Ndërlidhjet

(S')ka komunikim


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Zyrtarë të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit dhe ata të Postë-Telekomit të Kosovës, kanë ftuar qytetarët e komunitetit serb në Kosovë që t’i shfrytëzojnë operatorët legalë, konkretisht ata të Postë-Telekomit të Kosovës. Ndërsa, përfaqësues të komunitetit serb kanë thënë se pas largimit të operatorëve ilegalë, ky komunitet ka humbur kontaktet mes vete.


Përfaqësues të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit dhe ata të Postë-Telekomit të Kosovës, kanë ftuar të gjithë qytetarët e komunitetit serb në Kosovë, të cilët shfrytëzonin operatorët ilegalë të Serbisë, që t’i përdorin ata legalë të Republikës së Kosovës.

Sipas tyre, kjo është edhe rrugëdalja e gjendjes së krijuar pasi që ART-ja, në bashkëpunim me njësitet speciale të Policisë së Kosovës, kohëve të fundit ka shkyçur dhe eliminuar disa stacione të operatorëve ilegalë të telefonisë mobile serbe në Kosovë.

Zyrtari i ART-së, Visar Halim,i në një debat të organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë, ka thënë se aksionet për shkyçjen e operatorëve ilegalë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Sipas tij, deri më tash janë eliminuar një numër i konsiderueshme i antenave

“Vetëm në pjesët ku kemi vepruar në fazën e parë, në 22 lokacione kemi pasur tërheqjen e rreth 77 antenave GSM dhe 53 linqeve mikrovalore. Kurse, në fazën e dytë kemi pasur 44 antena GSM dhe 44 linqe mikrovalore”.


“Ajo që duhet të them është se ky operim tërë kohën ka qenë jo legal, por rrethanat tona të legjislacionit dhe mundësive për të vepruar, kanë ardhur tash, në këtë kohë”, ka thënë Halimi.

Visar Halimi nga ART-ja, ka sqaruar se procesi i largimit të operatorëve ilegalë, do të bëhet edhe në veri të Kosovës, por në atë pjesë të vendit pritet një moment më i përshtatshëm.

“Duhet të priten momente të përshtatshme. Ma merr mendja që duhet të respektohet gjendja. Jemi institucion i pavarur rregullator, mirëpo ka ndikime që duhet të priten momente”,
është shprehur Halimi.

Në anën tjetër, Rada Trajkoviq, kryetare e Këshillit Nacional Serb për pjesën qendrore të Kosovës, ka thënë se si politikanë, ta kenë humbur plotësisht komunikimin ndërmjet njëri-tjetrit.

Sipas Trajkoviqit, në mungesë të shërbimeve të ndryshme, qytetarët e komunitetit serb, kanë filluar ta braktisin Kosovën.

“Asnjë njeri qëllimmirë nuk mund ta arsyetojë shkyçjen e telefonave. Të paktën tri familje serbe do të largohen për shkak të telefonave, tri të tjera do të largohen për shkak të ujit, tri janë larguar për shkak të rrymës. Këto janë shifrat më minimale”.

“Ndërsa, 30 të tjera do të largohen për shkak të arsimit”,
ka thënë Trajkoviq, për të shtuar se ky është një presion ndaj banorëve, që tregon se nuk është çështja te vendosmëria për funksionim legal të institucioneve, por te vendosmëria për t’i dëbuar serbët nga kjo hapësirë.

Ndërkaq, zyrtari për informim në Postë-Telekomin e Kosovës, Menduh Abazi, u ka bërë thirrje banorëve të komunitetit serb që të pajisen me operatorë legalë të Postë-Telekomit të Kosovës.

“Nuk e besoj në asnjë moment që ka munguar mundësia e komunikimit, dhe të gjithë ata që kanë dashur, kanë mundur t’i shfrytëzojnë kapacitetet e PTK-së, ku shtrihen rrjetet e PTK-së, qoftë të telefonisë mobile, qoftë të telefonisë fikse. PTK-ja është e gatshme që në çdo moment t’i ofrojë të gjitha ato shërbime që i përmendi zonja Trajkoviq”
, thotë Abazi.

Eliminimi i operatorëve ilegalë të telefonisë mobile të Serbisë, që vepronin në Kosovë, kishte nxitur protesta të serbëve lokalë në zonat e banuara me serbë.

Po ashtu, si kundërpërgjigje ndaj largimit të operatorëve ilegalë serbë, banorët e veriut të Kosovës kanë hedhur në erë me mjete shpërthyese antenat e operatorëve të telefonisë mobile IPKO.
XS
SM
MD
LG