Ndërlidhjet

Kosova me furnizim jostabil të energjisë


Termocentrali Kosova-A

Termocentrali Kosova-A

Në Kosovë vazhdojnë vështirësitë për furnizim të rregullt me energji elektrike. Ekspertë të energjetikës thonë se këto vështirësi do të jenë evidente, derisa autoritetet kompetente nuk krijojnë një sistem më të mirë dhe më të organizuar energjetik. Në anën tjetër, zyrtarët e Korporatës Energjetike të Kosovës nuk premtojnë energji elektrike 24 orë për të gjithë konsumatorët.

Sektori i energjisë, që nga përfundimi i luftës, gjendet në situatë të vështirë. Për të dalë nga kjo gjendje, që nga viti 2001 janë bërë analiza nga më të ndryshmet, si nga institucionet vendore, ashtu dhe nga ato ndërkombëtare, për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë ndryshim, vlerësojnë ekspertë të energjetikës.

Naim Hoxha njohës i çështjeve energjetike, alarmon për një periudhë të vështirë furnizimi me energji elektrike, gjatë këtij sezoni dimëror.

“Problemet e energjetikës janë shumë të mëdha, në veçanti kur sistemi energjetik është i përbërë vetëm prej një tipi të gjeneratorëve, siç është ai me termo-sisteme dhe nuk ka baraspeshë me hidro-sisteme, ku ato do ta merrnin barrën e furnizimit në momentet kur këto kanë probleme”.

“Është e pamundur të mbahet një sistem stabil. Vetëm një sistem i sinkronizuar dhe i organizuar do të ishte në gjendje t’i përballojë kërkesat në këto periudha dimrit”
, vlerëson Hoxha.

Ndërkohë, zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Viktor Buzhala, thotë se janë duke arritur që të bëjnë furnizimin me energji elektrike për të gjithë konsumatorët, të cilët e paguajnë energjinë elektrike.

Ndërsa, ka reduktime dhe shkyçje nga rrjeti për ata konsumatorë, të cilët nuk iu përgjigjen obligimeve ndaj korporatës.

Ndërkaq, sa i përket sezonit të dimrit, kur kërkesat për energji elektrike rriten deri në 1200 megavat, Buzhala thotë se kanë bërë përgatitjet e duhura.

“Jemi përgatitur mjaft për sezonin e dimrit, më mirë se vitin e kaluar. Kemi bërë riparimin e dy njësive të Termocentralit Kosova-B, të cilëve u janë ndërruar rotorët e turbinës dhe sot prodhojnë diku 10 për qind energji elektrike dhe kanë stabilitet më të madh”
, thotë Buzhala.

Zëdhënësi i KEK-ut, Buzhala, bën të ditur se kapaciteti i gjithëmbarshëm prodhues në Kosovë është 950 megavat. Por, sipas tij, një njësi do të jetë gjithmonë në rezervë për të rritur stabilitetin e prodhimit dhe evitimit të situatave të papritura.

“Në të njëjtën kohë kemi tri kontrata për import për energji të moderuar, energji të kohës së pikut dhe energji emergjente, cilat përshtaten varësisht nga krijimi i situatës
”, tregon Buzhala.

Por, furnizimi me energji elektrike të importuar kritikohet nga eksperti i energjisë, Naim Hoxha. Ai thotë se kjo ka krijuar një përshtypje të një stabiliteti të energjisë elektrike, por që nuk është zgjidhje afatgjate.

“Nëse nuk fillohet tash me një punë shumë më të organizuar, e cila do të ketë reperkucione dhe pasoja pas dy-tre vjetësh ne do ta kemi një periudhë shumë më të gjatë të furnizimit jostabil dhe të keq me energji, ndërkaq fshatrat do të mbesin me furnizim të energjisë alternative, siç është ajo e drurit”,
thekson Hoxha.

Sidoqoftë, ekspertët energjetikës kërkojnë nga kompetentët që të marrin masa për rehabilitimin e njësive të caktuara, sepse, siç thonë ata, jostabiliteti energjetik dhe pasiguria për furnizim stabil, i ka shkaktuar dhe vazhdon t’i shkaktojë pasoja negative vendit.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG