Ndërlidhjet

Kriza po rrezikon proceset


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Prishja e koalicionit PDK-LDK, sipas analistëve, përveçse ka çuar vendin në krizë institucionale, ka shkaktuar vështirësi në proceset e nisura apo që është dashur të nisen, si: bisedimet me Serbinë, integrimi i veriut, liberalizimi i vizave, apo në proceset e brendshme, si: miratimi i buxhetit e privatizimi i ndërmarrjeve publike.

Analisti Ramush Tahiri alarmon se po rrezikohen proceset në dëm të Kosovës.

“Të gjitha proceset janë në rrezik, edhe pse Qeveria i ka proceduar këto në Kuvend dhe gjysma e punës ka përfunduar. Mirëpo, Kosova nuk duhet ta ketë luksin që të hyjë në zgjedhje për interesa të ngushta partiake, duke pasur parasysh se e kemi të rëndësishëm edhe dialogun me Serbinë”, thotë Tahiri.

Analisti tjetër, Agron Bajrami, mendon se nuk janë institucionet, por është politika në krizë. Ai thotë se politika e ka shtrirë kontrollin e saj në shërbimin civil, saqë duket e pamundur që shteti të funksionojë pa një koalicion të fuqishëm në pushtet.

Bajrami thotë se edhe Kosova do të mund të funksiononte si Belgjika, e cila për 9 muaj nuk ka pasur qeveri, por proceset nuk janë ndalur.

“Edhe një herë dëshmohet se interesat politike, grupore, klanore, apo edhe individuale janë mbi interesat e vendit. Interesi i vendit ka qenë që të arrihet sukses në proceset e ndryshme, prej procesit të liberalizimit të vizave e deri te procesi i dialogut me Serbinë, sepse ato janë pengesa që ne pashmangshëm duhet t’i kalojmë”.

“Proceset po shtyhen me këto veprime që tani po i shohim nga politikanët tanë dhe këtu nuk e kam fjalën për një parti apo lider... Kryesisht, të gjitha partitë parlamentare dhe të gjithë krerët shtetërorë po sillen në këtë mënyrë, të papërgjegjshme sa po shoh unë”,
thotë Bajrami.

Tashmë, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të qartë se është për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme këtë vit, duke argumentuar se kriza institucionale do të lërë shumë procese në gjysmë.

Ndër këto procese janë miratimi i buxhetit si dhe sqarimi deri në fund i strategjisë së PTK-së, e cila duket se do të kthehet sërish në votim, për shkak të parregullsive në procedurën e votimit të saj.

Por, analistët lënë fajtorë të dyja subjektet politike, PDK-në dhe LDK-në, për ngecjen e proceseve dhe shkaktimin e krizës. Ramush Tahiri shpjegon:

“Ne tash kemi konfrontime dhe hidhërime ndërmjet PDK-së dhe LDK-së. Secila parti dëshiron të përfitojë nga kjo situatë. PDK-ja i shpejton zgjedhjet që ta zërë të papërgatitur LDK-në në zgjedhjet e veta".

"Ndërsa, LDK-ja kërkon respektim ligjor, pasi që dekreti u shpall dhe duhet një arsye e fortë ligjore që dekreti i presidentit për zgjedhjet e 13 shkurtit të anulohet dhe të hyjë në zgjedhjet e jashtëzakonshme”,
thotë Tahiri.

Ndërkohë, Agron Bajrami shfaq drojën se nëse kriza vazhdon, atëherë Kosova mund të dëmtohet shumë. Ai merr si shembull veriun dhe integrimin e tij. Sipas Bajramit, të tjerët mund ta shfrytëzojnë situatën kur Kosova gjendet në krizë institucionale.

“Besoj se disa procese nuk mund të ndalen, sepse nuk mund të ndalet lumi që rrjedh. Nëse ne nuk marrim pjesë në proceset e caktuara, atëherë ato do të ndodhin. Sa më shumë që Prishtina i shmanget zgjidhjes apo gjetjes së mënyrës se si të integrojë veriun, veriu do të mbetet i çintegruar dhe do të ndahet nga Kosova dhe atë pa asnjë shkëmbim”.

“Idetë, të cilat edhe dikush i ka hedhur, që ndoshta mund të ndërrojmë territore me Serbinë, edhe nga teoria do të bien nga kombinimi, sepse veriu do të bëhet pjesë e pandashme e Serbisë nëse ne nuk ndërmarrim diçka”,
thotë Bajrami.

Të paktën tri nene të Kushtetutës së Kosovës ofrojnë zgjidhje për krizat e ngjashme si kjo e tashmja - mund të shkohet me mocion të votëbesimit të Qeverisë, pas të cilit do të shpalleshin zgjedhje të jashtëzakonshme, por edhe mund të shpërbëhet Kuvendi nëse për të votojnë dy të tretat e deputetëve.

Por, edhe për këto nene ka interpretime të ndryshme nga ana e juristëve dhe subjekteve politike. Dhe, gjithsesi duhet një konsensus i subjekteve politike për të zbatuar cilindo nga to.

Lexoni edhe këto:
Qeveri teknike apo zgjedhje të jashtëzakonshme?
Zgjedhjet e jashtëzakonshme - domosdo apo mundësi?
XS
SM
MD
LG