Ndërlidhjet

logo-print

Newsweek: Apatia në Amerikë


Uashington

Uashington

“Newsweek”

Amerikanët e kanë harruar pjesën tjetër të botës. Asgjë nuk e bën më të qartë këtë fakt sesa kandidatët që garojnë për në Kongresin amerikan aktualisht.

Nëse u hedh një sy parullave apo reklamave të fushatës, Afganistani shfaqet shumë, shumë rrallë, Iraku është histori, kurse procesi i paqes në Lindjen e Mesme nuk i intereson askujt. Harrojeni Kinën dhe Amerikën Latine!

Rusia është thjesht një detaj në kujtesën historike, kurse Evropa një ide që po zbehet. E përse duhet të flasin kandidatët që po garojnë për në Kongres për çështje të tilla, kur 60% e votuesve janë të interesuar vetëm për ekonominë dhe papunësinë?!

Nga ky fakt janë të habitur edhe disa politikanë. A keni dëgjuar ndonjë debat serioz mes kandidatëve për Iranin, pyet senatori republikan, Lindsei Graham.

Askush nuk flet nëse strategjia mbi Afganistanin është e mirë apo e keqe, thotë Graham, i cili e ka të vështirë ta kuptojë si ndodhi kjo tërheqje.

Në fakt, ajo që gjithmonë kanë dashur amerikanët nga pjesa tjetër e botës, ka qenë që këta ta lënë Amerikën në punën e vet. Ndërkohë, për vendet që janë të prekura direkt nga politika amerikane apo mungesa e një politike të tillë, kjo qasje është e rrezikshme.

Sot është shumë e rëndësishme të kuptohet mungesa e thellë e interesit në mesin e publikut amerikan për çështjet globale. Është pikërisht apatia e jo aktivizimi, ajo që do t'i drejtojë politikat e Qeverisë amerikane në një të ardhme të parashikueshme.

Ose, siç e përkufizon senatori Graham, kjo apati vazhdon derisa një ngjarje dramatike të tërheqë vëmendjen e publikut amerikan.

Amerikanët, në mungesë të ngjarjeve dramatike, gjithmonë kanë qenë të fokusuar te çështjet e brendshme. Sfida për çdo udhëheqës amerikan ka qenë që t’i rezistojë kësaj tendence.

Presidenti Obama e kupton nevojën që të jetë i përfshirë në pjesën tjetër të botës, por ka dështuar në tërheqjen e publikut pas vetes. Apatia e përgjithshme në Amerikë, në shumicën e rasteve, është një padije e vullnetshme për punët e botës.

Kjo tendencë nuk ka të bëjë me parti të caktuara politike apo me ndarjen tradicionale - të majtë e të djathtë.

Edhe në të shkuarën, amerikanët kanë qenë jo rrallëherë në këtë frymë apatie, por bilanci i qëndrimeve të tilla është i zymtë.

Pas Luftës së Parë Botërore, Shtetet e Bashkuara i kthyen kurrizin Lidhjes së Kombeve, duke u fokusuar te vetvetja e duke parë nga distanca ngritjen në këmbë të nazizmit në Gjermani.

Pas rënies së Murit të Berlinit, publiku amerikan thuajse mbeti plotësisht i paprekur nga tragjeditë në pjesë të tjera të botës. Pak u bë për të ndaluar gjenocidin në Ruanda apo në ish-Jugosllavi.

Çfarë ka për t’u shqetësuar në gjithë këtë histori? Vetëm pak kohë para 11 Shtatorit, 2001, anketat tregonin se çështja e terrorizmit ishte e fundit në interesin e publikut amerikan. Ashtu siç e thotë dhe senatori Graham, ndonjëherë duhet ndonjë ngjarje dramatike që të tërheqë vëmendjen amerikane. (i.b.)
XS
SM
MD
LG