Ndërlidhjet

logo-print

Sfida e zgjedhjeve të jashtëzakonshme


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Mbajtja e eventuale e zgjedhjeve të jashtëzakonshme kah mesi i muajit dhjetor, për ish-drejtuesit e KQZ-së shihet si një sfidë e madhe për Kosovën. Sipas tyre, procesi zgjedhor mund të rrezikojë të jetë i drejtë dhe demokratik për shkak të kohës së shkurtër të përgatitjes.


Ende nuk dihet nëse do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, ndërkohë që grupi punues tashmë ka finalizuar ndryshimet për ligjin e zgjedhjeve.

Nëse ndryshimet miratohen në Kuvend, atëherë zgjedhjet e ardhshme do të certifikohen nga një organizatë ndërkombëtare dhe jo Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) do të pushojë së ekzistuari, ndërsa pragu zgjedhor për të hyrë në Kuvend do të mbetet 5 për qind.

Ish-drejtuesit e KQZ-së, përveç kritikave për mosuljen e pragut zgjedhor, ndryshimet tjera i konsiderojnë si të rëndësishme. Megjithatë, edhe më tej shprehet dyshimi se sa do të arrihet një proces i drejtë zgjedhor, nëse kah mesi i dhjetorit mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ish-shefi i KQZ-së, Mazllum Baraliu, shfaq drojën për kohën e shkurtër të përgatitjeve.

“Të gjithë indikatorët dhe faktorët relevantë që pretendojnë t’i bëjnë shpejt dhe lehtë gjërat, domosdoshmërisht shpijnë në një konkluzion të arsyeshëm dhe racional, i cili do të thoshte se vërtet ka pak kohë, vërtet jemi të papërgatitur dhe nuk mund të përgatitemi sa duhet për këto zgjedhje, sepse është tepër pak kohë në dispozicion”, thotë Baraliu për Radion Evropa e Lirë.

Pas dorëheqjes se Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, shpalli 13 shkurtin si datë të zgjedhjeve të parakohshme.

Por, dalja e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeverisës ka shtyrë në radhë të parë PDK-në që të kërkojë zgjedhje të jashtëzakonshme.

Drejtuesit e KQZ-së kanë shfaqur dyshimin për cilësinë e zgjedhjeve, nëse ato mbahen këtë vit. Ish-shefi i KQZ-së, Adnan Merovci për Radion Evropa e Lirë thotë se, nëse ka vullnet të mirë politik, organizimi i zgjedhjeve mund të marrë notë kaluese nga ndërkombëtarët.

“Mendoj se trupi për menaxhim të zgjedhjeve, KQZ-ja, kanë nivel dhe janë trajnuar mjaft. Do të ketë ngjeshje të afateve dhe vetë fakti se këto afate do të ngjishen, krijojnë probleme, por unë mendoj se do t’i dilet”
, vlerëson Merovci.

Zgjedhjet e fundit lokale vunë në pah shumë parregullsi në procesin e votimit dhe si rrjedhojë, ato u përsëritën në disa komuna. KZAP-i ishte ai që luajti rolin kryesor në vlerësimin e ankesave të subjekteve politike.

Shuarja e këtij trupi përshëndetet nga Adnan Merovci, pasi, siç thotë ai, me kompetencat që ka pasur, KZAP-i shpesh ka vonuar certifikimin e rezultateve.

“Mendoj se është zgjidhje e mirë, çështja e KZAP-it, sepse ai vetëm do të prolongonte procesin. Duke pasur parasysh të kaluarën - përvojën e KZAP-it nga zgjedhjet e kaluara, kemi pasur shumë shtyrje të paarsyeshme për shkak të vetë afateve, kështu që unë e shoh si çështje pozitive këtë”
, thekson Merovci.

Mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme kah mesi i muajit dhjetor, siç është përfolur, nuk është parë me sy të mirë nga shoqëria civile. Shumë prej tyre kanë tërhequr vërejtjen së në këtë kohë, mund të mos ketë vëzhgues ndërkombëtarë për shkak të pushimeve të fundvitit.

Një nga ata që shfaq drojën për këtë çështje është dhe Mazllum Baraliu.

“Limiti kohor dhe çasti kohor është jashtëzakonisht i papërshtatshëm, sepse në atë kohë e gjithë bota perëndimore, ajo e krishterimit, është e përqendruar në njërën nga festat më të rëndësishme të tyre dhe nuk mund të pritet prurje e mirë e vëzhguesve ndërkombëtarë. Mbase edhe mund t’i pëlqejë kjo dikujt nga subjektet politike dhe institucionale, për të bërë situatë mjegullore”,
shprehet Baraliu.

Vitin e kaluar zgjedhjet janë vëzhguar nga rrjeti i organizatave vendore dhe rrjeti evropian ENEMO, si dhe janë ndihmuar nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Elektorale.

Pakoja e Ahtisarit parasheh që pas zgjidhjes së statusit, zgjedhjet duhet të certifikohen se i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare nga një autoritet kompetent ndërkombëtar. Certifikimi i zgjedhjeve të kaluara lokale është bërë nga KQZ-ja.

Lexoni edhe këtë: Zgjedhjet e jashtëzakonshme - domosdo apo mundësi?
XS
SM
MD
LG