Ndërlidhjet

A rrezikohet kryesimi i CEFTA-s?


Prishja e koalicionit PDK-LDK , sipas ekspertëve të ekonomisë, pos që ka çuar vendin në krizë institucionale, ka shkaktuar vështirësi në shumë të procese të nisura. Sipas tyre, nga situata e krijuar Kosova rrezikon të humbë kryesimin e CEFTA-s për vitin e ardhshëm.


Njohës të çështjeve ekonomike thonë se pas situatës politike të krijuar në vend, Kosova rrezikon të humbë kryesimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë, (CEFTA) për vitin 2011.

Tërheqja e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni me Partinë Demokratike ka bërë që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ministri kjo që ka bërë përgatitjet për të udhëhequr këtë mekanizëm, të mbetet pa ministër dhe staf politik.

Berat Rukiqi, sekretar i përgjithshëm në Odën Ekonomike të Kosovës, pohon se përveç problemeve juridike që ka Kosova me udhëheqjen e CEFTA-s, tashmë këtij procesi i janë shtuar edhe problemet e brendshme politike.

“Tash kësaj i shtohet edhe ky problem, sidomos në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, nuk ka asnjë autoritet vendimmarrëse politik, vendime të tilla nuk mund të merren në nivele të stafit civil”.

Pastaj kërkohet autoriteti politik gjatë mbledhjeve të komitetit të përbashkët të CEFTA-s dhe në të njëjtën kohë, edhe t’i qasen më tutje këtij problemi duhet një vendimmarrjeje, e cila është e nivelit më të lartë politik”, thotë Rukiqi.

Edhe Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, përmend mundësinë e humbjes së kryesimit të CEFTA-s.

Shahini vlerëson se situata e krijuar politike ka dërguar mesazh të keq te mekanizmat ndërkombëtarë dhe vendet e rajonit, prandaj, jo stabiliteti politik, thotë ai, ka krijuar turbulencë edhe për menaxhimin e CEFTA-s.

“Ministria e Tregtisë tashmë ekziston vetëm për të kryer punë administrative. Kjo mund të rrezikojë përgatitjet për marrjen e kryesimit të CEFTA-s. Por, shpresoj që ky ngërç politik të kalojë shumë shpejt dhe Kosova të mos e humbë këtë shans dhe të jetë për faj të Kosovës, që Kosova mos të udhëheqë
”, pohon Shahini.

Por, Berat Rukiqi thotë se situata është komplikuar me largimin e këshilltarit politik të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, i cili ka qenë përgjegjës për përgatitjet e nevojshme për këtë mekanizëm.

“Një element tjetër që duhet të potencohet është se personi që ka qenë kontakt nga Kosova për CEFTA-n, ka qenë këshilltari i ministrit të Tregtisë dhe të Industrisë, dhe siç dihet, tashmë krejt stafi politik bashkë me ministrin, e kanë lënë detyrën. Kjo e komplikon situatën, sepse më nuk ka vazhdimësi, tashmë është një ndërprerje”
, thekson Rukiqi.

Ndërkaq, Agim Shahini thotë se të gjitha çështjet sa i përket CEFTA-s tashmë duhet të adresohen në Qeveri.

“Mendoj që Qeveria duhet të ketë një rol më vendimtar, në mungesë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, të marrë menjëherë udhëzuesin, t’i plotësojë kriteret aty ku kanë mbetur dhe të formojë grupe punuese, në mënyrë që komiteti i CEFTA-s të jetë i informuar”,
shprehet Shahini.

Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore, këtë vit e udhëheq Serbia.

Kryesimi i këtij mekanizimi bëhet sipas radhitjes alfabetike, kështu që pas Serbisë, kryesimi i takon UNMIK-ut, si anëtar dhe nënshkrues i kësaj marrëveshjeje në vitin 2007, kur Kosova nuk kishte të zgjedhur statusin.

Kjo çështje është kundërshtuar nga ekspertë të ekonomisë, të cilët kanë pohuar se CEFTA, vitin tjetër duhet të menaxhohet nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Autoritetet kosovare, kanë pohuar se kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për marrjen nën udhëheqje të këtij organizmi, ndërkaq, zyrtarë të administratës së UNMIK-ut, kanë thënë se në këtë rrafsh, kjo administratë do të veprojë në pajtueshmëri me mandatin që ka.
XS
SM
MD
LG