Ndërlidhjet

logo-print
Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe ai i LDK-së, Fatmir Sejdiu, gjatë konferencave të ndara për gazetarë, thanë se do të pranojnë çdo vendim që do të marrë Kuvendi i Kosovës në lidhje me tejkalimin e gjendjes, përfshirë edhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Aktualisht, në Kuvendin e Kosovës janë duke u mbledhur nënshkrimet e nevojshme për të thirrur në mocion votëbesimi Qeverinë aktuale.


Partitë politike janë në pritje të vendimit të Kuvendit të Kosovës rreth tejkalimit të krizës institucionale, në të cilën është futur vendi.

Ndonëse bëhet fjalë për partitë që e kanë shumicën në Kuvendin e Kosovës, liderët e tyre thonë se e kanë lënë në duart e deputetëve çështjen e mocionit të votëbesimit ndaj Qeverisë aktuale. Kalimi i mocionit do ta çonte Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme këtë vit.

Kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se fatin e Qeverisë e ka lënë në duart e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Cilido që të jetë vendimi i Kuvendit, për PDK-në dhe Qeverinë do të jetë i pranueshëm, tha Thaçi.

Unë do ta respektoj çdo vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Vendimet e mia do të jenë në përputhshmëri me vendimet që dalin nga Kuvendi. Është në vullnetin e deputetëve dhe vendimet e tyre për mua janë të pranueshme e të respektueshme si gjithmonë”, tha Thaçi.

Kriza institucionale pasoi vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës që të braktisë Qeverinë. Aktualisht, ministritë e braktisura nga LDK-ja kanë mbetur me staf të përgjysmuar nën drejtimin e zëvendësministrave, por ka edhe ministri që nuk kanë as ministër e as zëvendësministër.

Kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, tha se prishjen e koalicionit e interpretonte si dalje të LDK-së nga kjo qeverisje. Kurse për të ardhmen, ai tha se nuk mund të parashikonte asgjë - nëse do të ketë sërish ndonjë aleancë me PDK-në - pasi që koalicionet mes partive politike janë çështje e marrëveshjeve midis tyre.

Sa i përket tejkalimit të gjendjes, Sejdiu përsëriti se edhe LDK-ja është e gatshme për çdo opsion.

Përsëris - të gjitha rrugët kushtetuese janë rrugë të arsyeshme. Deputetët e Parlamentit të Kosovës i kanë parasysh. LDK-ja do të marrë qëndrimin e vet në kohën e duhur për temat që shtrohen. Sot nuk kemi diç të themi, është çështje e njerëzve që t’i bëjnë veprimet e tyre. Pastaj, kur të piqet çështja, është qëndrimi ynë i shprehur”, theksoi Sejdiu.

Grupi Parlamentar i Aleancës Kosova e Re është në proces të mbledhjes së 40 nënshkrimeve të nevojshme për thirrje në mocion votëbesimi Qeverinë Thaçi.

Seanca e radhës është caktuar për datën 28 tetor, por, siç tha deputeti i AKR-së, Ibrahim Makolli, mbledhja e nënshkrimeve nuk ndërlidhet me këtë datë. Pasi që t’i ketë 40 nënshkrimet, Makolli tha se do t’i procedojë ato te kryetari dhe Kryesia e Kuvendit, për të pritur më pas që brenda 2-5 ditësh, Qeveria të thirret në mocion.

Kalimi i mocionit do ta obligonte ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, që t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, me gjasë qysh për dhjetorin e këtij viti.

Lexoni edhe këto:
Kosova dhe pasojat e krizës
Sfida e zgjedhjeve të jashtëzakonshme
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG