Ndërlidhjet

Maqedonia rrezikon vetizolimin


Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
Maqedonia do të mbetet jashtë prioriteteve ndërkombëtare, ndërsa me këtë edhe jashtë agjendave të investitorëve të huaj një periudhë më të gjatë, nëse nëntori nuk shënon përparim konkret që do të çonte kah zgjidhja e emrit për t’i hapur Maqedonisë dyert e integrimit në samitin e NATO-s, vlerësoi ish-diplomati Mahi Nesimi.

“Në rastin me Maqedoninë, bashkësia ndërkombëtare, lodhjen e vet do ta manifestojë me krijimin e një presioni në popullatën e Maqedonisë, që gjithsesi emri të zgjidhet”, tha Nesimi.

Ndërkohë, Xhejms Perdju, ish-zëvendëssekretar i përgjithshëm për operacione në NATO dhe njëri nga kreatorët e Marrëveshjes së Ohrit, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk sheh aspak përparime gjatë dy vjetëve të fundit në zgjidhjen e kontestit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit.

Sipas tij, qendrat vendimmarrëse duhet ta shtrojnë këtë çështje në tavolinën e bisedimeve si çështje me prioritet jo vetëm për stabilitetin e Maqedonisë, por të tërë Ballkanit.

“Mendoj se gjëja e parë që duhet bërë është që të pranohet çështja e emrit si çështje me prioritet që kërkon zgjidhje. Si e tillë të shtrohet në institucionet e Bashkimit Evropian dhe të Uashingtonit. Me këtë të zgjidhet modalitet konkret se si të ndihmohet komuniteti ndërkombëtar në tejkalimin e dallimeve. Por, gjithsesi faktori ndërkombëtar nuk mund të ndihmojë nëse Maqedonia dhe Greqia nuk duan zgjidhje”, deklaroi Perdju.

Kryeministri Nikolla Gruevski edhe një herë kërkoi nga Greqia që të ketë qasje më serioze ndaj zgjidhjes së problemit me emrin, duke hedhur poshtë pretendimet për politikë agresive ndaj fqinjit jugor me antikvizimin e shtetit.

Nëse ekziston disponim nga ana tjetër, sigurisht se edhe nga ana jonë çdoherë ka disponim për takime. Por, nënvizoj që ato të jenë thelbësore dhe jo vetëm formale, vetëm e vetëm që të thuhet se u takuam në nivel kryeministrash”, tha Gruevksi, duke apeluar për qasje më serioze për zgjidhjen e këtij problemi me interes jetik për të ardhmen e Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG