Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Tkurret liria e shtypit


Fotografi nga arkivi (Protestat e gazetarëve në Maqedoni)

Fotografi nga arkivi (Protestat e gazetarëve në Maqedoni)

Maqedonia, nga vendi i 34-të, ka kaluar në pozicionin e 68-të, sa i përket lirisë së shtypit, thuhet në raportin e organizatës “Reporterë pa kufij”.

Ekspertët vlerësojnë se gjendja në media realisht reflekton kulturën demokratike të pushteti dhe pikërisht për këtë Maqedonia ec me hapa negativë sa i përket shprehjes së lirë.

“Koalicionimi i partnerëve qeveritarë me pronarë të mediave ose derdhje të mjeteve shtetërore në konton e mediave të caktuara, përmes reklamimit të fushatave për punën e pushtetit, gjithsesi paraqet indikator se mediat kontrollohen nga politika”
, thekson kryeredaktori i së përditshmes maqedonase Dnevnik.

Nga ana tjetër, Lindita Kadriu, ligjëruese e shkencave të Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, numëron disa nga shkaqet pse Maqedonia me hapa drastik ec në drejtim të kundërt me rekomandimet e Komisionit Evropian, të përcaktuara si detyrime për anëtarësimin e vendit.

“Në përgjithësi, mediat janë në një kaos moral, në një rënie drastike të vlerave, për të cilat ka kohë që flasim, por nuk ka kurrfarë përmirësimi. Etikën, si lëndë, nxënësit e mësojnë dhe në praktikë e praktikojnë më shumë njerëzit e rëndomtë sesa ata që krijojnë politika dhe kushtimisht te ne ata që krijojnë fate”.

“Mandej është instrumentalizimi i pronarëve të mediave më me ndikim. Pra, të gjithë këta faktorë krijojnë një pasqyrë se Maqedonia në rang-listat më të reja e ka vendin që e meriton”
, thekson Kadriu.

Ndërkohë, për komentuesin maqedonas, Klime Babunski, vërejtjet që apostrofohen në raportin vjetor “Reporterët pa kufij”, kanë të bëjnë kryesisht me presionin politik.

“Me vetë faktin se shërbimi publik është nën hijen e rëndë të politikës qeveritare, deshëm apo nuk deshëm, kjo hije reflektohet edhe te mediat private, të cilat varen nga biznese të ndryshme”,
thekson eksperti i komunikimit, Klime Babunski.

Nga ana tjetër, Besim Iljazi nga gazeta Koha, duke komentuar numrin e rasteve me epilog gjyqësor, ku gazetarët janë gjykuar për shpifje ndaj politikanëve, thotë se Gjyqësori bëhet ekspeditiv kur duhet mbyllur goja e gazetarëve.

“Tani nuk ekziston një formë e presionit direkt siç ishte më parë në kohën e ish-sistemit dhe në kohën e viteve ’90. Tani mund të flasim për një presion që unë e quaj subtil, sepse nuk ekziston ajo forma e ndërhyrjes direkte, në media, por tani mund të themi se struktura të ndryshme apo biznes lobe të shantazhojnë përmes mosdhënies së reklamave”
, shprehet Iljazi.

Por, për Lindita Kadriun, neglizhenca e autoriteteve shtetërore ndaj vërejtjeve të komunitetit ndërkombëtar, ështe ajo që kërcënon lirinë e mediave.

“Kjo i ngjan asaj që ka thënë një pushtues, i cili pas fitoreve të shumta, pëson një disfatë dhe fillon të tërhiqet. I thonë ti humbe? Jo, përgjigjet ai! Unë vetëm përparoj në drejtim të kundërt. E, te ne, ka kohë që nuk i marrim seriozisht vërejtjet dhe rekomandimet që dita-ditës vijnë nga qendrat, andaj dhe nuk ka përmirësim Maqedonia në këtë drejtim”,
përfundon Lindita Kadriu.
XS
SM
MD
LG