Ndërlidhjet

logo-print

Ligji i ri për zgjedhje (s’) ndikon në KQZ


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Autoritetet përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor në Kosovë nuk presin që puna e tyre të ndikohet radikalisht pas miratimit në parim të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kuvendin e Kosovës. Ata thonë se do t’i mobilizojnë kapacitetet në mënyrë që, edhe në rast të shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, t’i zhvillojnë të gjitha përgatitjet e nevojshme.


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë do të presë dritën jeshile të Kuvendit të Kosovës për t’i bërë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend, në përputhje me ligjin e amendamentuar për zgjedhjet e përgjithshme.

Pas miratimit në parim të këtij ligji në legjislativin kosovar, udhëheqësit e KQZ-së thonë se duhet pritur përfundimin e procedurave ligjore për të vepruar konform ligjit të ndryshuar.

Megjithatë, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë për Radion Evropa e Lirë se për shkak të ndryshimeve, siç i quan ajo, jo të mëdha, nuk pritet që puna e komisionit të pësojë ndryshime radikale.

“Në ligjin, i cili është amendamentuar sot, nuk ka shumë ndryshime të mëdha, të cilat do të reflektonin aq shumë në punën e KQZ-së. Prandaj, mendoj se do të kemi afat të mjaftueshëm që t’i inkorporojmë të gjithë këto në rregullat tonë”,
thotë Daka.

Por, sa janë në përputhje ndryshimet me standardet evropiane? Zëdhënësja e Zyrës Ndërlidhëse të komisionit Evropian në Kosovë, Maja Pavloviq, përmes një deklarate dërguar Radios Evropa e Lirë, bën të ditur se “në rast se miratohet ligji i ri, do ta vlerësojmë dhe do të shohim nëse është apo jo në përputhje me standardet evropiane”, thotë ajo duke mos hedhur poshtë mundësinë e asistimit të mekanizmave përgjegjës gjatë përgatitjeve në rast të zgjedhjeve eventuale të jashtëzakonshme:

“Nuk mund të japim ndonjë përgjigje lidhur me këtë, duke marrë parasysh që data e shpallur (13 shkurti) e zgjedhjeve, mund të ndryshojë në ditët në vijim. Jemi duke e analizuar këtë çështje, por kornizat kohore që lejojnë përfshirjen tonë të çfarëdoshme janë shumë të shkurtra”,
shprehet Pavloviq.

Kryetarja e KQZ-së, Daka, thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve aktualisht është duke i zhvilluar përgatitjet teknike për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme që janë caktuar të mbahen më 13 shkurt të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, partia opozitare Aleanca Kosova e Re, është duke mbledhur votat për paraqitjen e mocionit të votëbesimit ndaj Qeverisë aktuale - veprim ky që thuhet se mund të shkaktonte rënien e Qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

E pyetur nëse KQZ-ja do të ishte e gatshme që ta përgatisë vendin për një proces elektoral para shkurtit të 2011-s, Daka, thotë:
KQZ



“Plani B është faktikisht një plan operacional. Ne e kemi planin operacional për zgjedhjet në shkurt, të cilat janë të shpallura nga presidenti i Kosovës. Mirëpo, në qoftë se shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme, ne gjithsesi jemi të obliguar që të hartojmë planin e ashtuquajtur B”.


Njohësit e procesit zgjedhor në Kosovë, ndërkohë, vënë në pikëpyetje cilësinë e procesit zgjedhor në vend, në rast të shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Ish-kryetari i KQZ-së, Zait Xhemajli, thekson rëndësinë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’u përshtatet rrethanave ekzistuese dhe të veprojë bazuar në rregullat e caktuara.

“Ato zgjedhje janë zgjedhje të zorit, por janë të parapara me Kushtetutë dhe me ligj dhe ato duhet të mbahen. Se a do të ketë demokraci, e a do të jenë demokratike, është një pyetje krejt tjetër, sepse gjithçka do të bëhet me nguti”
, thekson Xhemajli.

Bazuar në ndryshimet e bëra në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, parashihet shuarja e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) dhe zëvendësimi i tij me një panel të përbërë nga 10 gjyqtarë; pragu zgjedhor për të hyrë në Kuvend do të mbetet 5 për qind, ndërsa do të mbetet gjithashtu edhe votimi me kusht.

Ndryshimet e bëra janë cilësuar si kozmetike, nga ekspertët ligjorë në Kosovë, ndërsa është hedhur një varg kritikash në adresë të mekanizmave përgjegjës lidhur me rrethanat aktuale që janë cilësuar të papërshtatshme për reforma zgjedhore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG