Ndërlidhjet

Haliti: Vetëm zgjedhjet e shpejta na nxjerrin nga kriza


Xhavit Haliti

Xhavit Haliti

Vetëm zgjedhjet e shpejta mund ta nxjerrin Kosovën nga kriza e krijuar pas prishjes së koalicionit me LDK-në, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Xhavit Haliti, anëtar i Kryesisë së PDK-së. Ndonëse, sipas Halitit, zgjedhjet e jashtëzakonshëm nuk është e lehtë të organizohen, ai thotë se nuk e përjashton mundësinë që pas zgjedhjeve të ketë sërish koalicion me LDK-në.





RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haliti, pas daljes së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni, sa është e domosdoshme të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme?

XHAVIT HALITI

Po, unë, në bazë të kërkesave të subjekteve politike, të partive të ndryshme, duke përfshirë edhe Partinë Demokratike të Kosovës, pakicat, dy-tri parti parlamentare janë deklaruar publikisht se janë për zgjedhje të parakohshme, që nënkupton diku në mesin e dhjetorit.

Të domosdoshme janë për shumë arsye, sepse procesi i bisedimeve me Serbinë duhet të fillojë, procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike duhet të vazhdojë, duhet ta miratojmë buxhetin e Kosovës dhe duhet të vazhdojmë me marrëveshjet që i kemi bërë më herët në drejtim të ndërtimit të infrastrukturës në Kosovë.

Tani zgjidhje tjetër unë nuk shoh, për arsye se koha për t’u futur në koalicione të reja mendoj që është shumë e shkurtër dhe, meqenëse presidenti ose ushtruesi i detyrës së presidentit të vendit ka shpallur zgjedhjet e ardhshme më 13 shkurt dhe për të cilat janë pajtuar të gjithë si zgjedhje të parakohshme, mendoj se situata e re e krijuar me daljen e LDK-së nga Qeveria, ka krijuar domosdoshmërisht krizë të re, do ta quaja, në drejtim të institucioneve në Kosovë, dhe kërkon veprim.

Dhe, veprimi, them unë, do të jetë ai që të shpallen zgjedhjet më herët dhe ta kapërcejmë këtë situatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mund të rrezikohet një proces i lirë dhe demokratik me organizimin e zgjedhjeve të shpejta?

XHAVIT HALITI

E kam këtë frikë, që nuk është e lehtë të organizohen zgjedhje të pakontestueshme me këtë shpejtësi të madhe. Kam një frikë tjetër që vëzhguesit ndërkombëtarë nuk e kanë të lehtë të marrin pjesë në prag të Krishtlindjeve në vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë. Por, besoj që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, partitë politike, duhet të angazhohen
dhe t’u japim hapësirë shtesë vetë partive politike të Kosovës, t’i legjitimojmë njerëzit kyç që të kenë të drejtë të jenë vëzhgues nëpër qendrat e votimit.

Këtu duhet përfshirë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës të të gjitha partive, edhe përfaqësues legjitimë të partive politike, të cilat dëshirojnë t’i vëzhgojnë zgjedhjet, jo vetëm në një qendër, por të lëvizin nëpër Kosovë dhe kjo mos t’iu zihet për të madhe se po shkojnë për vota. Të kenë mundësi të rrinë në distancë për të kontrolluar procesin; një angazhim të madh të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të komisionarëve, Policia e Kosovës duhet të jetë e pranishme, ambasadat e huaja në Kosovë dhe shumë vëzhgues që mund të vijnë nga Këshilli i Evropës.

Po besoj se duke pasur parasysh edhe territorin e vogël të Kosovës dhe të qarkullueshëm, edhe pse ka, do të thosha, pak pengesa sepse ndërtimi i rrugëve i ka krijuar këto pengesa të vogla, por brenda një ore mund të lëvizin qarkullojnë nëpër të gjithë Kosovën. Besoj që mundësitë i kanë që të kenë një mbikëqyrje solide për zgjedhjet.

RADIO EVROPA E LIRË
Prishja e koalicionit PDK-LDK a nënkupton edhe ‘shkurorëzimin’ e këtyre dy subjekteve politike, të njohura si rivale për një kohë të gjatë, edhe pas procesit të ardhshëm zgjedhor?

XHAVIT HALITI

Tani unë mendoj që edhe para 3 vjetësh askush s’e ka menduar që ne do të jemi në një koalicion të përbashkët. Por, ja politika dhe interesat e vendit, interesat e subjekteve politike dhe interesat e caktuara politike, do të thosha, të partive përkatëse, kanë imponuar të bëhet një koalicion i tillë.

Për shkak të situatës së krijuar gjatë këtij mandati 3-vjeçar, mendoj që do të jetë e vështirë që të krijojmë prapë një koalicion të përbashkët. Por, nuk e përjashtoj mundësinë që sërish, varësisht nga rezultate që dalin nga zgjedhjet, nëse njëra ose tjetra palë, dhe në këtë rast mendoj që Partia Demokratike e Kosovës do të jetë dukshëm me më shumë vota sesa partitë e tjera, në qoftë se ka interes, mund të bisedojmë.

Por, besoj që do të ketë përpjekje për të bërë një koalicion të ri.

RADIO EVROPA E LIRË
Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë Kuvendin zgjedhor me urgjencë qysh të dielën. Çfarë të rejash, sa i përket partisë, do të sjellë ky kuvend apo do të jetë vetëm rikonfirmim i mandateve ekzistuese?

XHAVIT HALITI

Ne do ta zbatojmë vendimin e marrë më herët nga Kryesia e partisë dhe Këshillit drejtues, që të mbajmë Kuvendin zgjedhor, por ne do ta përshpejtojmë mbajtjen e Kuvendit, për shkak të përshpejtimit të afatit ose kohës së zgjedhjeve në Kosovë dhe detyrimisht ne jemi të obliguar që në afatin ligjor dhe kushtetues ta mbajmë edhe Kuvendin e partisë, ose sipas rregullores së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Të rejat e këtij kuvendi do të jenë se ne do ta përmbushim detyrimin tonë në raport me Komisionin Qendror.

Ndoshta do të ketë zhurmë, do të ketë kundërshtime në media te subjektet politike, po sidoqoftë ky është një vendim i Partisë Demokratike, dhe vendimet e partisë, kur janë të pakontestuara brenda përbrenda partisë, nuk ka kush pse i konteston, sepse janë vendime të brendshme të një subjekti, i cili është në garë për pushtet dhe rregullimin e brendshëm ose veprimet brendapërbrenda strukturave të saj, me vendime të veçanta, i lejohet që t’i bëjë.

Do të ketë plotësime në Këshillin drejtues, mund të ketë plotësime në Kryesi dhe nuk ka ndonjë, e kam thënë edhe një ditë, kërkesë që të ketë pretendent tjetër për kryetar të partisë. Ne do të shkojmë me një kandidaturë deri më tash që e kemi, në qoftë se ka propozime të tjera, i mbetet kuvendit që të vendosë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG