Ndërlidhjet

Mundësitë jo të barabarta në shoqëri


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Personat e shurdhër dhe ata me pengesa në dëgjim, po diskriminohen nga institucionet dhe shoqëria kosovare në përgjithësi. Sipas tyre, ky komunitet nuk është i barabartë me qytetarët tjerë kosovarë, e posaçërisht sfidën më të vështirë e kanë punësimin.

Faruk Kukaj, është një nga personat me vështirësi në dëgjim. Ai thotë se edhe pas shumë premtimeve të marra nga zyrtarë institucionalë, se do të punësohet një ditë, ai është në pritje.

”Kam informacione që Ligji i punës tashmë është duke u finalizuar dhe shpresojmë që na kanë përfshirë edhe në punësim, por, në anën tjetër, unë jam paksa skeptik se do të bëhet mirë. Në mënyrë simbolike i kanë përfshirë disa persona, por i kanë mbajtur në punë për vetëm disa ditë dhe prapë kanë mbetur të papunë”
, shprehet Kukaj.

Në anën tjetër, Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Qeverinë e Kosovës thotë se prioritet i institucioneve të Kosovës, është që personave me aftësi të kufizuara t’u krijohet mundësia e punësimit dhe të rritet vetëdija për këtë kategori drejt mundësisë profesionale të barabartë.

Qëllimi është që personave me aftësi të kufizuar t’u mundësohet për një kohë të caktuar të punojnë në një profesion, i cili ju përshtatet interesave të tyre për zhvillimin e karrierës.

”Ne ballafaqohemi me shumë vështirësi, por qasja jonë dhe prioritetet që i kemi adresuar në zgjidhjen e këtyre problemeve, e shohim një lëvizje drejt përmirësimit të tyre, por që po kërkon një angazhim të madh ndërinstitucional dhe me akterët që vijnë nga shoqëria civile dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare”,
thotë Hajredini.

Ndërkaq, Vehbi Rukovci, kryetar i Shoqatës së Personave të Shurdhër, me anë të folësit Selman Hoti, shprehet se punësimi për këtë kategori të shoqërisë nuk është i kënaqshëm:

“Punësimi nuk është në nivel të kënaqshëm”.

Zyrtarë në Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim thonë se përfshirja sociale është një prej qëllimeve themelore, mbi bazën e të cilave punon ky institucion.

Alban Muja, zyrtar në këtë organizatë, thekson:

”UNDP parimi bazë i prioritizimit në këtë aspekt është, sepse përfshirja sociale jo vetëm që është një qëllim moral, por i ndihmon këtij komuniteti që të bëhet pjesë e gjithëmbarshme në Kosovë. Një pjesë sfiduese në përfshirjen sociale janë njerëzit me aftësi të kufizuara dhe sfida kryesore lidhet me sfidën e punësimit. Ata kanë vuajtur për të hyrë në tregun e punës dhe ne e dimë se mundësit për punësim janë të limituara”.


Por, sipas Mujës, UNDP tashmë me programin e veçantë për këtë kategori të shoqërisë, i trajnon këta persona, në mënyrë që ta kenë më të lehtë të futen në tregun e punës.

”Tashmë janë rreth 100 njerëz të punësuar. Duhet të ngrihet vetëdija te kompanitë se edhe kjo kategori mund t ë japë kontributin e vet për zhvillimin e Kosovës”
, thekson Muja.

Sipas Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, në Kosovë vlerësohet se jetojnë afër 20 mijë persona të shurdhër dhe me dëmtime në sistemin e të dëgjuarit.

Lexoni edhe këtë:
Sfidat e personave me aftësi të kufizuara
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG