Ndërlidhjet

Mocioni për të thirrur Qeverinë e Kosovës në votëbesim do të hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës, të martën, më 2 nëntor, në ora 12:00.

Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pasi mocioni prej 40 nënshkrimesh, të mbledhura me nismën e Aleancës Kosova e Re, i është prezantuar të enjten Kuvendit.

Vendimi është publikuar para gazetarëve nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili aktualisht ushtron detyrën e presidentit të Kosovës.


Finalizohet mocioni

Dy vota të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës kanë mjaftuar që të rrumbullakohet numri prej 40 nënshkrimesh, të mjaftueshme për ta dërguar në mocion votëbesimi Qeverinë e Kosovës.

Aleanca Kosova e Re, në orët e mbrëmjes, i procedoi Kryesisë së Kuvendit mocionin me 40 nënshkrime, me anë të të cilave do të thërrasë në votëbesim Qeverinë aktuale.

Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli, tha se tani procedurat parashohin që Kryesia e Kuvendit në afatin prej jo më larg se 5 ditë të thërrasë seancën e Kuvendit, ku do të votohet ky mocion.

“Pesë ditë i ka afat, më së largu, dhe tash do të varet nga Kryesia e Kuvendit se kur do ta vendosë në rend të ditës”, bëri të ditur Makolli.

Përmbajtja e tekstit të mocionit të votëbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës nuk është përkrahur nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe atyre të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ibrahim Makolli tha se teksti i mocionit nuk ka ndryshuar, pavarësisht faktit që disa parti politike nuk e kanë pranuar atë.

“Teksti është ai që ka qenë fillimisht. Ne, këtu, para se të ndërmarrim një iniciativë për një mocion të tillë, kemi ftuar partitë politike në opozitë që të kemi një takim konsultativ, takim i cili është refuzuar nga ana e dy partive politike në opozitë”, theksoi Makolli.

Në tekstin e mocionit thuhet se “kriza institucionale, e shkaktuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku ka konstatuar shkelje serioze të Kushtetutës nga ana e presidentit, që ka rezultuar me dorëheqje të presidentit dhe, pas tërheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeveritar, rrezikon të derivojë me krizë të përgjithshme institucionale në vend”.

Por, me këtë konstatim nuk pajtohet LDK-ja. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se një formulim i tillë paraqet një lloj marrëveshje politike.

“Jo, ky tekst është i paqëndrueshëm. Nuk po paragjykoj se çfarë qëndrimi do të marrim ndaj mocionit, por është krejtësisht i paqëndrueshëm”.

“Ajo që thuhet se (ekziston) kriza politike, askush nuk e konteston që ekziston, por kriza institucionale, boshllëku mund të plotësohet, ka zgjidhje kushtetuese. Është bërë njëfarë kompromisi në këtë farë teksti dhe për ne janë të paqëndrueshme ato që thuhen në të”,
tha Beqiri.

Mocioni me tekstin e propozuar është i papranueshëm edhe për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Nënkryetari i saj, Ahmet Isufi, tha se AKR-ja me këtë mocion po i bën nder Partisë Demokratike të Kosovës, duke mos e bërë atë fajtore për gjendjen e krijuar. Ai tha se mocioni është dashur të ketë si formulim dështimin e Qeverisë, si arsyetim për shkarkimin e saj.

“Nuk e votojmë kështu si është. Por, të ndryshohet teksti dhe të hidhet përgjegjësia mbi ata që e kanë shkaktuar krizën dhe ata që për 3 vjet e kanë shkatërruar ekonomikisht dhe në të gjitha format Kosovën. Atëherë do ta nënshkruanim me kënaqësi”, deklaroi Isufi.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Dardanisë tha se do ta përkrahë mocionin e votëbesimit. Shefi i Grupit Parlamentar të LDD-së, Lulëzim Zeneli, tha se sa më shpejt që shkon kjo qeveri, aq më mirë do të jetë për Kosovën.

“Ne do ta mbështesim mocionin, sepse çfarëdo qëndrimi tjetër do të ishte në kundërshtim me vetveten - duke pasur parasysh se ne kemi thënë dhe e përsërisim se një ditë e më parë duhet të largohet ky pushtet dhe këta njerëz që e kanë keqqeverisur vendin dhe e kanë futur atë në krim të organizuar e korrupsion”, theksoi Zeneli.

Të gjitha zhvillimet rreth mocionit po përcillen me vëmendje edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila aktualisht ka mbetur në Qeveri vetëm me partitë nga minoritetet.

Nënkryetari i saj, njëherësh zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, tha se PDK-ja do ta mbështesë çdo vendim që merr Kuvendi, duke preferuar që zgjidhja të jetë sa më e shpejtë.

“PDK-ja ka pranuar që të ketë zgjedhje të parakohshme. Ju e dini që për shkak të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese kemi pranuar që të shkojmë në zgjedhje më 13 shkurt. Por, pas tërheqjes së LDK-së nga Qeveria, vendi është në një situatë të re dhe tani duhet të bëhen zgjidhje emergjente. Në këtë drejtim mendoj se tani ka një realitet të ri dhe do të ketë vendime të reja”, tha Kuçi.

Për miratimin e mocionit mjaftojnë 61 vota të deputetëve, me anë të së cilave Qeveria do të konsiderohej në dorëheqje, kurse Kuvendi do të shpërndahej.

Një situatë e tillë do të shtynte më pas ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, që në një afat jo më shpejt se 30 dhe jo më larg se 45 ditë, t’i caktojë zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG