Ndërlidhjet

NPR: Islami radikal shfrytëzon varfërinë për të shtrirë ndikimin


Prishtinë

Prishtinë

"National Public Radio"

Dhjetë vjet pasi luftërat rishkruan hartën politike të Ballkanit, janë rritur shqetësimet për ndikimin e Islamit radikal në rajon.

Arabia Saudite, vendet e Gjirit Persik dhe misionarë të vehabistëve islamikë kanë derdhur shuma të mëdha parash në Bosnjë dhe Kosovë. Objektivë e tyre ishte popullata e re, e zhytur në varfëri, papunësi dhe korrupsion.

Xhamia e Mbretit Fahd në Sarajevë është ndërtuar pas luftës në Bosnjë. Koston e saj prej 30 milionë dollarësh e ka mbuluar Arabia Saudite. Ajo ka një stil të Lindjes së Mesme, që kombinohet me gurë të trashëguar nga arkitektët otomanë.

Qendra të shumta bamirëse nga Arabia janë vendosur në Bosnjë dhe kanë ndihmuar në ndërtimin e 150 xhamive, për të sforcuar kështu Islamin. Por, pas sulmeve të 11 Shtatorit, autoritetet e Sarajevës i goditën dhe 14 sosh u mbyllën.

Burimet e zbulimit perëndimor thonë se komuniteti islamik në Bosnjë – i cili gjithmonë ka praktikuar një formë më të moderuar të fesë – dalëngadalë ka rimarrë kontrollin e xhamive.

Këtë e pohon edhe Ahmed Alibashiq, profesor në Universitetin e Sarajevës. Islami i huaj në Bosnjë është zbehur, thotë ai.

“Njerëzit janë duke shkuar prapa dhe duke thënë: në rregull, ne duhet të shohim prapa dhe të shqyrtojmë traditën tonë mistike. Kjo është devotshmëri personale”, shton ai.

Sot, në lagjen e vjetër Baskarsia të Sarajevës, birrat dhe verërat qarkullojnë lirisht nëpër restorante, ndërsa vetëm disa gra janë të mbuluara.

Por, burimet perëndimore të zbulimit paralajmërojnë se vazhdimi i jostabilitetit ekonomik dhe social mund të çojë në rritje të ekstremizmit.

Kjo frikë përshkon gjithë Ballkanin – një rajon ky i rimëkëmbur nga dhimbjet e tranzicionit post-komunsit dhe nga kriza ekonomike globale.

Një nga vendet më të rrezikuara është Kosova, ku papunësia kap shifrën 45%.

“Ajo çfarë kam parë unë gjatë 10 vjetëve të fundit ka qenë një infiltrim i fortë i parave të Arabisë”, thotë Flaka Surroi, pronare e kompanisë së pavarur “Koha”.

“Ata kanë identifikuar njerëzit më të varfër të komuniteteve, u kanë ofruar atyre një rrogë të qëndrueshme çdo muaj, vetëm për t’u mbuluar dhe për të vepruar sipas ideologjisë së tyre”, thotë ajo.

Xhamia e Hasan Begut në qytetin e Prishtinës është fare e re dhe është financuar nga Arabia Saudite.

Në lutjet e së premtes marrin pjesë kryesisht njerëz të rinj – meshkuj me mjekra dhe gra të mbuluara. Por, megjithatë, ata janë të gatshëm të bisedojnë me gazetarët e huaj.

Tradicionalisht në Kosovë, feja nuk ka qenë shumë e rëndësishme. Por, ekonomia e dobët, varfëria në rritje dhe korrupsioni kanë shtyrë njerëzit t’i kthehen asaj.

Autoritetet e Kosovës u kapën në befasi nga demonstrata e kohëve të fundit, ku mijëra njerëz protestuan kundër vendimit të Ministrisë së Arsimit për ndalimin e shamisë nëpër shkollat publike.

Ilir Deda është njëri nga themeluesit e një partie të re politike, e cila ka për qëllim të luftojë korrupsionin dhe të vendosë sundimin e ligjit.

“Institucionet nuk janë marrë me këtë çështje”, thotë ai. “Islami radikal është një nga rreziqet më të mëdha për Kosovën, sepse ata kanë për synim ndryshimin e strukturës sonë shoqërore”, thotë Deda.

Sipas tij, në dhjetë vjetët e fundit, bamirësit e Lindjes së Mesme kanë investuar rreth 800 milionë dollarë në Kosovë. Që vendi të shkojë përpara, Deda thotë se këto lidhje duhen shkatërruar. (v.t.)
XS
SM
MD
LG