Ndërlidhjet

Mocioni përçan partitë në Kuvend


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Partitë politike në Kuvendin e Kosovës janë të ndara lidhur me mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë që po përgatitet nga AKR-ja. Teksti aktual i mocionit, nuk është i pranueshëm për LDK-në dhe AAK-në, përderisa LDD-ja e mbështet atë, kurse PDK-ja si parti që drejton Qeverinë, e cila ka humbur shumicën, thotë se do të mbështesë një zgjidhje sa më të shpejtë.


Përmbajtja e tekstit të mocionit të votëbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës mban peng nënshkrimet e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe atyre të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Iniciuesja e mocionit, Aleanca Kosova e Re, tha se teksti i mocionit, ku konstatohet se Kuvendi duhet t’i heqë votëbesimin Qeverisë për shkak të krizës institucionale, të shkaktuar pas daljes së LDK-së nga Qeveria, është konstatim i gjendjes reale.

Shefi i Grupit Parlamentar të AKR-së, Ibrahim Makolli, tha se partitë që nuk po e mbështesin këtë mocion, po i kontribuojnë vazhdimit të krizës në vend.

“Tekstet nuk bëhen për qejfbërje. Ne jemi në një krizë institucionale dhe në vendet demokratike, në veçanti opozita nuk do të toleronte një gjendje të tillë”.

“Madje, është për t’u befasuar që pikërisht një pjesë e opozitës në vend tashmë janë pozicionuar kundër, duke pasur parasysh se ne jemi në fushatë zgjedhore. Do të jetë në vullnetin e deputetëve nëse do të mbështesin mocionin, ose do të mbështesin Qeverinë”
, theksoi Makolli.

Krejt ndryshe nga AKR-ja vlerësoi LDK-ja. Konstatimet se kriza është shkaktuar nga dalja e ministrave të LDK-së nga Qeveria, sipas shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ismet Beqiri, nuk qëndrojnë.
Qeveria e Kosovës


Jo, ky tekst është i paqëndrueshëm. Nuk po paragjykoj se çfarë qëndrimi do të marrim ndaj mocionit, por është totalisht i paqëndrueshëm”.

“Ajo që thuhet se (ekziston) kriza politike, askush nuk e konteston që ekziston, por kriza institucionale, boshllëku mund të plotësohet, ka zgjidhje kushtetuese. Është bërë njëfarë kompromisi në këtë farë teksti dhe për ne janë të paqëndrueshme ato që thuhen në të”,
tha Beqiri.

Mocioni me tekstin e propozuar është i papranueshëm edhe për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Nënkryetari i saj, Ahmet Isufi, tha se AKR-ja me këtë mocion po i bën nder Partisë Demokratike të Kosovës, duke mos e bërë atë fajtore për gjendjen e krijuar. Ai tha se mocioni është dashur të ketë si formulim dështimin e Qeverisë, si arsyetim për shkarkimin e saj.

“Nuk e votojmë kështu si është. Por, të ndryshohet teksti dhe të hidhet përgjegjësia mbi ata që e kanë shkaktuar krizën dhe ata që për 3 vjet e kanë shkatërruar ekonomikisht dhe në të gjitha format Kosovën. Atëherë do ta nënshkruanim me kënaqësi”,
deklaroi Isufi.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Dardanisë tha se do ta përkrahë mocionin e votëbesimit. Shefi i Grupit Parlamentar të LDD-së, Lulëzim Zeneli, tha se sa më shpejt që shkon kjo qeveri, aq më mirë do të jetë për Kosovën.

“Ne do ta mbështesim mocionin, sepse çfarëdo qëndrimi tjetër do të ishte në kundërshtim me vetveten - duke pasur parasysh se ne kemi thënë dhe e përsërisim se një ditë e më parë duhet të largohet ky pushtet dhe këta njerëz që e kanë keqqeverisur vendin dhe e kanë futur atë në krim të organizuar e korrupsion”
, theksoi Zeneli.

Të gjitha zhvillimet rreth mocionit po përcillen me vëmendje edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila aktualisht ka mbetur në Qeveri vetëm me partitë nga minoritetet. Nënkryetari i saj, njëherësh zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, tha se PDK-ja do ta mbështesë çdo vendim që merr Kuvendi, duke preferuar që zgjidhja të jetë sa më e shpejtë.

“PDK-ja ka pranuar që të ketë zgjedhje të parakohshme. Ju e dini që për shkak të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese kemi pranuar që të shkojmë në zgjedhje më 13 shkurt. Por, pas tërheqjes së LDK-së nga Qeveria, vendi është në një situatë të re dhe tani duhet të bëhen zgjidhje emergjente. Në këtë drejtim mendoj se tani ka një realitet të ri dhe do të ketë vendime të reja
”, tha Kuçi.

Mocioni i marrjes së besimit ndaj Qeverisë Thaçi nuk u është ofruar për nënshkrim deputetëve të PDK-së, si parti në pushtet.

AKR-ja pret që sapo t’i procedojë kërkesën Kuvendit, seanca e jashtëzakonshme të thirret jo më larg se pesë ditë nga pranimi i mocionit.

Me miratimin e mocionit me shumicë votash, Qeveria do të konsiderohej në dorëheqje, kurse Kuvendi do të shpërndahej - çka me automatizëm do të çonte Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG