Ndërlidhjet

Kriza devalvon politikanët


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Kriza institucionale në Kosovë tashmë ka krijuar efektet e saj edhe në aspektin sociologjik dhe psikologjik të qytetarëve, vlerësojnë ekspertët e sociologjisë dhe psikologjisë.

Sipas tyre, kjo krizë ka krijuar pasiguri te banorët, ndërsa një gjë e tillë manifestohet me sjellje të caktuara të tyre.

Sociologu Shemsi Reçica, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se situata e krijuar politike po ndikon te qytetarët në mënyrë paradoksale. Sipas tij, ata kanë humbur besimin te politikanët dhe kjo shkakton indiferencë ndaj zhvillimeve politike.

“Popullata e ka humbur besimin te klasa politike e Kosovës, mirëpo, njëkohësisht, e ka humbur besimin edhe te opozita. Qytetarët e Kosovës ishin shumë të zhgënjyer edhe përpara kësaj krize”.

“Por, me këtë të fundit, ata janë bindur se pothuajse nuk ka rrugëdalje nga kjo krizë e përgjithshme në Kosovë. Tash, janë faktorët psikologjikë ata që ndikojnë që qytetarët të mos e manifestojnë pakënaqësinë e tyre për gjendjen në Kosovë”,
thotë Reçica.

Në anën tjetër, psikologu Dashamir Bërxulli, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se shikuar nga ana psikologjike, vërehet lehtë se zhvillimet e fundit politike në Kosovë kanë shkaktuar forma të pasigurisë te qytetarët.

Sipas tij, kjo reflektohet edhe brenda vetë institucioneve dhe administratës publike në Kosovë.

“Edhe qytetarët nuk do të japin maksimalen e tyre në vendet përkatëse të punës, duke e ndjerë këtë pasiguri të përgjithshme dhe këtë mungesë ekuilibrash institucionalë. Është një lloj mosbesimi për ata që aktualisht janë në institucionet tona dhe për ata që do të vijnë në këto institucione, pavarësisht se ekuilibrat e mëdhenj në Kosovë tashmë janë vendosur”.

“Dhe, nuk besoj se është ndonjëri që e vë në dyshim tërësinë e institucioneve dhe vazhdimësinë e tyre në kuptimin e funksionimit të tyre. Kjo krizë i ka kapur disi në mënyrë të papritur dhe njerëzit nuk kanë qenë të gatshëm për të pritur një gjë të tillë”,
thotë Bërxulli.

Këta ekspertë të fushave përkatëse shprehin brengosjen se e gjithë kjo situatë politike dhe, siç thonë ata, sjelljet dhe veprimet e politikanëve, ngjallin pesimizëm lidhur me mundësinë e pjesëmarrjes masive të qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Sociologu Reçica thotë se partitë politike dhe politikanët e kanë të vështirë të ndikojnë te qytetarët gjatë fushatave dhe procesit të ardhshëm zgjedhor.

“Pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje do të jetë shumë, shumë e vogël. Fjalori i pozitës dhe fjalori i opozitës janë të devalvuar te qytetari. Për shembull, njerëzit që janë në qeverisje, në të gjitha nivelet, janë të mbushur me premtime dhe e shohin gjendjen jashtëzakonisht të mirë edhe atëherë kur është keq”.

“Ndërsa, opozita e sheh dhe e interpreton gjendjen keq edhe atëherë kur ka diçka të mirë. Për këtë arsye, qytetarët e kanë shumë të vështirë t’i besojnë qoftë pozitës, qoftë opozitës sot”,
thotë Reçica.

Mendim të ngjashëm ka edhe psikologu Bërxulli, i cili thotë se kriza institucionale provokon një mosgatishmëri të qytetarëve për të dalë në mënyrë masive në zgjedhje.

Mendoj se mund të ndikojë në daljen në zgjedhje, veçanërisht kur bëhen lojëra politike që janë jashtë një morali politik, siç perceptohet përgjithësisht në opinionin tonë”.

“Nëse flitet vetëm për interesa të partive dhe jo për interesa të shtetit, atëherë ka mundësi që kjo të ndikojë thelbësisht në moralin e atyre zgjedhësve, të cilët do të demoralizohen dhe nuk do të dalin në zgjedhje”.

“Pjesa tjetër e popullatës mund ta shikojë me një distancë gjithë procesin zgjedhor, përveç militantëve të partive politike, të cilët do të jenë të zëshëm”,
shprehet Bërxulli.
XS
SM
MD
LG