Ndërlidhjet

Dialogu, para apo pas zgjedhjeve?


(Fotografi ilustruese)
(Fotografi ilustruese)
Subjektet politike në Kosovë nuk kanë një qëndrim unik se kur duhet të nisin bisedimet me Beogradin. Shefja e diplomacisë evropiane Ketrin Eshton ka thënë një ditë më parë se presidenti serb Boris Tadiq dhe kryeministri Hashim Thaçi janë gati për dialog.

Por, kriza aktuale në Kosovë me një kabinet me gjysme kapaciteti, me president në detyrë dhe me paqartësitë në lidhje me zgjedhjet nuk shihet si kohë ideale për nisjen e këtij dialogu.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, njëherësh nënkryetar i PDK-së, thotë se negociatat e vërteta mbahen pas zgjedhjeve.

“Dialogu i vërtetë do të fillojë pas zgjedhjeve që do të mbahen në Kosovë. Pas zgjedhjeve do të ketë legjitimitet demokratik dhe gatishmëri dhe unitet qytetar”, thotë Kuçi.

Megjithatë, Kuçi nuk përjashton mundësinë e mbajtjes së bisedimeve për tema të karakterit teknik.

“Temat që kanë qenë në vijim e sipër si temat për të pagjeturit- janë zhvilluar edhe më herët bisedime, mund të zhvillohen edhe tash, por gjithmonë duke i ikur ndikimeve që mund të kenë temat me peshë politike”, thotë Kuçi për gazetarët, pas seancës së Kuvendit të Kosovës.

Por, kështu nuk mendon ish-homologu i tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deputeti Ramë Manaj.

Manaj, partia e të cilit lëshoi ditë më parë koalicionin qeverisës duke shkaktuar një situatë të re në Kosovë, thotë se bisedimet duhet të zhvillohen pas zgjedhjeve.

“Mendoj se është objektivisht e qartë për të gjithë, për çdo subjekt politik për shoqërinë në përgjithësi, se bisedimet në rrethanat që kalon Kosova me palën serbe nuk mund të jenë produktive, nuk duhet filluar për t’i ndërprerë dhe nuk duhet filluar nëse vlerësojmë se nuk mund të vazhdojnë drejt përfundimit përderisa nuk kryhen procese tashmë të filluara në Kosovë”, shprehet Manaj.

Bisedimet me Serbinë kërkohen nga rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Aty nuk përmendet formati i bisedimeve. Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Gashi thotë se nëse është fjala për bisedime teknike, ato mund të fillojnë edhe para zgjedhjeve.

“Së pari duhet të definohet se për çfarë formati të bisedimeve është fjala. Nëse bëhet fjalë për bisedime teknike që mund të mbulohen me staf të ekspertëve. Unë mendoj se mund të ketë bisedime dhe në këtë kohë, sepse ajo pjesa vitale, administrative e institucioneve funksionon”, thotë Gashi.

Temat e bisedimeve nuk janë caktuar ende. Prishtina zyrtare ka thënë disa herë se nuk do të bisedojë për çështje politike, por vetëm për problemet teknike. Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se tani s’është koha për bisedime që mund të kenë ndikime politike, duke lënë të kuptohet se mund të bisedohet dhe për çështje politike.

Sidoqoftë, Manaj nga LDK-ja tha se duhet pritur institucionet e reja çfarëdo që të jetë formati i bisedimeve.

“Duhet pritur që procesi zgjedhor të fillojë dhe të përfundojë dhe institucionet legjitim që dalin nga zgjedhjet atëherë me kompetencë të plotë, me legjitimitet të plotë mund të merren me këtë çështje që përndryshe është në interes të vendit”, thekson Manaj.

Gjatë debatit të djeshëm në Parlamentin Evropian, shefja e diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton, tha se “presidenti serb, Boris Tadiq, dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, janë gati të nisin dialogun”, ndërsa koha dhe çështjet që do të diskutohen nuk janë përcaktuar, por ato varen nga palët

Nga ana tjetër, zëvendëkryeministri serb, Bozhidar Gjeliq tha se ndër temat e para që mund të diskutohen janë doganat.
XS
SM
MD
LG