Ndërlidhjet

Klinton: Sa më shumë shtete ta njohin Kosovën


Hillari Klinton
Hillari Klinton
Vetëm pak ditë pas kthimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor, rajoni ka qenë sërish në qendër të deklaratave të Sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klinton.

Klinton ka përsëritur qëndrimet rreth shtetësisë së Kosovës dhe dialogut të pritshëm mes Prishtinës e Beogradit.

“Padyshim, Shtetet e Bashkuara mendojnë se çështja e pavarësisë dhe e sovranitetit të Kosovës është vendosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, ka thënë Klinton pas takimit me homologun e saj sllovak, Mikullash Gjurinda.

Sllovakia është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën.

Megjithëse Klinton e Gjurinda kanë vlerësuar pozitivisht raportet mes dy vendeve, mosmarrëveshjet rreth Kosovës vazhdojnë. Por, shefi i diplomacisë sllovake ka theksuar se nuk ka presion nga Uashingtoni për ta njohur Kosovën.

Me gjithë dallimet, Klinton e Gjurinda kanë ndarë të njëjtin mendim rreth nevojës së dialogut mes Prishtinës e Beogradit.

“Ne mendojmë se Serbia dhe Kosova tani kanë mundësinë që me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të përfshihen në dialog, në mënyrë që të fillojnë të zgjidhin çështjet praktike që vazhdojnë të jenë ndërmjet tyre”, ka thënë Klinton.

Edhe Gjurinda ka premtuar se Bratislava do të ndihmojë në vendosjen e komunikimit Prishtinë-Beograd.

“Nuk është qëllim njohja e Kosovës. Qëllimi është të ndihmojmë apo të lehtësojmë vendosjen e marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit - marrëdhënie që mbi të gjitha të jenë të qëndrueshme. Unë besoj se Sllovakia, një vend që nuk e ka njohur Kosovën, mund të ndihmojë”, ka thënë Gjurinda.

Megjithatë, shefja e diplomacisë amerikane ka përsëritur se Uashingtoni dëshiron që sa më shumë vende ta njohin Kosovën.

“Padyshim, ne duam që më shumë vende ta njohin Kosovën, veçanërisht tani që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka dhënë vendimin e saj”, ka theksuar Klinton.

Shtetet e Bashkuara, përmes Sekretares Klinton, por edhe zyrtarëve të tjerë, kanë theksuar gatishmërinë amerikane për përfshirjen në dialogun Kosovë-Serbi, dialog që kërkohej edhe nga rezoluta e shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Rezoluta përcaktonte Bashkimin Evropian si lehtësues të dialogut. BE-ja vazhdon të mos ketë qëndrim unik rreth Kosovës, për shkak se pesë nga 27 vendet anëtare nuk e kanë njohur shtetin e ri.
XS
SM
MD
LG