Ndërlidhjet

Reporterët pa Kufij: Kosova e 92-ta për lirinë e shtypit



Në raportin më të ri për Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2010 të organizatës Reporterët pa Kufij, Kosova është radhitur në vendin e 92. Vitin e kaluar, Kosova ishte në vendin e 75.

Nga vendet e rajonit, Shqipëria ndodhet në vendin e 80, Serbia është e 85-ta, Bosnjë e Hercegovina e 47-ta, Mali i Zi i 104-ti, Maqedonia e 68-ta, ndëra Kroacia në vendin e 62-të.

Indeksi vjetor i Reporterëve pa Kufij e pasqyron shkallën e lirisë që gazetarët dhe mediat e kanë në çdo vend të botës, si dhe përpjekjet e autoriteteve për ta siguruar këtë liri.

Në pjesën për Kosovën, thuhet se "shtypi ende është në fillesat e tij, duke lënë hapësirë për më shumë ndikim nga mediat elektronike".

"Radio Televizioni i Kosovës vazhdon të zgjërohet nën ndikimin e qeverisë. Financimi i tij varet nga vullneti i parlamentit, i cili nuk pritet ta privojë veten nga leva që përcjell këtë situatë. Kontratat e ish drejtorëve nuk janë ripërtrirë dhe kanë skaduar tri vjet më parë, kështu që ish udhëheqësia mbetet ku aty dhe është në mëshirën e qeverisë", thotë organizata me seli në Paris.

Reporterët pa Kufij thonë se "qasje në informatat dhe të dhënat publike" në Kosovë "mbetet e vështirë dhe ende nuk është e garantuar me ligj". Organizata thotë se ashtu si "Komisioni për Media, edhe Këshilli i Shtypit është nën ndikimin e qeverisë".

Në Kosovë "ka tetë gazeta të përditshme private, por disa janë të lidhura me partitë politike apo grupet financiare, të cilat e zhvillojnë sferën e ndikimit të tyre. Në mungesë të investimeve të huaja në këtë sektor, disa grupe rregullisht e praktikojnë "shantazhimin përmes reklamave", ku mbështetjen financiare e japin për mbulime të caktuara mediatike

"Pavarësia editoriale vuan mjaft nga mungesa e pavarësisë financiare. Vetë-censura, e cila edhe më tej minon pjesë të profesionit është përkeqësuar nga mungesa e një statusi të vërtetë social për gazetarët", thonë Reporterët pa Kufij.

Lista me vlerësimet për 178 shtete, e pasqyron situatën me lirinë e shtypit për periudhën shtator 2009-shtator 2010.

Nga vendet tjera, Iraku ndodhet në vendin e 130, një shkallë para Ukrainës, Rusia është e 140-ta, Afganistani në vendin e 147, Pakistani 151, etj.

Për ta hartuar indeksin, Reporterët pa Kufij kanë përgatitur një pyetësor me 43 kritere, të cilat e vlerësojnë gjendjen e lirisë së shtypit në çdo vend.

Në këtë kuadër përfshihen ndikimi i drejtpërdrejtë i gazetarëve (vrasjet, burgosjet, sulmet fizike dhe kërcënimet), dhe i mediave (censura, konfiskimi i gazetave, bastisjet dhe ngacmimi).

Organizata gjithashtu e vlerëson shkallën e pandëshkueshmërisë për shkeljet e lirisë së shtypit.

Reporterët pa Kufij e masin edhe nivelin e autocenzurës në çdo vend dhe aftësinë e mediave për të hetuar dhe për të kritikuar.

Presioni financiar gjithashtu vlerësohet dhe përfshihet në notën përfundimtare.

Pyetësori analizon kuadrin ligjor për monopolet e mediave, dhe shkallën e pavarësisë së mediave publike.

Në analizë gjithashtu pasqyrohen shkeljet e lirisë së rrjedhjes së informatave në internet.

Reporterët pa Kufij i kanë marrë parasysh jo vetëm abuzimet që nga ana e shtetit, por edhe ato të kryera nga milicitë e armatosura, organizatat klandestine dhe grupet që bëjnë presione.
XS
SM
MD
LG