Ndërlidhjet

Fajon: Të vazhdojnë reformat


Tanja Fajon

Tanja Fajon

Kosova duhet të vazhdojë në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian, në mënyrë që deri në fund të vitit 2011 të përmbushen të gjitha kriteret e nevojshme për këtë proces, tha përfaqësuesja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon. Gjatë ditës ajo u takua me zëvendës-kryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi, ministrin për Integrime, Besim Beqaj, dhe ministrin e Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi. Këta të fundit theksuan rëndësinë e nisjes së dialogut dhe marrjes së strategjisë për liberalizim të vizave nga Brukseli.


Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, u bëri thirrje autoriteteve kosovare që të vazhdojnë me përmbushjen e kritereve për liberalizim vizash dhe t’i realizojnë reformat, në mënyrë që deri në fund të vitit 2011, Kosova të jetë gati për t’u përfshirë në procesin e lehtësimit të vizave me Bashkimin Evropian.

Ajo tha se liberalizimi i vizave është një proces teknik, andaj përjashtoi mundësinë që mosnjohja e Kosovës nga 5 vendet anëtare të BE-së të ketë ndonjë ndikim në këtë çështje.

“Mendoj se mosnjohja nga shtetet anëtare nuk ka të bëjë me këtë proces teknik. Presim që Komisioni Evropian të lëshojë disa udhëzime të qarta - një strategji për heqjen e regjimit të vizave - dhe që Kosova të përqendrohet në zbatimin e këtyre kritereve. Do të jetë një rrugë e gjatë që do të kërkojë shumë, por mendoj se është e nevojshme të shkohet përmes kësaj rruge”.

“Nëse do të ndodhë kjo deri në fundin e vitit të ardhshëm, mendoj se Kosova do të jetë në gjendje të hyjë në regjimin pa viza. Ajo që mbetet është çështje politike, të cilën autoritetet janë duke e trajtuar tashmë”,
u shpreh Fajon, për të shtuar se nevojitet përmbushja e kritereve, si siguria e dokumenteve, ajo e kufijve dhe hapa të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Këto komente, Fajon i bëri pas takimit me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi.

Rexhepi shprehu domosdoshmërinë për marrjen e një strategjie zyrtare të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave.

Ministri Rexhepi tha se në mungesë të dialogut dhe udhërrëfyesit zyrtar të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, institucionet kosovare kanë hartuar një udhërrëfyes nacional, të bazuar në udhërrëfyesit e vendeve të rajonit, porse ky dokument nuk u mjafton autoriteteve kosovare.

“Ato kërkesa që duhen për ta marrë udhërrëfyesin zyrtar apo strategjinë, i kemi plotësuar dhe, me të drejtë, presim që sa më shpejt ta kemi në dispozicion, në mënyrë që në atë udhërrëfyes dhe dialog të precizohen se cilat kushte të tjera duhet t’i plotësojmë që të jemi në statusin e ‘free-viza regjimit’. Ne e dimë përafërsisht se cilat janë, mirëpo ato duhet të precizohen, sepse secili shtet i ka specifikat e veta”
, tha Rexhepi.

Ministri për Integrime, Besim Beqaj, u shpreh më optimist lidhur me strategjinë dhe dialogun zyrtar për viza me BE-në.

Në një komunikatë që Ministria për Integrime lëshoi pas takimit të ministrit Beqaj me përfaqësuesen e Parlamentit Evropian, Fajon, thuhet që ministri të ketë theksuar se, “çështja e marrjes së strategjisë është çështje e javësh” duke shprehur bindjen se “nuk do të ketë shtyrje të mëtejme të këtij procesi”.

Fajon zhvilloi gjatë ditës edhe një takim me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi.

Ky i fundit tha se “marrja e udhërrëfyesit dhe strategjisë për liberalizimin e vizave nga BE-ja, do të ndihmonte shumë në avancimin e procesit për sigurimin e dokumenteve të udhëtimit, për riatdhesimin, si dhe do të ndikonte në përshpejtimin e reformave dhe përmbushjen efektive të kritereve të domosdoshme të integrimit”, njoftoi Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për shtyp.

Që nga 19 dhjetori i vitit të kaluar, qytetarët e Maqedonisë, ata të Serbisë dhe të Malit të Zi lëvizin pa viza në hapësirën Shengen.

Në fillim të muajit të ardhshëm, ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian pritet të marrin vendimin për heqjen e regjimit të vizave edhe për Shqipërinë dhe Bosnjën.

Ndërkohë, për Kosovën thuhet se Komisioni Evropian duhet të shfrytëzojë 10 nëntorin - publikimin e së ashtuquajturës “Pako të zgjerimit”, për t’i dhënë Prishtinës udhëzime zyrtare për procesin e liberalizimit të vizave.

Lexoni edhe këtë: BE-ja t’i japë Kosovës udhërrëfyesin për viza

Trego komentet

XS
SM
MD
LG