Ndërlidhjet

Bisedimet për të pagjeturit kërkojnë vite


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Çështja e të pagjeturve do të jetë çështja më e rëndësishme dhe më e vështirë e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, vlerësojnë udhëheqësit e mekanizmave përgjegjës për çështjen e të pagjeturve në Kosovë. Në Beograd thonë se nuk mund të ketë normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa i zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me të pagjeturit dhe tema të tjera që ndërlidhen me krimet e luftës.


Përfaqësues të delegacionit kosovar për persona të pagjetur mbështesin idenë që çështja e të pagjeturve të ngrihet në nivel të bisedimeve të pritshme ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Ata thonë se, edhe pse që nga paslufta nën ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar ka pasur kontakte dhe bashkëpunim me delegacionin homolog serb, kanë munguar rezultatet konkrete.

Anëtari i delegacionit të Kosovës për persona të pagjetur, njëherësh kryesues i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur, Prenk Gjetaj, e quan deklarative gatishmërinë e deritashme të delegacionit serb për persona të pagjetur për të zbardhur fatin e më shumë se 1800 personave të pagjetur në Kosovë.

“Krijohet një imazh se ka ekzistuar një bashkëpunim. Nën ndërmjetësim kemi shkëmbyer informacione reciproke; nganjëherë ato informacione nuk kanë qenë të mjaftueshme dhe kanë çuar drejt vendeve, të cilat janë specifikuar si të dyshuara. Nuk ka pasur gjetje. Ka pasur më tepër gatishmëri deklarative, sesa faktike për ndriçimin e fatit të personave të pagjetur”
, thekson Gjetaj.

Komenti i tij pason njoftimet e mediave vendore në Kosovë, sipas të cilave, lehtësuesi evropian i bisedimeve Prishtinë-Beograd u ka dorëzuar palës serbe e asaj kosovare ofertën për nisjen e bisedimeve përmes një takimi të përbashkët, ku do të flitej për çështjen e të pagjeturve.

Bisedimet ndërmjet Kosovës e shtetit serb pritej të nisnin diku në vjeshtën e këtij viti, pritje të cilat thuhet se nuk kanë mundur të realizohen sipas planeve, për shkak të problemeve të brendshme, me të cilat ballafaqohet aktualisht Kosova.

Gatishmërinë për të biseduar e kanë shprehur tashmë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq.

Ky i fundit pati thënë se dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit do të duhej fillimisht të zhvillohej për “çështje të lehta” siç është ajo e personave të pagjetur. Mirëpo, Gjetaj thotë se çështja e të pagjeturve nuk mund të quhet çështje e lehtë.

“Për të thënë se është çështje e lehtë, nuk mendoj, sepse do të jetë ndoshta çështja më e rëndësishme, më e vështirë e më e rëndë, sepse ende na mungojnë 1831 persona që konsiderohen të pagjetur
”, thekson Gjetaj.

Drejtorja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se pa e zgjidhur çështjen e të pagjeturve dhe të krimeve të luftës nuk mund të ketë raporte normale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Fati i rreth 450 serbëve dhe mbi 1800 shqiptarëve, për të cilët që nga paslufta nuk ka ndonjë informatë, sipas Kandiqit, duhet të gjendet gjatë bisedimeve politike ndërmjet dy shteteve.

Kandiq vlerëson se bisedimet për këtë temë mund të zgjasin me vite dhe se do të kërkojnë hapjen e arkivave dhe të dokumenteve të shumta, sikurse në Beograd, ashtu dhe në Prishtinë.

“Me sa di unë, kjo është një çështje që kërkon hapjen e të gjitha dokumenteve policore dhe ushtarake. Edhe institucionet kosovare do ta kenë një detyrë të vështirë, sepse do të duhet të japin informata dhe materiale për veprimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”
, shprehet Kandiq.
XS
SM
MD
LG