Ndërlidhjet

BE-ja ndryshon Lisbonën


Gjatë konferencës për shtyp në Bruksel...
Gjatë konferencës për shtyp në Bruksel...
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord që të forcojnë disiplinën buxhetore, në mënyrë që të mënjanohet një krizë e re financiare.

Marrëveshja për rregullore të reja u arrit në orët e para të mëngjesit të sotëm, pas një takimi të tejzgjatur të krerëve të vendeve anëtare të bllokut.

Synimi i ndryshimeve është mënjanimi i një krize të ngjashme me atë greke, për të cilën vendet e Eurozonës u detyruan të mobilizohen për të mbledhur një fond prej 440 miliardë eurosh, për ta nxjerrë nga falimentimi.

Bashkimi Evropian tashmë do të ketë një fond të përhershëm për të ndihmuar vendet me probleme, por edhe buxhetet kombëtare duhet të kontrollohen nga BE-ja.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Von Rompoi, në konferencën e shtypit që u mbajt në orët e para të mëngjesit të sotëm, sqaroi:

“Krahasuar me situatën e tanishme, sanksionet ndaj shteteve që nuk e mbajnë nën kontroll deficitin buxhetor do të vendosen në një fazë të hershme dhe do të vijnë duke u shtuar me kohën”.

“Deficiti publik do të jetë një faktor që do të merret shumë parasysh, së bashku me kriteret e tjera të deficitit. Sanksionet do të vendosen përpara se vendi të mund të arrijë nivelin e deficitit prej 3%, të përcaktuar si tavan. Kjo do të ndodhë nëse nuk merren sa duhet masa parandaluese”,
tha Von Rompoi.

Ndryshimet janë nxitur nga Gjermania e Franca, dy nga vendet kryesore të BE-së, që mbajnë dhe përgjegjësi më të madhe financiare.

Gjermania kontribuoi me 110 miliardë euro në fondin prej 440 miliardë eurosh, për të nxjerrë Greqinë nga falimentimi.

Berlini zyrtar theksoi se marrëveshjet e përhershme do të kërkojnë edhe ndryshime të Traktatit të Lisbonës. Kjo, pasi karta themelore e Unionit nuk lejon që një vend të ndihmojë një vend tjetër anëtar për të dalë nga kriza.

“Të gjithë ranë dakord që të jetë një mekanizëm i përhershëm për menaxhimin e krizave dhe të gjithë e pranuan se duhet të krijohet nga vendet anëtare. Po kështu, të gjithë pjesëmarrësit ndanin të njëjtin mendim se kjo do të kërkojë ndryshime të vogla të Traktatit të Lisbonës”, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Burimet nga brenda takimit pohojnë se ka pasur disa vende që nuk kanë qenë të gatshme për ndryshimin e Traktatit që hyri në fuqi vetëm 11 muaj më parë.

Por, Van Rompoi tha se Traktati nuk do të pësojë ndryshime themelore.

“Nuk shtrohet çështja për të rihapur Traktatin e Lisbonës apo të kemi një debat të ri institucional. Thjesht, duhet të plotësohen nevojat për të krijuar një mekanizëm të përhershëm krize dhe kjo është dëshira e çdo vendi anëtar. Në këtë kuptim duhet një bazë kushtetuese, një bazë më efikase në Traktat”, tha Von Rompoi.

Ndonëse të gjitha vendet anëtare janë dakord për ndryshime, procesi i ndryshimit të Traktatit është një detyrë shumë e komplikuar.

Ndryshimet duhet të miratohen dhe ratifikohen nga të 27 vendet anëtare, proces që kalon përmes votimit në parlament apo përmes referendumit.

Tashmë shumëçka varet nga Von Rompei. Do të jetë ky që do të hartojë ndryshimet dhe të gjejë mënyrën të mënjanojë referendumet kombëtare. (i.b.)
XS
SM
MD
LG