Ndërlidhjet

Radikalët në pushtetin paralel në veri


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Forcat radikale serbe kanë marrë pushtetin nga forcat që konsiderohen më të moderuara në qeverinë paralele lokale në veri të Mitrovicës. Udhëheqësit e rinj zotohen për forcim të strukturave paralele serbe në këtë pjesë. Koordinatori i strategjisë për Mitrovicën, Ylber Hysa, kritikon sërish bashkësinë ndërkombëtarë për qëndrimin e tyre përballë organeve ilegale në veri.


Dhjetë muaj pas publikimit të strategjisë së Qeverisë dhe ICO-së, për integrimin e veriut, Mitrovica vazhdon të mbetet e ndarë, ndërsa komuna paralele serbe që nga dita e enjte nuk udhëhiqet më nga blloku demokratik, që konsiderohej më i moderuar.

Këshilltarë të Partisë Serbe të Progresit të Tomislav Nikoliqit dhe të Partisë Demokratike të Serbisë të Vojisllav Koshtunicës, kanë marrë pushtetin nga blloku demokratik i udhëhequr nga partia e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq.

Udhëheqësit e rinj zotohen se do t’i forcojnë strukturat paralele në veri. Kryetari i ri, Kërstimir Pantiq, shprehet se një nga detyrat kryesore do të jetë mbrojtja e serbëve në Suhodoll, pasi, siç shprehet ai, ka disa javë që po torturohen nga Policia e Kosovës.

“Ky do të jetë prioriteti ynë dhe pastaj do t’i forcojmë këtu institucionet dhe ligjet e Serbisë. Do të insistojmë në bisedimet me përgjegjësit në Republikën e Serbisë. Me një fjalë, qytetarët e Mitrovicës duhet ta ndjejnë Republikën e Serbisë si vendin e tyre dhe të mos ndihen si lypës në shtetin e tyre”,
thotë Pantiq.

Këto synime bien ndesh me ato të Prishtinës zyrtare, e cila dëshiron pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës
.

Koordinatori i strategjisë për Mitrovicën, Ylber Hysa, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ndërrimi i pushteteve në veri të Mitrovicës, dëshmon për një disfatë të ndërkombëtarëve në Kosovë.

Për mua nuk është asgjë e re. Në fakt, nga zyra jonë në mënyrën më të drejtpërdrejtë i është thënë shumicës nga diplomacitë perëndimore dhe sidomos atyre evropiane që një gjë e tillë pritet të ndodhë”.

“Në atë kohë dikush ka menduar që në këtë mënyrë do t’u japë shansin forcave demokratike të udhëhequra nga z.Tadiq dhe i ka mbyllur sytë në organizimin e zgjedhjeve në Mitrovicë, për të cilën ne kemi paralajmëruar se nuk është një gjë që do ta stabilizojë veriun. Kjo që ka ndodhur dje, nëse e ka befasuar dikë nga këta që i kanë mbyllur sytë nga Bashkësia Evropiane, atëherë e kanë rezultatin para tyre”
, thotë Hysa.

Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, i cili vazhdon të shpresojë në përparimin e arritur në veri, shprehet se subjektet serbe në këtë pjesë të Kosovës, nuk dallojnë shumë në qëndrimet mes tyre.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Ferati thotë se edhe derisa ka qenë blloku demokratik në pushtet, kanë ndodhur incidente të dhunshme në veri.

“Kemi vërejtur se ne patëm mjaft dhunë në veri. Kështu që unë po besoj se sundimi i ligjit, veprimi i EULEX-it, i Policisë së Kosovës dhe i KFOR-it në pjesën ku është kompetent, është primar”.

“Do të donim që gjithë kjo që po ndodh atje të mos reflektohet me ndonjë tensionim të situatës, mirëpo unë, personalisht, jam ithtar dhe besoj që më tepër është betejë e brendshme sesa ndonjë konstelacion i ri që do të mund të udhëheqë atje ndonjë proces tjetër fare”
, shprehet Ferati.

Zyra e Koordinatorit të Strategjisë për Mitrovicën kohë më parë publikoi një raport për këtë qytet, në të cilin akuzoi administratën e UNMIK-ut se po e pengon integrimin e Mitrovicës.

Ylber Hysa thotë se tashmë shihet një qëndrim i ndryshuar i UNMIK-ut. Megjithatë, ai nënvizon se të punësuarit në strukturat paralele sërish do të kenë rol kryesor dhe në administratën e UNMIK-ut.

“Duke qenë të kritikuar nga raporti i UNMIK-ut, ata kanë filluar të lëvizin. Por, kjo që ka ndodhur dje (të enjten) , i ka sjellë në pushtet në komunën paralele të Mitrovicës njerëzit e njëjtë, po ata që janë të punësuar në UN, pikërisht nga këto parti që dje janë etabluar në komunën paralele në veri, kështu që ata do të gjenden në të dy anët e kampit”, sqaron Hysa.

Ndërkohë, kriza në institucionet qendrore në Prishtinë, ka larguar vëmendjen nga zhvillimet në veri. Ish-ministri Sadri Ferati, thekson se nëse vazhdon kjo gjendje në pushtetin qendror, pasojat do të shtrihen dhe në pjesën veriore.

“Konsekuencë mund të ketë nëse nuk vazhdohet me agjendën tonë në veri. Kjo, realisht, prodhon konsekuencë. Nëse jo shumë, atëherë së paku do të zbehë gjithë progresin që kemi pasur në veri”
, nënvizon Ferati.

Në javët e fundit në pjesën veriore të Kosovës janë shtuar incidentet e dhunshme, që shpeshherë janë konsideruar nga policia si incidente me motive ndëretnike.

Për këtë arsye, dy javë më parë, KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë filluar së zbatuari një plan, që ka për qëllim shtimin e masave të sigurisë në veri.
XS
SM
MD
LG