç ka vendosur Qeveria.

“Gjithnjë ka qenë problematike koha, kur duhet të privatizohet, pastaj dinamika e privatizimit, përqindja e aksioneve të kësaj kompanie, mungesa e transparencës, mungesa e një komunikimi në shoqërinë kosovare, në relacionin qeveri – popullatë... E gjithë kjo është akumuluar edhe në Kuvendin e Kosovës”.

“Vendimi që është marrë kohë më parë, më tepër ishte i karakterit klandestin - dikush dëshiroi që më dhunë t’i shtyjë delegatët që ta votojnë këtë strategji”,
thotë Sadiku.

Edhe Komisioni për Ekonomi dhe Telekomunikacion në Kuvendin e Kosovës ka rekomanduar që të privatizohen deri në 50 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit, kurse 45 për qind e tyre të mbeten pronë e Qeverisë.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Musa Limani, kategorikisht kundërshton privatizimin e 75 për qind të aseteve të PTK-së. Ai thotë se përqindja më e madhe e aseteve duhet të jetë në favor të Qeverisë.

Limani nuk e sheh të domosdoshëm privatizimin, meqë kjo kompani, siç thotë ai, është mjaft profitabile edhe për buxhetin e Kosovës.

“Fakti i insistimit që me çdo kusht të shitet PTK-ja, tregon se diçka nuk është në rregull dhe se mbrapa kësaj fshihet interesi i një grupi, partie apo i një strukture”,
thotë ai.

Miratimi i strategjisë për privatizimin e PTK-së është ndërlidhur edhe me akumulimin e mjeteve që do të dalin nga ky privatizim në buxhetin e vitit 2011. Musa Limani thotë se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë.

“Unë mendoj se këto llogari të Qeverisë janë të gabuara. Për burim të mjeteve buxhetore nuk mund të llogaritet ndonjë burim, i cili nuk është i sigurt”, thekson Limani.

Ndërkaq, Muhamet Sadiku thotë se autoritetet kompetente kanë filluar disa projekte kapitale, të cilat janë të bazuara në mjetet buxhetore. Ai dyshon se privatizimi i kësaj kompanie po ndodh për këtë arsye.

“Kosova ka filluar disa projekte shumë të rëndësishme. Disa nga to janë vitale për zhvillimin e ardhshëm të Kosovës. Në radhë të parë kam parasysh fillimin e ndërtimit të autostradës, por ideja nuk ka qenë realiste, sepse i tërë projekti, për momentin, është i bazuar në buxhetin e Kosovës”, thotë Sadiku.

Ekspertët për çështje ekonomike thonë se pas situatës politike të krijuar në vend, privatizimi i PTK-së duhet të pezullohet, sepse nëse shitet kjo kompani, humbjet për Kosovën, sipas tyre, do të ishin të mëdha.

Ndërkaq, në një përgjigje në formë të shkruar për Radion Evropa e Lirë, Adriatik Berisha, këshilltar për media në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, thotë se situata e krijuar politike është marrë parasysh dhe se privatizimi i PTK-së nuk do të pezullohet.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës tashmë ka parakualifikuar pesë kompani për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, të cilat janë nga Shqipëria, Kroacia, Egjipti, Austria dhe Jemeni.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG