Ndërlidhjet

FT: Presidenti gjerman bën thirrje për tolerancë


Presidenti gjerman, Kristian Vulf, gjatë takimit me homologun turk, Abdullah Gyl, në Ankara.

Presidenti gjerman, Kristian Vulf, gjatë takimit me homologun turk, Abdullah Gyl, në Ankara.

“Financial Times”

Emigrantët turq “i përkasin Gjermanisë” dhe meritojnë “të çmohen lart” për kontributin e tyre në shoqëri, ka thënë presidenti gjerman gjatë një fjalimi për tolerancën kulturore dhe fetare në Parlamentin e Turqisë.

Kristian Vulf po qëndron për vizitë pesëditore në shtetin turk. Ai është presidenti i parë gjerman që i adresohet Parlamentit të këtij vendi, në vizitën e parë shtetërore pas një dekade. Por, ardhja e tij ishte zbehur nga deklarata e kancelares Angela Merkel, se vizioni i Gjermanisë shumëkulturore ka “dështuar plotësisht”.

“Ne natyrisht nuk tolerojmë ekstremizimin. Por, ne nuk duhet ta lejojmë veten që të tërhiqemi në një konfrontim të rremë”, ka thënë Vulf, duke nënvizuar se krimi nuk është “vetëm problem i emigrantëve”.

Komuniteti me origjinë turke në Gjermani kap shifrën prej tre milionësh. Problemet e tyre me integrimin fshihen pas armiqësisë së opinionit publik në Gjermani, i cili nuk do që ta shohë Turqinë anëtare të Bashkimit Evropian.

Zoti Vulf ka lënë mënjanë këtë çështje, duke iu referuar politikave të Berlinit se bisedimet do të duhej të jenë të drejta e të hapura, si dhe duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të lidhjeve ndërmjet Turqisë dhe BE-së.

Ai i ka thënë Parlamentit se emigrantët turq janë “përzemërsisht të mirëpritur” porse duhet të mësojnë gjuhën gjermane dhe të veprojnë në përputhje me ligjet dhe vlerat e vendit.

Këtë nevojë e theksoi edhe homologu i tij turk, Abduallh Gyl.

Vulf u ka bërë thirrje nikoqirëve të ndihmojnë luftën kundër fundamentalizmit.

“Turqia mund të tregojë se nuk ka kontradikta ndërmjet Islamit dhe demokracisë, Islamit dhe sundimit të ligjit, Islamit dhe pluralizmit. Vendi juaj kombinon një kuptim modern të shtetit me Islamin”, ka thënë Vulf.

Vulf do të marrë pjesë në një shërbesë fetare në Tarsus si dhe do të takojë patriarkun grek në Stamboll. Presidenti gjerman ka kërkuar nga Turqia të respektojë liritë fetare të minoriteteve – për ç’gjë shteti turk është kritikuar disa herë nga Bashkimi Evropian.

“Myslimanët në Gjermani mund të ushtrojnë besimin e tyre… Rritja e numrit të xhamive e vërteton këtë. Pra, ne presim që të krishterët në vendet islamike t’i kenë të drejtat e njëjta, për të ushtruar besimin e tyre, për të trajnuar klerikët e rinj si dhe për të ndërtuar kisha”, ka thënë Vulf.

Vizita e Vulfit i ka dhënë një kthesë të re debatit të vazhdueshëm mbi vendin e Islamit në një shtet laik. Për herë të parë, Hayrunisa Gyl, e cila mban shaminë, përshëndeti të ftuarit pranë burrit të saj. (v.t.)
XS
SM
MD
LG