Ndërlidhjet

SHBA: Karzait nuk i janë dhënë “para me thasë”


Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit të Afganistanit, Hamid Karzai, se Shtetet e Bashkuara janë në mesin e vendeve, sikur Irani, që i kanë dhënë Afganistanit “thasë” me para të gatshme, pasi zyra e Karzait nuk kishte para.

Zëdhënësi Robert Gibbs tha mbrëmë se administrata Obama, nuk është “në biznesin e thasëve të mëdhenjë me para”.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara japin “ndihmë për qeverinë afgane nëpërmjet të programit të zhvilluar mirë dhe korrekt për ndihmë”.

Megjithatë, zoti Gibbs tha se nuk mund të jetë menjëherë totalisht i sigurt se nuk ka pasur asnjë agjenci të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të involvuar në dhënien e parave të gatshme për zyrtarët e Afganistanit.

Në fillim të kësaj jave, Hamid Karzai, pranoi se zyra e tij kishte marrë “para me thasë”, që përmbanin miliona dollarë nga Irani, gjatë disa viteve, por tha se Uashingtoni poashtu i kishte dhënë atij “thasë” me para të gatshme.

Irani e pranoi se i kishte dhënë fonde Afganistanit për vite të tëra, por është theksuar se parat ishin të dedikuara për ndihmë në rikonstruktim, e jo për të blerë ndikim ndaj Karzait.
XS
SM
MD
LG