Ndërlidhjet

Mocioni, javën tjetër


Prishtinë
Prishtinë
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, tha se mocioni me 40 nënshkrimet e deputetëve, me të cilin Qeveria thirret në votëbesim, do t’i procedohet Kryesisë së Kuvendit javën e ardhshme. Ai refuzoi kërkesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që në tekstin e mocionit të përfshihen edhe konstatimet për dështimet e Qeverisë, që sollën deri te votëbesimi i saj, duke thënë se po të mos kishte dështime, Qeveria do të vazhdonte tutje.


Qeveria e Kosovës do të thirret në mocion votëbesimi javën e ardhshme, konfirmoi Aleanca Kosova e Re.

Si parti opozitare në Parlament, AKR, përmes mbledhjes së 40 nënshkrimeve të deputetëve, të cilat do t’ia procedojë më pas Kryesisë së Kuvendit, synon që t’i japë fund qeverisjes aktuale.

Kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli, tha se mocioni është gati, ndërkaq e refuzoi kërkesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që në tekstin e mocionit të përfshihet arsyetimi se kjo qeveri duhet të japë dorëheqje për shkak të dështimeve.

Pacolli tha se AKR-ja e tij nuk është parti satelite e PDK-së, por refuzoi që teksti i mocionit të ndryshojë sipas kërkesave të AAK-së.
Po të ishte një qeverisje e mirë, me njerëz të sinqertë..., kjo qeveri do të vazhdonte edhe më tutje.

“Unë jam i bindur që java e ardhshme do të jetë ajo kur ne do të prezantojmë këtë mocion. Keqqeverisja është evidente, ajo është shkaktare e kësaj situate. Po të ishte një qeverisje e mirë, me njerëz të sinqertë, e përgjegjshme ndaj qytetarit dhe institucioneve, kjo qeveri do të vazhdonte edhe më tutje”, tha Pacolli.

Përderisa mocioni mund t’i japë fund mandatit të institucioneve aktuale, partitë politike nuk e përjashtojnë mundësinë që të negociojnë nëse edhe në këtë gjendje në të cilën ndodhen institucionet, mund të miratohen të paktën edhe tri ligje me prioritet, para se Kuvendi të shpërndahet.

Bëhet fjalë për Ligjin për buxhetin e vitit 2011, atë për statistikat, pa të cilin nuk mund të kryhet regjistrimi i popullsisë, si dhe Ligjin për zgjedhjet.

Partia Demokratike e Kosovës vazhdon ta akuzojë LDK-në për krizën dhe pasojat që mund t’i prodhojë ajo.

Zyrtari i kësaj partie, Bedri Hamza, njëherësh zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave, tha se Kosova mund të rrezikojë të mbetet pa miratimin e buxhetit për vitin 2011, për faktin se mungon një numër i madh i ministrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Mosaprovimi i këtij dokumenti (buxhetit) në kohën dhe afatin e paraparë, prodhon shumë rreziqe. Një prej tyre është edhe rrezikimi i programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar”.

“Si rezultat të rrezikimit dhe moszbatimit të këtij programi do të kishim humbjen e donacionit dhe përkrahjes direkte buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës. Rrezikimi i nënshkrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare rrezikon që në Kosovë të arrijnë donacionet konform planeve të parapara”,
tha Hamza.

Mirëpo, me konstatimet e PDK-së nuk pajtohet Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, tha se partia që ai udhëheq nuk e ka shkaktuar krizën. Ai shprehu gatishmërinë e partisë që buxheti për vitin 2011 të miratohet nëse ai do t’i procedohet Kuvendit nga ana e Qeverisë.
LDK-ja nuk ka asnjë qëndrim që të bllokojë punën e institucioneve...

“LDK-ja nuk ka asnjë qëndrim që të bllokojë punën e institucioneve në këtë drejtim dhe vazhdon të mbajë qëndrimin se në të gjitha punët e rëndësishme që kanë të bëjnë me proceset e përbashkëta për shtetin dhe janë të përbashkëta, do të jetë partnere e bashkëpunimit në Parlament. Absolutisht po. Nuk do të ketë asnjë nuancë të refuzimit të debatit dhe të miratimit të Ligjit mbi buxhetin e Kosovës”, tha Sejdiu.

Sidoqoftë, nëse mocioni i votëbesimit procedohet dhe miratohet me shumicë votash, Qeveria do të konsiderohej në dorëheqje, kurse Parlamenti do të shpërndahej.

Sipas Kushtetutës, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, do të shpallte më pas datën e re të zgjedhjeve, jo më larg se 45 ditë nga shpërndarja e Parlamentit.

Në një situatë të tillë, ligjet e cilësuara si me prioritet, megjithatë, do t’i mbeteshin për miratim përbërjes së re të legjislaturës së Kosovës.

Lexoni edhe këtë:
Kosova dhe pasojat e krizës
XS
SM
MD
LG