Ndërlidhjet

Mosmiratimi i buxhetit 2011 pezullon investimet kapitale


(Fotografi ilustruese)

(Fotografi ilustruese)

Kriza institucionale, në të cilën është futur vendi pas tërheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike, ka shtuar dilemat për miratimin e buxhetit për vitin 2011.

Pavarësisht kësaj, udhëheqës në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave thonë se janë në fazën finale të përgatitjes së projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm.
Bedri Hamza, zëvendësministër i Ekonomisë, thotë se përgatitja e buxhetit për vitin 2011 është bërë në bashkëpunim me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Ministria e Ekonomisë dhe Financave i ka bërë të gjitha veprimet e nevojshme, duke filluar me nxjerrjen e indikatorëve makro-fiskalë për vitin 2011, përgatitjen e Kornizës afatmesme të shpenzimeve që është një dokument, i cili i paraprin përgatitjes dhe aprovimit të buxhetit”.

“Kuvendet komunale i kanë aprovuar buxhetet e tyre dhe i kanë dërguar në ministri. Ne jemi në fazën finale, për të mos thënë se e kemi përmbyllur buxhetin për vitin 2011”,
shprehet Hamza.

Nëse buxheti nuk aprovohet për shkak të zhvillimeve aktuale, sipas Hamzës, Ligji për menaxhimin e financave mundëson që në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm të vazhdohet me 1/12 e buxhetit të vitit 2010.

“Ne e dimë se disa ministri janë aktualisht pa ministra, ne e dimë se mund të priten edhe zhvillime të tjera. Por, Ligji për menaxhimin e financave publike ka dhënë zgjidhje edhe për këto situata”.

“Nëse buxheti nuk miratohet në vitin 2010, në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm mund të shfrytëzohet 1/12 e buxhetit paraprak. Për të vazhduar në muajin e tretë kërkohet aprovim i Kuvendit. Shpresojmë se nuk do të kemi probleme sa u përket pagesave, mallrave dhe shërbimeve, por edhe me pjesën e kapitaleve“,
thotë Hamza.

Në anën tjetër, ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, këtë masë alternative e quan të domosdoshme, por jo edhe të dobishme. Sipas tij, me këtë formë ligjore pezullohen të gjitha pagesat për investimet kapitale, kurse bëhen vetëm pagesat emergjente.

“Është një formë ligjore e mosbllokimit të institucioneve. Përndryshe, sipas rregullave, buxheti nuk lejohet për investimet kapitale, vetëm për këto që janë emergjente: pagat, pensionet dhe shpenzimet e domosdoshme. Të tjerat pezullohen deri në miratimin final të buxhetit”, thekson Shatri.

Ai nuk beson se buxheti për vitin e ardhshëm mund të miratohet nga Kuvendi gjatë këtij viti.

Ende nuk është e qartë nëse do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme apo ato të paralajmëruara për 13 shkurt. Por, Shatri thotë se ekziston rreziku potencial që Kosova të mos e miratojë buxhetin deri në vitin e ardhshëm.

“Vështirësi aktuale në këtë drejtim paraqet mungesa e gjashtë ministrave. Do të thotë, gjashtë resorë të caktuar nuk kanë përgjegjës në qeveri me rastin e vendimit për buxhetin 2011”, thotë Shatri.

Edhe në vitin 2008, Kosova nuk e pati filluar vitin fiskal me kohë, për shkak të ndërrimit të pushtetit.

Lexoni edhe këtë: Buxheti 2011, sfidë për Kosovën
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG