Ndërlidhjet

logo-print

IHT: Kushtëzimet për Serbinë mbesin


(Fotografi ilustruese)

(Fotografi ilustruese)

“International Herald Tribune”

Serbia ka bërë një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian të hënën, pavarësisht pretendimeve se do të mund të bënte më shumë për të sjellë para drejtësisë njeriun më të kërkuar në Evropë për krime lufte.

Me këmbënguljen e Holandës, vendimi i Unionit përfshin një deklaratë, sipas së cilës hapat e ardhshëm do të miratohen vetëm nëse të gjitha vendet anëtare dakordohen se Beogradi ka bashkëpunuar plotësisht në hetimet për krime lufte.

Megjithatë, vendimi për t’i kërkuar Komisionit Evropian që të përgatisë një vlerësim formal rreth të arriturave të Serbisë për anëtarësim, paraqet një moment të rëndësishëm për Serbinë, edhe pse mbetet një distancë e konsiderueshme nga nisja e negociatave për anëtarësim. Ambiciet e Serbisë për t’iu bashkuar bllokut do të mbeten të ndërlikuara dhe politikisht të ndjeshme, për aq kohë sa Ratko Mlladiq të jetë i lirë.

Prokurorët e Kombeve të Bashkuara për krime lufte pohojnë se ish-gjenerali i serbëve të Bosnjës ishte projektuesi dhe organizatori kryesor i Masakrës së Srebrenicës, në të cilën humbën jetën 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Një hetim i New York Times dhe International Herald Tribune, i publikuar javën e kaluar, njoftoi se Mlladiq, pas 15 vjetësh në arrati, po fshihej në një lagje të Beogradit.

I pyetur nëse autoritetet serbe janë vërtet në kërkim të Mlladiqit, prokurori për krime lufte në Tribunalin e Hagës, Serge Brammertz, dha një përgjigje të dyshimtë: “Është e vështirë për mua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje”.

Vendimi i së hënës reflekton dëshirën e pothuajse të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian që të tregojnë fleksibilitet në drejtim të Serbisë, në përpjekje për të sjellë stabilitet në Ballkan. Angazhimi i serbëve në procesin e integrimeve evropiane, nga shumë është parë si metoda më e mirë për të garantuar paqe në rajon.

Serbia zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në dhjetorin e vitit të kaluar, por me gjithë rezultatet pozitive, anëtarësimi i saj është vite larg.

Kohëve të fundit, kryeqendrat perëndimore kanë parë qëndrimin e Qeverisë në Beograd të jetë më konstruktiv rreth statusit të Kosovës.

Duke folur në Luksemburg, ministri i Francës për Evropën, Perre Lellouche, tha se “Qeveria e Serbisë ka bërë përpjekje të konsiderueshme për Kosovën – gjë që është shumë e vështirë dhe shumë komplekse”.

Deklarata e Unionit ishte e ekuilibruar, shtoi ai. Qeverisë së Serbisë i është dërguar një sinjal pozitiv, porse progresi i ardhshëm drejt anëtarësimit është kushtëzuar, tha Lelliouche.

Studimi formal mbi kërkesën e Serbisë për anëtarësim është një parakusht për fillimin e negociatave për anëtarësim, por ai nuk garanton se bisedimet do të nisin.

Holanda është përpjekur vazhdimisht të ngadalësojë procesin, ndërsa Parlamenti holandez ka qenë kritik ndaj koncesioneve të Beogradit. E gjithë kjo për shkak të rolit të paqëllimtë të Holandës në rastin e Srebrenicës, ku paqeruajtësit holandezë nuk arritën të ndalonin masakrën.

“Unë mendoj se përfundimet kanë qenë të balancuara”, tha ministri i Jashtëm holandez, Uri Rosenthal, duke folur në Luksemburg. “Ato kanë qenë të vështira. Kjo ishte ajo që donim të arrinim dhe ia dolëm. Kështu që jam i kënaqur me rezultatin”, tha ai.

Zëvendëskryeministri serb, Bozhidar Gjeliq, tha se vendi i tij është i vendosur për të sjellë Mlladiqin para drejtësisë. “Nëse e gjejmë sot, sot do ta arrestojmë”, tha ai.

Por, disa grupe për të drejtat e njeriut janë zhgënjyer.

“Bashkimi Evropian nuk do të duhej të dorëzohej në bashkëpunimin me gjysmë zemre të Serbisë me Hagën”, tha Kenneth Roth, shefe ekzekutive në Organizatën Human Rights Watch.

Sllovenia, e cila u anëtarësua në Bashkimin Evropian në vitin 2004, është e vetmja ish-republikë jugosllave që i është bashkuar bllokut. Kroacia ka gjasa të pranohet brenda pak vitesh. (v.t.)
XS
SM
MD
LG