Ndërlidhjet

Shkup: Debat për lustrimin


Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë

Ka ose jo “spiunë” në radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI)? Pas dorëzimit në Komisionin për Lustrim të tri dosjeve të ish-zyrtarëve të partisë shqiptare në pushtet, në Maqedoni po zhvillohet debat i ashpër në këtë temë. Një dosje është shpallur edhe sot në shtypin ditor, me titull “ UÇK-ja është formuar në Beograd”. Nga BDI-ja, pretendimet e këtilla i quajnë “fabrikim të qarqeve antishqiptare”.


Çështja e lustrimit apo e bashkëpunëtorëve të ish-shërbimit sekret jugosllav ka shkaktuar debate të ashpra në Maqedoni, në veçanti pas dorëzimit në Komisionin për Lustrim nga ana e një qytetari të Tetovës të tri dosjeve të, siç thuhet, zyrtarëve të lartë të BDI-së në pushtet dhe paraqitjes së një dosjeje tjetër, sot, në gazetën “Dnevnik”, me titull “UÇK-ja është formuar në Beograd”, ku drejtuesi kryesor i këtij ish-formacioni ushtarak etiketohet si bashkëpunëtor i UDB-së jugosllave.

Dy nga këta zyrtarë, ministri i Pushtetit Lokal, Musa Xhaferi dhe deputeti Fazli Veliu, i kanë quajtur “fabrikim të qarqeve antishqiptare përmbajtjet e dosjeve të tilla”.

Nga BDI-ja thonë se pas dosjeve qëndron Partia Demokratike Shqiptare, pasi partia e Menduh Thaçit, disa herë, kishte kërkuar nga BDI-ja që vetë t'i “denoncojë spiunët në radhët e saj”.

Duke komentuar akuzat e tilla, Talat Xhaferi, nga BDI-ja, thekson:

“Çështja e ashtuquajtur e dosjeve edhe një herë vërteton se ata që tentonin të denigrojnë përpjekjet e popullit shqiptar në Ballkan për të zgjidhur çështjen e tyre, kanë për qëllim që luftën e UÇK-së në Maqedoni ta shpallin si çështje të shërbimeve sekrete të Beogradit”.

Menjëherë pas pranimit të tri dosjeve të para, Komisioni për Lustrim ka kërkuar edhe ndihmën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të verifikuar nëse bëhet fjalë për dokumente origjinale, të dala nga zyrat e institucioneve të Serbisë, apo për dokumente false. Por, nga MPB-ja thonë se ende nuk kanë pranuar një kërkesë të tillë.

Ndërkohë, ish-drejtues të lartë të policisë maqedonase thonë se Drejtoria për Zbulim dhe Kundërzbulim ka aparaturë të sofistikuar që do të mund të verifikonte origjinalitetin e dokumenteve të tilla.

“Me këtë do të siguroheshin të dhëna mjaft të besueshme mbi të dhënat e para, nëse ato janë origjinale, edhe pse janë sjellë të fotokopjuara...”, deklaron Goran Mitevski, ish-drejtor i policisë.

Çështja e këtyre dosjeve ka alarmuar edhe drejtuesit e tjerë të institucioneve. Ditë më parë, presidenti Gjorgje Ivanov kërkoi nga presidenti serb, Boris Tadiq, që dokumentet e tilla të verifikohen në rrugë institucionale. Por, sipas zyrtarëve, ky do të jetë një proces i gjatë, pasi ndërlidhet me sukcesionin e pronës së ish-Jugosllavisë.

Konfrontimet e tilla mes partive politike janë pasojë e mangësive dhe vonesës shumëvjeçare të procesit të lustrimit, thotë Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish-të burgosurve politikë shqiptarë.

Ai thotë se boshllëqet e tilla tani krijojnë situata madje edhe të rrezikshme për raportet ndërpartiake në Maqedoni.

“Vetë fakti që lustrimi filloi me një vonesë 20-vjeçare, krijon mundësinë për manipulime dhe keqpërdorime të ndryshme, si dhe për realizimin e një lustrimi të rrugëve dhe oborreve. Anëtarët e komisioneve duhet t'iu drejtohen me kërkesë drejtorive të ndryshme të shërbimeve sekrete dhe ato duhet të japin përgjigje nëse ka pasur ose jo bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete”.

“Pra, të gjitha zbrazëtirat që i ka Ligji për lustrim në aspektin teknik, teorik dhe kohor, krijojnë hapësirë për një gjendje të këtillë, ku më së tepërmi pësojnë viktimat e atyre që tash duhet të lustrohen”,
thotë Pollozhani.

Komisioni për lustrim paraprakisht kishte konstatuar se asnjë zyrtar shtetëror apo partiak nuk ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete, me përjashtim të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Trendafil Ivanovski.

Por, edhe ai ka kontestuar këtë vendim të Komisionit për Lustrim, duke pretenduar se pas kësaj qëndron pushteti për ta diskredituar pas abrogimit të disa ligjeve, të miratuara nga Qeveria aktuale.
XS
SM
MD
LG