Ndërlidhjet

Ahmeti: Kriza në Kosovë vazhdon me vite


Shpend Ahmeti
Shpend Ahmeti

“Kosova nuk është në krizë që një muaj, por për vite me radhë, si pasojë e keqqeverisjes”, thotë themeluesi i partisë “Fryma e Re”, Shpend Ahmeti. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ahmeti thotë se ngutja për të mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme bëhet për interesa të ngushta partiake. Ai e quan domosdoshmëri të kohës krijimin e “Frymës së Re”, ndërsa premton se ky subjekt do t’i kthejë dinjitetin qytetarit.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, Kosova po kalon nëpër një krizë, që disa e quajnë politike, të tjerët institucionale, pas prishjes së koalicionit qeverisës. Si i shihni ju këto zhvillime dhe cila mendoni se është rrugëdalja nga kjo gjendje?

SHPEND AHMETI
Së pari, kjo krizë nuk po zgjat vetëm një muaj, që nga momenti kur presidenti ka dhënë dorëheqje. Mendoj se kjo krizë ka kapluar Kosovën që vite me radhë dhe është krizë e keqqeverisjes, e cila ka rezultuar me këtë që po shohim ditëve të fundit.

Sa i përket asaj se cila është dalja nga kjo krizë që e kanë krijuar vetë, prapë po them se gjithçka që është sipas Kushtetutës, për ne është e pranueshme.

Por, në të njëjtën kohë, duhet të potencojmë se për ne është më me rëndësi që dita e zgjedhjeve të jetë e organizuar mirë, që t’i jepet mjaft kohë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të përgatitet mirë për zgjedhjet, në mënyrë që zgjedhjet e para parlamentare në Republikën e Kosovës të jenë zgjedhje fer, të lira dhe sipas standardeve ndërkombëtare.

Mendoj se këto dy çështje që i përmenda, që të jenë sipas Kushtetutës dhe të organizuara mirë, nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Andaj, për ne le të organizohen kur të duan, por të jepet kohë që të përgatiten dhe të organizohen mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërsa janë shpallur zgjedhjet e parakohshme, disa nga partitë parlamentare janë deklaruar për zgjedhje të jashtëzakonshme brenda këtij viti. Sa përkon me proces të lirë dhe demokratik organizimi i zgjedhjeve të shpejta?

SHPEND AHMETI
Së pari, vetë KQZ-ja ka potencuar se 12 subjekte politike që janë të regjistruara në Kosovë, nuk i përmbushin kushtet që të marrin pjesë në zgjedhje, duke përfshirë këtu dy partitë më të mëdha politike në vend – Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Përveç kësaj që potencova, KQZ-ja ka thënë se monitorimi nga bashkësia ndërkombëtare nuk do të jetë i plotë nëse ngutemi, e mos të flasim për faktin që këto parti, të cilat janë marrë vesh që të mbahen në dhjetor, në të njëjtën kohë po kërkojnë që të ndryshohet Ligji për zgjedhjet, sepse nuk po shkon në interesat e tyre.

Të gjitha këto janë lojëra politike, që qytetarët e Kosovës çdo ditë po i shohin, sepse këto parti po punojnë më shumë për interesin e grupeve të ngushta, do të thosha brenda këtyre partive, sesa për interesin e qytetarit të Kosovës.

Mirëpo, unë mendoj se këto nguti, këto ‘dallavere’ do t’iu kthehen si bumerang këtyre partive politike, sepse populli i Kosovës, qytetarët e Kosovës po e shohin dita-ditës se me çka kemi të bëjmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, ju do të merrni pjesë në zgjedhje, qoftë të jashtëzakonshme, qoftë të parakohshme, me subjektin e sapoformuar “Fryma e Re”, themelues i së cilës jeni. Gjatë shpalosjes së programit, keni thënë se Kosova është në udhëkryq, ndërsa qytetarëve u ka humbur gjëja më e çmuar - shpresa. Sa ka kapacitet FER-i që ta kthejë shpresën dhe të bëjë ndryshime?

SHPEND AHMETI
Ne nuk kemi folur për kapacitetin aq shumë sa kemi folur për gatishmërinë e Kosovës që t’i ndryshojë gjërat. Në fund të fundit, kjo varet prej popullit të Kosovës, prej qytetarëve se sa janë të gatshëm që ta ndryshojnë këtë qeverisje.

Dhe, është ajo që na jep së pari neve në FER shpresë dhe optimizëm, se gjërat mund të ndryshojnë, se në momentet kyçe, çdoherë në histori, Kosova u ka thënë mjaft gjërave të këqija.

Mendoj se edhe këtu ka ardhur një udhëkryq historik, në të cilin edhe një herë duhet t’i themi mjaft keqqeverisjes për fat të keq. Kësaj here, duhet t’ua themi bashkëqytetarëve tanë që na kanë sjellë në këtë gjendje, duhet t’i themi udhëheqësisë tonë, që sakrifikuan edhe ata vetë për të arritur këtu. Nuk e kemi pritur nga ta që të na sjellin në një gjendje në të cilën jemi sot.

Prandaj, ne po e shohim se gatishmëria është te qytetarët e Kosovës, gatishmëria është te vetë Kosova që t’i tregojë jo vetëm vetes, por edhe bashkësisë ndërkombëtare, se nuk bën më që të vazhdojë me këtë keqqeverisje, me këto gjëra të këqija, përfundimisht me këtë kualitet të jetës, sepse, në fund të fundit, i kemi harruar të gjitha ato shtresa të popullit të Kosovës, për të cilat është bërë kjo sakrificë, e ne po e ndjejmë si obligim që të japim kontributin tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova ka probleme në fushën e sundimit të ligjit, probleme ekonomike, ndërsa ende nuk është afirmuar sa duhet ndërkombëtarisht. Çka do të sjellë “Fryma e Re” për të kthyer situatën në të mirë të qytetarëve?

SHPEND AHMETI
Shtyllat që i kemi prezantuar si shtylla politike të asaj çka përfaqësojmë ne, janë kthimi te qytetari dhe problemet me të cilat ballafaqohet. Tash, Kosova dhe kjo klasë politike po merret me atë se çka i tha njëri politikan tjetrit, se kush kujt ia futi thikën pas shpine, në interes të kujt po punohet...

Ne mendojmë se kjo nuk është më me rëndësi. Nuk na intereson individi, nëse ka pësuar apo nëse i ka punët mirë me një ambasador ose jo...

Le të kthehemi tek ato probleme, me të cilat qytetari ballafaqohet çdo ditë, e ato janë: sa ka perspektivë në Kosovë, a ka vende të punës, nëse nuk ka vend pune, sa shpreson se do të gjejë vend pune brenda viti, çfarë shkollash kemi ne – domethënë, fokusi që e kemi humbur komplet, se kemi shkuar vetëm në ndërtimin e shkollave, ndërsa nuk e dimë se çfarë kualiteti, që është një investim për 20 vjetët e ardhshëm.

Ku është mirëqenia, ku është pensionisti, të cilit i është premtuar me nënshkrim të kryeministrit reforma e pensioneve deri më 15 korrik 2008? Nuk ka ndodhur asgjë, që 10 vjet ata janë të harruar. Ku është sigurimi shëndetësor? Jemi i vetmi shtet në Evropë që nuk kemi sigurim shëndetësor.

Të gjitha këto janë probleme. Po t’i shohim të gjitha anketat, këto janë brengat e qytetarit. Nuk po mërziten më për një politikan se çfarë ka bërë... Duhet të kthehemi te problemet.

RADIO EVROPA E LIRË
Në të gjitha zgjedhjet e kaluara, elektorati u ka qëndruar pothuaj besnik partive më të mëdha. Cilat janë gjasat e FER-it që ta bëjë këtë elektorat për vete dhe të hyjë në Kuvend?

SHPEND AHMETI
Ne kemi vlerësuar se FER-i është domosdoshmëri e kohës. Në qoftë se në vitet ’90, e gjithë Kosova ka qenë prapa një gjenerate të politikanëve, në krye me Ibrahim Rugovën, atëherë ajo ka qenë domosdoshmëri e kohës dhe është treguar se e gjithë Kosova di ta vlerësojë.

Në vitet e luftës, e gjithë Kosova është rreshtuar përkrah një gjenerate të re në politikë, e cila po ashtu ka qenë domosdoshmëri e kohës dhe është përkrahur.

Tash, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ne po mendojmë se ka ardhur koha e një politike të re në Kosovë – një drejtim dhe një kah tjetër. Kosova të vendosë që së bashku ta ndërtojmë një frymë të re, t’ia japim një drejtim tjetër Kosovës dhe ai drejtim është zhvillimi ekonomik dhe integrimi evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Është bërë ndonjë matje? Ka një disponim të tillë te qytetarët e Kosovës për të votuar ndryshe?

SHPEND AHMETI
Përveç asaj që kemi parë në disa sondazhe ‘online’, nuk kemi bërë ndonjë hulumtim shkencor. Ne vazhdimisht jemi, pothuajse çdo ditë, jashtë Prishtinës, në terren, nëpër komuna të tjera...

Ajo çfarë kemi parë deri më sot, na bën optimistë edhe më shumë sesa që kemi pritur për gatishmërinë e njerëzve për të ndryshuar. Mendoj se është pak herët që të bëjmë vlerësime. Por, shumë shpejt do t’i shohim edhe ato, e besoj se edhe ju do t’i shihni me tubimet e para që do t’i organizojmë. Do të shihet se sa janë të gatshëm qytetarët për një ndryshim.

RADIO EVROPA E LIRË
A paraqet problem për FER-in pragu zgjedhor 5 për qind për të hyrë në Kuvend, për të cilin sërish ka vendosur grupi punues për zgjedhjet?

SHPEND AHMETI
Unë e thashë edhe më herët që ne në Frymë nuk mendojmë për pragun zgjedhor. Ne mendojmë për atë se sa është e gatshme Kosova të ndryshojë. Realisht, asnjëherë nuk kemi pasur biseda brenda “Frymës së Re” se ku janë parashikimet, a do ta kalojmë pragun ose jo...

Nuk është diskutim për ne. Ne po mundohemi që ta mobilizojmë ndryshimin për Kosovën. Shpresojmë dhe besojmë thellësisht se ai do të ndodhë. Prandaj, këtë diskutim nuk e kemi bërë.

RADIO EVROPA E LIRË
Me cilin nga subjektet politike do të hynit në koalicion?

SHPEND AHMETI
Ne e kemi thënë edhe më herët... Ne po kërkojmë nga qytetari që të na japë besimin me një mandat që do ta ndryshojë keqqeverisjen. Do të ishte jofer nga ne që tani të flasim për koalicione të mundshme me partitë politike, të cilat e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje.

Mirëpo, duke e thënë këtë, po ashtu dua të them se ne nuk e fusim në një thes gjithë elektoratin, gjithë anëtarësinë e këtyre partive. Ne po mendojmë se ka përgjegjësi që duhet të bartet nga grupe të caktuara brenda këtyre partive politike për gjendjen në të cilën Kosova është sot.

Prandaj, edhe një herë po e them se nuk është fer që ne të flasim për koalicione me këta njerëz, të cilët e sollën Kosovën këtu ku është sot.
XS
SM
MD
LG