Ndërlidhjet

Pse u ulën bashkë Berisha e Rama?


Kryeministri Sali Berisha dhe kryesocialisti Edi Rama.

Kryeministri Sali Berisha dhe kryesocialisti Edi Rama.

Ulja e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe atij socialist Edi Rama në një tryezë për reformën zgjedhore, është rrjedhojë e presionit ndërkombëtar, thotë analisti Aleksandër Çipa.

“Kam përshtypjen se presioni diplomatik, apo, thënë më ndryshe, ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar për uljen në një tryezë për reformën zgjedhore midis dy palëve politike në Shqipëri, është padyshim një kontribut i dukshëm dhe evident”, thotë Çipa.

Në fakt, konkluzionet e shumë analizave që pasuan këtë zhvillim nuk shmangën dot ndikimin e fortë që patën dy vizitat pak përpara mbajtjes së tryezës – ajo e presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompei, dhe të zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Tomas Kantrimen. Madje, ky i fundit, një ditë para tryezës, tha për mediat se ishte optimist për zgjidhjen e ngërçit politik.

Ndikimit ndërkombëtar, analisti Lutfi Dervishi i shton edhe llogarinë e brendshme politike lidhur me zgjedhjet lokale të majit 2011.

“Mund të ketë një sërë faktorësh. Mund të kombinohet presioni nga jashtë, mund të kombinohen llogaritë politike për të mos qenë karrigia bosh e vetme në sallë. Por, e rëndësishme është që veprimet e tilla tregojnë se kompromisi dhe dialogu nuk të çojnë në humbje”.

“Një proverb thotë se ai që mungon, është gabim. Çdo lëshim, çdo kompromis nuk duhet marrë si humbje, por duhet shikuar si forcë”,
thotë Dervishi.

Ndonëse refuzoi fillimisht ftesën e kryeministrit Sali Berisha për t’u bërë pjesë e tryezës së partive parlamentare, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shfaq papritur, madje edhe me një propozim për zgjidhje të ngërçit politik – propozim që thelbin e bazon te transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit, 2009, përmes hapjes së kutive të votimit dhe refuzon reformën në kodin elektoral bazuar në rekomandimet e OSBE-ODIR-it.

Thënë kështu, asgjë nuk duket të ketë ndryshuar në qëndrimin e palëve. Por, për analistin Çipa është mjaft për të shpresuar për zgjidhje.

“Është një akt zyrtar i kalimit nga komunikimi propagandistik midis dy palëve në komunikimin real, ulur në një tryezë, e cila tashmë mund të quhet institucionale. Konsistenca që kanë palët për të mbrojtur deri tani qëndrimet e tyre politike, është brenda një logjike të zhvillimit dhe qëndrimit politik. Është një nga aktet që e zhbllokon të ashtuquajturin ngërç politik në Shqipëri”, thotë Çipa.

Edhe për analistin Lutfi Dervishi, tryeza është shenja embrionale e një kompromisi të mundshëm.

“Janë dy momente... Është momenti i kompromisit për hir të kodit dhe infrastrukturës zgjedhore dhe është momenti i dytë – momenti i fushatës elektorale. Sa më shpejt të tejkalohet momenti i parë, aq më lehtë do të futemi në fazën e dytë që do të jetë e vështirë, sepse çdo fushatë zgjedhjesh nuk është paradë mode. Temperatura politike rritet”, thotë Dervishi.

Tryeza e 22 tetorit përplasi edhe një herë publikisht opsionet e palëve për të zgjidhur ngërçin politik. Por, vazhdimi i saj do të varet nga përgjigjja që mazhoranca do t’i japë propozimit të socialistëve.
XS
SM
MD
LG