Ndërlidhjet

Tërmkolli: Funksionimi i shtetit në rrezik


Melihate Tërmkolli

Melihate Tërmkolli

Nuk kanë mbetur shanse të mëdha për rrugëdalje nga kjo gjendje në të cilën ka ardhur Kosova, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Melihate Tërmkolli, anëtare e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Tërmkolli, si i vlerësoni zhvillimet e fundit politike në vend pas prishjes së koalicionit qeverisës PDK-LDK?

MELIHATE TËRMKOLLI
Është pritur që një ditë të ndodhë kjo që ndodhi ditëve të fundit, për faktin se ky koalicion është ndërtuar mbi baza plotësisht personale, të interesave personale të dy njerëzve që e mbajtën dhe po e mbajnë edhe më tutje peng Kosovën dhe zhvillimin e saj – ish-presidentit Sejdiu, tani kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në fakt edhe atëherë ishte kryetar i LDK-së dhe ushtronte postin në mënyrë shumë aktive, si dhe kryeministrit Hashim Thaçi.

Prandaj, kur kihet parasysh një ndërtesë kaq e dobët për interesa kaq të ulëta, krejtësisht personale, atëherë edhe këto zhvillime mund ta kenë arsyen e vet në shtjellimin e tyre të brendshëm, por pasojat për vendin, për Kosovën, për qytetarët e vendit gjithsesi se janë shumë të rënda, të dëmshme, në këtë situatë në të cilën është futur vendi, në një rrugë gati pa krye.

Me papërgjegjshmërinë e thellë të këtyre udhëheqësve është treguar niveli më i ulët i përgjegjësisë, në fakt papërgjegjësia totale e tyre ndaj shtetit dhe interesave të shtetit.

Slogani mbi të cilin e kanë ndërtuar koalicionin – se gjoja po e ndërtojmë për shtet – jo vetëm që është devalvuar, por edhe është demantuar në masën më të madhe të mundshme, pikërisht me këto veprimet e fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
Derisa ishit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, keni qenë një nga zërat më të fuqishëm për prishjen e këtij koalicioni. Çfarë ka ndryshuar prej atëherë?

MELIHATE TËRMKOLLI
Unë kam qenë ndër ata pak njerëz kundër lidhjes së këtij koalicioni. Do të thotë, unë kam qenë për atë që fare të mos lidhej një koalicion i tillë, sepse kam qenë shumë e sigurt që nuk mund të funksionojë, duke pasur parasysh orientimin politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës nën udhëheqjen e presidentit Rugova, duke pasur parasysh orientimin po ashtu të anëtarësisë së LDK-së dhe mbi të gjitha duke pasur parasysh pikërisht interesin e vendit, sepse nuk ishte interes i vendit lidhja e një koalicioni të tillë.

Është e vërtetë, e kam kundërshtuar në vazhdimësi dhe në fakt nuk ka ndryshuar asgjë që prej asaj kohe. Këta njerëz kanë mbetur njësoj në interesa personale. Edhe kjo prishje u bë pikërisht për arsye të interesave personale. Ju e keni parë edhe më herët të ashtuquajturin, të famshmin “Zanzi-bar”-in, që po ashtu ishte çështje e interesave personale, grupore ose e klaneve të caktuara.

Thjesht, e tërë ajo që mund të thuhet është një devalvim dhe një degradim i plotë i imazhit të vendit, i interesave të vendit, për të cilin ky popull ka dhënë aq shumë dhe ka sakrifikuar aq shumë. Vendi ka humbur jashtëzakonisht shumë.

Ne kemi papunësinë në shkallën më të lartë të mundshme. Kemi nivelin më të lartë të korrupsionit, të paparamenduar ndonjëherë për një popull dhe një vend që kanë punuar dhe luftuar shumë për lirinë dhe pavarësinë.

Vetë fakti i lidhjes së koalicionit mes dy partive të mëdha, në njëfarë mënyre nuk lë shumë hapësirë as për opozitë. Në demokraci, aty ku nuk ka opozitë, natyrisht që nuk ka edhe shumë demokraci, prandaj dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha, në shumë sfera e në shumë aspekte.

Shihni ku ka rënë imazhi i vendit... Kemi raportet më të këqija të mundshme të të gjitha organizatave kredibile ndërkombëtare, në vlerësimet që i bëjnë për të gjitha aspektet zhvillimore në vendin tonë, qofshin ato të përmbushjes së kërkesave për integrime evropiane, qofshin ato në relacione të ndryshme.

Po e zëmë, kemi raportin e fundit për kontrollin e mediave, ku Kosova, fatkeqësisht, një vit më vonë bie për 17 vende më poshtë, që është një frymë e diktaturës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila mendoni se do të duhej të ishte rrugëdalja nga kjo situatë e krijuar?



MELIHATE TËRMKOLLI
Fatkeqësisht, gati nuk kanë mbetur shanse të mëdha për rrugëdalje nga kjo gjendje në të cilën ka ardhur Kosova. Ndoshta mund të flasim vetëm për një mbijetesë të institucioneve dhe të shtetit të Kosovës, sepse është vënë në rrezik serioz ekzistimi i vetë shtetit dhe funksionimi i vetë shtetit të Kosovës.

Prandaj, me të gjitha këto variante që janë aktuale, ne mund të flasim vetëm për një mbijetesë, por jo ndonjë shans të mirë për dalje serioze nga kjo krizë dhe nga kjo gjendje në të cilën ka ardhur vendi.

Zgjedhjet e reja mund të jenë një rrugë, ta quajmë ashtu, së pakur formalisht, për të krijuar një shans për funksionimin e institucioneve të vendit. Natyrisht që këto zgjedhje do të mbahen, është caktuar data.

Kreatorët e krizës po provokojnë edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme, që do të mund të ishin të dëmshme dhe do të mund ta fusnin vendin ndoshta edhe në krizë më të thellë, sepse mbajtja e zgjedhjeve në një situatë kur nuk ke asnjë monitorim ndërkombëtar, në kushte kur nuk ke kapacitete të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përkundër vullnetit të tyre të mirë për t’i mbajtur ato, mund ta çojë vendin edhe drejt një anarkie.

Fatkeqësisht, do të ishte një dëm i pariparueshëm dhe një rrezik i pariparueshëm për vendin. Natyrisht, ne po shpresojmë që ato zgjedhje, sado-kudo, të kenë një minimum standardi - se nuk mund të flasim për cilësi të mirëfilltë edhe po të mbahen më 13 shkurt - por së paku një minimum, i cili do të mbijetonte situatën e funksionimit të institucioneve të shtetit.

RADIO EVROPA E LIRË
Flitet për arritjen e një konsensusi të gjerë politik karshi kësaj çështjeje. Mendoni se mund të arrihet?

MELIHATE TËRMKOLLI
Jo, ju lutem, nuk është kjo më çështje e konsensuseve. Janë floskula politike të do akterëve, të cilët përpiqen që në këtë situatë të paraqiten sikur kanë ndonjë domethënie.

Unë mendoj se nuk është çështje e konsensusit. Çështja është se si të gjendet një mundësi që vendi të dalë nga kjo krizë pa rënë krejt institucionet, pa u shpërbë krejt institucionet. Kjo është esenciale.

Rolin vendimtar e ka prapë partia në pushtet, që ka mbetur tashmë parti e vetme, ashtu siç ka dashur gjithmonë, një parti-shtet, parti-individ, parti-kryetar. Fatkeqësisht këto ndodhin në shekullin 21, në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG